Nis mbrapsht aventura e Azdren Llullakut tek Astana. Sulmuesi i kombëtares e ka humbur Superkupën e Kazakistanit përballë Kairat Almatit. Finalja e luajtur dje në “Astana Arena” përfundoi 2-0 në favor të ekipit që u ndesh me Kukësin gjatë përgatitjeve dimërore në Antalja.
Të dy golat e shënuan në pjesën e dytë mbajnë firmat e Arzos (77’) dhe Kuatit (90+2’). 29-vjeçari shqiptar e nisi ndeshjen si titullar në të majtë të treshes pas sulmuesit kryesor dhe u zëvendësua në minutën e 70-të nga Zhalmukan.
Ndërkohë, Igli Tare, si futbollist në merkaton italiane ishte i kërkuar, por dhe tani që ka lënë futbollin e ka veshur kostumin e drejtuesit sërish mbetet në treg. Sipas mediave italiane, Tare në verë mund të përfundojë jo më pak, por te Interi dhe nuk bëhet fjalë për një lëvizje çfarëdo, por për një nga ato që vlen 300 milionë euro, të cilat sigurisht nuk është se do të përfundojnë në xhepat e Iglit, pasi detyra e tij do të jetë t’i shpenzojë për ringritjen e zikaltërve.