Logo e PD, Apeli cakton datën se kur do të vendosë për vulën

Gjykata e Apelit ka caktuar 11 qershorin si ditën kur do të mbahet seanca e parë lidhur me fatin e logos dhe vulës së Partisë Demokratike. Relatore e çështjes është Alma Ahmeti, ndërsa pjesë përbërëse e trupës që do të përcaktojë të ardhmen e PD-së janë Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Rigjykimi i çështjes në Apel vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që udhëzonte një gjykim në themel të çështjes në fjalë.

Aktualisht njihet si kryetar i PD-së, Lulzim Basha, ndërsa kundër tij rreshtohen Sali Berisha dhe ai që njihet si grupi i Rithemelimit, por edhe deputetët e PD-së të drejtuar nga Gazment Bardhi, që në muajt e fundit njohin Berishën si kryetar të PD-së.

Pak kohë më parë një vendim i Gjykatës së Tiranës rrëzoi një kërkesë të 6 deputetëve demokratë, të cilët kërkonin që Lulzim Basha të çregjistrohej si Kryetar i PD-së.

Gjykata e Lartë në vendimin e saj thekson “në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj”.

Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.

Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”

Artikulli paraprakQeveria e Kosovës zgjat procesin e regjistrimit të popullsisë
Artikulli tjetërDisa argumente pse korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri duhet çrrënjosur?