Nga Luçiano BOÇI
Ka një investim frenetik të propagandës së majtë, për ta mbajtur nivelin e debatit të sotëm vetëm tek akti i ‘djegies’ së mandateve e mundësisë së zëvendësimit të tyre.
Pra për ta mbajtur debatin vetëm tek pasoja, për të sfumuar apo fshehur shkaqet që sollën gjestin ekstrem opozitar.
Kësaj i shërbeu dhe veprimi reaktiv i Kuvendit, me shpresën për ta trajtuar çështjen si procedurë dhe jo si politikë.
Vetë Rama i shfazuar, ngulmon ta vizatojë veprimin në takimet e sforcuara me administratën, në mënyrë butaforike, si akt të dëshmimit të fuqisë së vet elektorale.
Ndërkohë e di mirë që ai është akti i dështimit dhe i dënimit të tij politik.
Djegia e mandatave, është pasoja e shkakut që gjendet tek ai vetë dhe mënyra e sjelljes politike të mazhorancës së tij.
Tek vjedhja, grabitja, detyrimi me dhunë i votës, tek shkelja e lirive politike e qytetare.
Tek sistemi i deformuar parlamentar e quasi-demokratik që imponohet me krim, para të pista e mjerim, varfëri e braktisje të vlerave qytetare.
Djegia nuk ishte rrufe në qiell të pastër. Ishte akt gandizmi ekstrem, formë e mosbindjes qytetare, e refuzimit të lojës politike në kurriz të qytetarit me mandate, e kërkuar me ngulm nga ata, nga opinioni politik e mediatik.
Dhe u realizua në kushtet e ezaurimit të gjitha llojeve të komunikimit dialogues, protestues, propozues, për t’i ofruar shpëtim sistemit të marrë peng nga Rama dhe organizata e tij.
Djegies i parapriu një proces i tërë politik, i cili vuri në qendër pastrimin e politikës e sistemit, por që nuk u konsiderua asnjëherë nga mazhoranca fiktive.
Sot në diskutim nuk është më mandati. Ai ka përfunduar. Nuk ka më lojë mandatesh.
Sot në diskutim është sistemi i kalbur dhe i kriminalizuar, që mban në këmbë kufomat që japin leksione demokracie e të cilëve llumi i zullumeve i duket si ujë i bekuar pagëzues.
Mandatet u dogjën që të ndezin zjarrin e shpresës për drejtësi politike, sociale dhe ekonomike dhe për të përcëlluar aty projektet e regjimeve, që nusërojnë duke tradhëtuar votuesit e vendin.
Miqtë ndërkombëtarë, pas përjetimit të pasojës së detyruar, duhet ta drejtojnë gishtin dhe mendjen tek shkaku dhe shkaqet.
Demokracia shërohet duke flakur tej kancerin e sistemit dhe jo duke zbutur dhimbjet reaguese të një trupi që rrezikon vdekjen.