Loja kukafshehtas!

Kryetari i KQZ vazhdon t’i bëjë yzmetin dyshes anti-amerikane Berisha-Meta ndërsa mundi t’i fshehë emrin kryetarit të Partisë së Lirisë nga emri i koalicionit. Një lëvizje që është e dyanshme duke pasur parasysh një problem të dyfishtë që ka ky koalicion. Po cilët janë shqetësimet reale që fshihen pas lëvizjes që Celibashi ka kryer?

1- Ilir Meta është një politikan nongrata brenda Partisë Demokratike dhe gjithashtu edhe demokratëve. Për vite me radhë demokratët kanë përtypur me shumë mund dhe zor teorinë se Meta i duhet PD-së për të ardhur në pushtet, një teori e pasinqertë dhe e pavërtetë përderisa në vitin 2021 ndonëse Meta bëri fushatë bashkë me LSI jo vetëm që humbja ndodhi por edhe faji nuk iu vendos LSI dhe Kryemadhit por Partisë Demokratike.

Megjithëse Meta përpiqet që të hiqet si demokratë dhe të ngre dy gishta lart duke thërritur për dashuri ndaj demokratëve, shumë prej tyre e dinë që Meta është një nga shkaqet e rrënimit të qeverisë së PD.

Mes fanatikëve personalë të Sali Berishës, shumëkush mendon me bindje që aleanca me Metën e shkatërroi këtë forcë politike dhe qeverisjen e Berishës. Më të mençurit nën drejtimin e Berishës e kanë të qartë që Meta është kostoja më e madhe që mund të mbajnë mbi supe demokratët.

Sondazhet e qarta flasin se demokratët nuk do të mund të tundohen lehtë për të votuar një koalicion që ka emrin e Metës, prandaj ato kanë zgjedhur që të luajnë pisët përmes kolonës Celibashi që vazhdon t’i bëjë yzmetin Metës dhe Berishës më shumë se sa Edi Ramës.

2- Problemi i dytë lidhet me Metën që nuk e do më Berishën në krah. Vizita e të dërguarit special të SHBA në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qenë një sinjal i qartë për Ilir Metën dhe partinë e tij familjare. Burime jo të konfirmuara zyrtarisht por të besueshme kanë treguar se në fakt Escobar ia ka bërë të qartë vijën e kuqe karshi bashkëpunimeve anti-ameriakne dhe me retorikë të tillë.

Ilir Metaj, që më vonë nga këshilltari i të deklasuarit nongrata, do të konsiderohej si ministri i jashtëm i Berishës. Një term që nuk i pëlqen as demokratëve dhe aq më pak Ilir Metës që doli më i nxirë se sa kushdo nga takimi me Escobar. Me shumë mundësi vetë Meta është i qartë dhe i bindur që nuk duhet të pasqyrohet në një fletë votimi me Berishën, që duhet të minimizojë sa më shumë të jetë e mundur bashkëjetesën me armikun e amerikanëve.

Ai po përpiqet që në fije të perit të marrë votuesit e Berishës dhe njëkohësisht t’i bëjë varrin si Berishës dhe familjes së tij. Për këtë po përkujdeset që kollvarin më të fundit që e ka propozuar kandidat ta përlyejë në aferat e tij ndërkohë që miklon të fortët e Berishës për të kaluar në anën e tij. Koha nuk premton dhe Meta po përpiqet që në grahmat e fundit të fundosë një herë e mirë Berishën për t’i marrë ndjekësit.

Këto dy arsye duket se janë të mjaftueshme që Pitkin Meta të ofrojë spekatkël vetëm për të hequr vëmendjen nga fushata. Ai e di që jeta e tij politike është e varur në këto zgjedhje pasi SHBA po e vëzhgon ndërsa Sali Berisha po përpiqet t’i masë pulsin.

Ama, në këtë pikën e emrit në fletën e votimit të dy janë të një mendje por secili për hallet e tij. loja kukafshehti duket se dështoi në hapjen e fushatës, por duhet pritur 14 maji për ta kuptuar realisht se çfarë do të prodhojë.

Exit mobile version