Shumëkush e pa me shpërfillje skandalin e dy anijeve me mbetje toksike që u nisën nga Shqipëria për t’u zhdukur diku në Azinë e largët. Në fund të fundit, shqetësimi lind kur mbetjet e dëmshme importohen në Shqipëri, jo kur ato eksportohen për t’u groposur diku larg.
Pikërisht në mes të këtij debati, doli lajmi se qeveria po i hap rrugë importit të mbetjeve nëpërmjet një projektligji të hedhur për konsultim me qytetarët dhe që ka riaktivizuar Aleancën Kundër Importit të Plehrave.
AKIP ka dalë me një reagim sipas të cilit skandali i eksportit të mbetjeve të rrezikshme është shembull që lidhet drejtpërdrejt me çështjen e importit të plehrave. Pak a shumë në të njëjtën mënyrë se si qeveria e Ramës u soll me mbetjet e rrezikshme që u tentua të niseshin jashtë, do të sillet nesër me plehrat që do të fusë brenda në vend.
Sipas AKIP, skandali vërteton se “autoriteti shtetëror shqiptar është tepër i paaftë apo i korruptuar për të mbajtur përgjegjëse kompanitë vendëse industriale dhe për t’i kërkuar atyre llogari se çfarë bëjnë me mbetjet, qofshin këto toksike apo jo, që dalin nga aktiviteti i tyre i zakonshëm ekonomik”.
Loja e qeverisë me mbetjet e rrezikshme të Kurum
Në 8 gusht, tre organizata ndërkombëtare të mjedisit denoncuan faktin se dy anije të nisura nga porti i Durrësit, po transportonin lëndë të rrezikshme drejt Azisë. Anijet ishin nisur në korrik, pa konfirmim se vendi pritës, Tajlanda, do t’i pranonte. Kur qeveria e Tajlandës mësoi për llojin e ngarkesës që transportonin anijet, refuzoi t’i pranonte në territorin e saj.
Ngarkesa në fjalë sipas organizatave mjedisore është pluhuri i furrës, një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm, por kompanitë që e prodhojnë kërkojnë të shmangin shpenzimet.
Aktualisht, dy anijet me 100 kontenierë që mbajnë rreth 816 ton mbetje brenda tyre po kthehen në Durrës. Media amerikane Bloomberg ishte e para që raportoi për skandalin.
Kompania e transportit Maersk tha se nuk ishte njoftuar se kontenierët mbanin lëndë të rrezikshme. Reagimi i qeverisë përbën një skandal më vete.
Qeveria shqiptare tha se nuk kishte dijeni se si anijet e nisura nga Durrësi, duke shmangur përgjegjësinë. Sipas ministrisë së mjedisit, mbetjet ishin të kompanisë Kurum, por qeveria shqiptare nuk e dinte se ato ishin të rrezikshme.
Në një njoftim për mediat, kompania Kurum mohoi se mbetjet ishin të saj, duke thelluar skandalin.
Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për të zbuluar origjinën e mbetjeve, por fokusi i hetimit është vetëm tek kompania që ka nisur sasinë gjigande të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës.
Shteti ka hequr dorë nga roli kontrollues, ndërsa 816 ton mbetje po kthehen tashmë në Shqipëri. Askush nuk mban përgjegjësi.
Kush do t’i trajtojë këto mbetje? Ku do të përpunohen? Kush do të paguajë për asgjësimin e tyre? Përse nuk funksionoi kontrolli doganor?
Rasti i 100 kontenierëve të braktisur në Kinë
Dy anijet me mbetjet e Kurum nuk janë të vetmet që kanë dalë nga Shqipëria drejt vendeve të Azisë. Organizatat ndërkombëtare mjedisore raportuan edhe për 100 kontenierë të tjerë që kanë mbetur të bllokuar në një port të Kinës për të njëjtat arsye.
Në nisje nuk ishte raportuar se kontenierët transportonin mbetje të rrezikshme. Kur autoritetet kineze panë rezultatet e analizave, ata refuzuan të pranojnë anijet me mbetje. Reagimi i doganave shqiptare ishte se kjo ngarkesë e dytë ishte nisur nga një kompani e Kosovës, por sërish aftësitë kontrolluese të shtetit shqiptar janë në pikëpyetje.
është pikërisht kjo paaftësi për të menaxhuar dhe kontrolluar dhe mbetjet, që nxit reagimin e Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe shembulli i 816 ton mbetje është prova më e mirë për këtë.
Reagimi i plotë i Aleancës Kundër Importit të Plehrave
Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka ndjekur me vëmendje zhvillimet rreth skandalit të 816 tonëve mbetje industriale toksike, të cilat janë duke u kthyer në Shqipëri, pasi kanë dalë nga Porti i Durrësit, sugjerohet, nën dokumente të falsifikuara si eksport lëndësh të para.
AKIP vëren se skandali dukshëm konfirmon shqetësimin kryesor tonin në lidhje me domosdoshmërinë për të ndaluar importin e plehrave në Shqipëri për shkak të mungesës së infrastrukturës përkatëse shtetërore për të ndaluar dhe parandaluar importet e plehrave për groposje dhe asgjësim krahas atyre me destinacion riciklimin.
Skandali vë në dukje se autoriteti shtetëror shqiptar është tepër i paaftë apo i korruptuar për të mbajtur përgjegjëse kompanitë vendëse industriale dhe për t’i kërkuar atyre llogari se çfarë bëjnë me mbetjet, qofshin këto toksike apo jo, që dalin nga aktiviteti i tyre i zakonshëm ekonomik.
Skandali vë në dukje gjithashtu se reagimi i autoriteteve shqiptare ndaj skandalit lë shumë për të dëshiruar. Deri më tani nuk duket se prokuroritë përkatëse kanë kryer ndonjë inspektim në subjektet e dyshuara për trafik lëndësh të rrezikshme ndërsa qeveria nuk ka denjuar të hulumtojë se si ndodhi që mbërritëm në këtë skandal dhe as se cilët, mes hallkave shtetërore, nga inspektorët e mjedisit te kontrollorët e doganave dhe Portit të Durrësit, dështoi të dallojë problemin në kohën e duhur.
Për rrjedhojë, AKIP thekson se Shqipëria duhet të mbetet në regjjimin e ndalimit të importimit të plehrave dhe ndërkohë, në vend që të humbasë kohë në debate të tilla absurde, si interesi i pak operatorëve ekonomikë në importimin e plehrave, duhet të përqendrojë energjitë në menaxhimin e integruar të mbetjeve, në ndarjen në burim, në riciklim, në rehabilitimin e zonave të ndotura, në shtrirjen e sistemit të grumbullimit në të gjithë territorin e vendit, në sigurimin që plehrat nuk derdhen në zona të paautorizuara, në sigurimin që të gjitha bashkitë të kenë stacione tranzitimi dhe landfille dhe që sa më pak prej mbeturinave që prodhojmë, të destinohet për groposje.
Në këtë kontekst, AKIP i bën thirrje shqiptarëve që të përfshihen në fushatën tonë kombëtare, e cila, kësaj here, nuk synon më vetëm ndalimin e importit të plehrave, por edhe pastrimin e Shqipërisë nga plehrat.