Loja me porta të vogla për Reformën në Drejtësi.

Nga Desada Metaj

Që në muajin janar, një pjesë e medias raportoi lidhur me inisiativën e grupit parlamentar të PS për ngritjen e një komisioni që do rishikonte reformën në drejtësi. Vetë socialistët duke përdorur Spiropalin nxituan ti mohonin këto zëra edhe pse çka ndodhi më pas rezultoi e vërtetë.

Pak ditë më parë Edi Rama foli publikisht për një qasje të re për luftën kundër korrupsionit. Ai kërkoi përmirësime në ligjet e reformës dhe jo krejt rastësisht, ambasada amerikane me anë të një reagimi e mbështeti qasjen e kryeministrit. Se çfarë do të thotë kjo në realitet mbetet për t’u parë. E sigurt është që inisiatorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të reformës dhe Spak-ut nuk kanë ndërmend të bëjnë hapa pas në luftën kundër korrupsionit. Kjo, ndoshta nuk përjashton dhe përmirësimin e saj. Për të cilën inisiativa e Ramës sa kohë nuk ka asgjë konkrete nuk mund të paragjykohet prej tyre. Të paktën në mënyrë diplomatike apo publike qoftë.

Duke u përpjekur të marrë diçka dhe lavdia e Spak e duke shfrytëzuar momentin, Rama vijoi projektin e tij me Fatmir Xhafën, si të rilindurin e radhës që merr flamurin e luftës kundër korrupsionit dhe të reformës në drejtësi. Por për ta realizuar këtë ide të tij, Edi Ramës i duhen më shumë se votat që ka në dispozicion PS.

Lypja e parë i shkoi grupit të Gazment Bardhit. Që nuk nxitoi ta hidhte poshtë ofertën duke u treguar i kujdesshëm me deklaratat publike madje edhe duke abstenuar për rezolutën për të njëjtën çështje. Por megjithë përpjekjet për një marrveshje të re me Ramën, fijet e dukshme dhe të padukshme të Gaz Bardhit me qeverinë i preu pa paralajmërim Sali Berisha. Ndërsa rikthimi i parlamentit në normalitet bashkë me amnistinë u paketuan si fitoret e Gazit, përfshirja në një komision me Fatmir Xhafën duket të jetë e papranueshme për Rithemelimin.

Në mbledhjen e grupit parlamentar që do merrte vendim për komisionin, Gazment Bardhi, Dhurata Çupi apo Lefter Gështenja nuk e kanë fshehur përpjekjen dhe nxitjen për të ndarë karriget me socialistët dhe Fatmir Xhafën në komision. Por si rastësisht, në të njëjtën kohë që zhvillohej kjo mbledhje, Flamur Noka doli live në një intervistë televizive duke përjashtuar çdo mundësi për votimin pro apo pjesmarrjen e Rithemelimit në këtë komision.

Ky qëndrim i mëkëmbësve të Berishës i zbehu shpresat e grupit te Bardhit për të qenë dhe njëherë protagonistë të marrveshjeve me mazhorancën. Këtë herë qartas Sali Berisha ka vendosur ta luajë vetë lojën, marrveshjen apo aleancën fluide (siç i pëlqen shpesh ta quajë) me Edi Ramën.

Se ç’do të ndodhë dhe sa serioz është Rama për këtë inisiativë, kjo pritet të shihet gjatë muajve në vazhdim. Fakt është që draftet për ndryshimet e mundshme të reformës kanë nisur të qarkullojnë edhe në seli të ndryshme diplomatike. Ndërsa për një pjesë të opinionit publik ky komision po konsiderohet si komisioni “anti Spak” më të frikësuarit dhe goditurit prej këtij të fundit,qeveria dhe Rithemelimi nuk do të bëhen bashkë për të rishikuar reformën.

Por dhe në rast se do të ngecet tek numri i votave që duhen për ti miratuar ndryshimet , ky duket të jetë dhe problemi më i vogël për Edi Ramën. Parlamenti shqiptar e ka treguar veten të aftë që në çdo legjislaturë të prodhojë “Rudina Hajdari” të gatshme për të bashkuar votat me qeverinë…në emër të një opozite që si alternativë u ofron shqiptarëve lojërat me porta të vogla me Ramën.

Artikulli paraprakKomisioni anti-korrupsion, një nismë ëngjëllore apo djallëzore?
Artikulli tjetërDenoncimi i Ing. Azmer Duleviç: Drejtori i OST Shkodër ka 2 vite në pension dhe i rinovohet kontrata e punës. Arsyeja, nuk gjendet një i ri!