Lojërat e fatit, pafundësia e marrëzisë

Blerina Hoxha

“Fundi i Marrëzisë” tri vite më pas po rezulton një marrëzi e pafundme, teksa mazhoranca shihet të ketë dështuar në një nga aksionet më të mëdha të saj për disiplinimin e biznesit të lojërave të fatit.
Qeveria e re e zotit Edi Rama, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2013, tentoi që në muajin e parë të saj të formalizojë tregun historikisht problematik të bixhozit. Vetë Kryeministri u përkujdes ta pagëzojë si një marrëzi dhe si e tillë për t’i dhënë fund, orientoi në një aksion të përbashkët, Policinë e Shtetit, atë Tatimore dhe Ndërtimore për të pezulluar, për të sekuestruar dhe për të prishur objektet që nuk ishin në pajtueshmëri me ligjin. Më 14 tetor 2013, mbi 600 mijë forca policore lanë komisariatet dhe rutinën e tyre të përditshme për t’u vënë çelësat bizneseve të lojërave të fatit. Pak muaj më vonë, Ministria e Financave raportoi se kishte mbyllur dhe bllokuar mbi 1 mijë pika në të gjithë vendin.
Përkrah aksionit në terren, ekspertët e qeverisë nën konsulencën e donatorëve hartuan një projektligj që do të vuloste fundin e “marrëzisë”. Në themel të propozimeve të reja është ndalimi i bizneseve me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara pranë institucioneve fetare, të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë. Distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit nga institucionet e parashikuara duhet të jenë jo më pak se 100 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet. Brenda datës 31 dhjetor 2016 organizatorët duhet të merrnin masa për ndryshimin e vendndodhjes, ndryshe do të penalizoheshin me heqje licence. Por që nga fillimi i vitit 2014, kur ligji u bë gati për miratim, kaloi në një kalvar dyvjeçar, derisa hyri në fuqi në shkurt të 2016-s. Kur u botua në Fletoren Zyrtare, afatet ligjore për zhvendosjen e bizneseve u bënë nul, pasi ligji parashikonte zhvendosjen një muaj para se ndryshimet të hynin në fuqi. Burimet në Ministrinë e Financave në kohën kur ish-ministri Shkëlqim Cani e drejtonte atë, pohuan se grupet e interesit pranë politikës ushtruan presion për të penguar avancimin e ligjit. Zvarritja me më shumë se dy vjet që nga miratimi në qeveri derisa u botua në Fletoren Zyrtare, u shoqërua më pas me një indiferencë të thellë të qeverisë për ta zbatuar ligjin. Ministria e Financave nuk nxori asnjë udhëzim për zbatimin e ligjit, teksa bizneset po përpiqen të përdorin Kuvendin për t’i dhënë një anulim final ndryshimeve. Një grup prej gjashtë deputetësh – Ervin Bushati, Ervin Koçi dhe Blerina Gjylamenti nga Partia Socialiste; Ylli Shehu dhe Luan Duzha nga LSI, bashkë me Tahir Muhedinin nga përfaqësia e çamëve kanë propozuar një projektligj që shtyn afatet e zbatimit të ligjit të ri për lojërat e fatit të paktën deri në vitin 2018. Ndërsa deputeti Tahir Muhedini i çamëve ka propozuar veçmas një projektligj, për shtyrjen e afateve të zbatimit të ligjit. Këto nisma duket se janë nxitur nga qeveria, e cila përgjatë dy viteve të fundit është vënë nën presion nga bizneset e sektorit që ligji të mos zbatohej, përderisa shihet se Ministria e Financave nuk lëshoi asnjë udhëzim për zbatimin e ligjit. Ervin Bushati, një nga deputetët nismëtarë për të shtyrë zbatimin e ligjit, pohoi se e ka bërë propozimin i pandikuar nga aktorët e tregut. Ai tha se, nëse ligji zbatohet, buxheti i shtetit humbet të paktën 2,5 miliardë lekë nga taksat dhe gjithashtu zhvendosja më në periferi e bën më të vështirë kontrollin dhe rrezikon ta kriminalizojë biznesin e lojërave të fatit. Bushati tha se është në pritje të një raporti të posaçëm nga Ministria e Financave për kushtet në të cilat po zhvillohet biznesi. Por kolegia e tij, Blerina Gjylamenti, njoftoi dorëheqjen nga nisma sapo kuptoi se kjo nuk ishte iniciuar nga grupi parlamentar, por nga grupe të caktuara të qeverisë.
Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar, më herët gjatë javës i ka sqaruar deputetët se nisma për të shtyrë zbatimin e ligjit të lojërave të fatit nuk është e grupit, porse në vijim do të shqyrtohet nëse është apo jo e drejtë. Bizneset e lojërave të fatit xhirojnë të ardhura më shumë se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të 16 operatorët më të mëdhenj deklaruan zyrtarisht të ardhura 120 milionë euro në vitin 2015, por studimet e mëparshme të qeverisë tregojnë se ky lloj biznesi ushtrohet 70% në informalitet dhe të ardhurat reale që xhirohen janë së paku 360 milionë euro. Sipas të dhënave nga bilancet, bizneset e lojërave të fatit patën norma fitimi dyshifrore që arritën deri në 45% vitin që shkoi.
Deputeti Ervin Bushati që është pjesëtar në Komisionin e Ekonomisë, nuk hezitoi kur e cilësoi ligjin e ri të lojërave të fatit një nismë të nxitur të qeverisë. Ai tha se nuk ishin marrë në konsideratë kostot nga zbatimi i tij dhe vlerësoi se duhet bërë një rishikim tërësor i tij. Nga zhvillimet e deritanishme shihet se, ligji i ri i lojërave të fatit është minimumi një gabim i qeverisë, teksa gjithnjë e më shumë qeveria dhe Kuvendi po ndikohen nga lobingjet e grupeve të interesit për të miratuar ligje që janë në dëm të interesit të përgjithshëm.

Exit mobile version