Diçka më shumë se dy javë dhe Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.Me një moral të ngritur pas përfaqësimit në Kampionatin Europian dhe një “halli” të zgjidhur siç ishte rinovimi i trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij, ekipi kombëtar do të tentojë një nisje pozitive në dy ndeshjet e para, ku shorti e ka vendosur të luajë me Ukrainën më 7 shtator në Pragë (luhet në këtë qytet për shkak të luftës në Ukrainë), si edhe tri ditë më vonë kundër Gjeorgjisë që në një farë mënyre ishte një surprizë në Europian, me këta të fundit që do të mbërrijnë në “Air Albania”.
Mes bazës së lojtarëve që ishin në Europian, Silvinjo do të ketë mundësinë që në këto ndeshje të provojë edhe diçka ndryshe me skuadrën, si në aspektin e lojës, por pse jo edhe ndonjë emër të ri që mund të shihet. Interesant do të jetë edhe qasja që braziliani do të ketë me Myrto Uzunin dhe Keidi Baren, të cilët u lanë jashtë “Euro 2024”, ndërkohë që Cikalleshi e mbylli kapitullin e tij.
SITUATA- Me përjashtimin e disa elementëve të cilët janë në turbullirat e merkatos, veçanërisht sulmi, pjesa tjetër e kuqezinjve në përgjithësi është në formë optimale. Ka disa lojtarë e kanë nisur sezonin dhe po kalojnë momente të mira, si Qazim Laçi, Enea Mihaj, Mirlind Daku, Jasir Asani apo Arbër Hoxha. Po ashtu edhe futbollistë të tjerë që kanë shfaqur shenja pozitive dhe rritje në miqësoret e luajtura, si kundër ka edhe nga ata që nuk janë komodë.
Në portë Strakosha u sistemua, ndërsa Berisha është ende pa ekip, me Alen Sherrin që pret momentin e tij, sidomos tani pasi u transferua te Kaljari. Gjimshiti do të qëndrojë tek Atalanta, ndërsa Kumbulla me Hysajn kërkojnë një sistemim të ri. Këtyre ju shtohet edhe Armando Broja, i cili po përgatitet për një skuadër tjetër, ndërsa probleme edhe për Muçin që me trajnerin e ri ka humbur vendin e titullarit te Beshiktashi. Keqardhje edhe për Nedim Bajramin që duhet ta shohim në Serinë B këtë sezon nëse nuk largohet nga Sasuolo. Më tej, Mihaj, Balliu, Ajeti, Ismajli, Asllani, Ramadani, Medon Berisha dhe Gjasula janë stabël për momentin.