Lojtarët e Leister, sërish nën akuzë

Leicester nën akuzë edhe pas fitores me Liverpool. Këtë herë jo për ndeshjen përballë skuadrës së Klopp, por me shumicën e opinionistëve të futbollit që pas atij 90 minutëshi forcojnë bindjen se ishin pikërisht yjet e skuadrës ata që tradhëtuan Ranierin. Jamie Carragher deklaroi se më parë nuk kishte parë kurrë një ndeshje ku të dyja skuadrat duhet të fshiheshin nga turpi. Nëse për Liverpulin e tij bëhet fjalë për lojën e dobët të lojtarëve të Klopp, për Leicester që fitoi 3-1 nën akuzë është ndryshimi i menjëhershëm i rendimentit të disa lojtarëve, nga një skuadër e dorëzuar, Leicester u shfaq edhe një herë makina e golave e ngjashme me atë të vitit të kaluar që bënte surprizën e madhe, duke triumfuar në Premier League.
Duket në fakt e çuditshme siç evidentojnë mediat angleze, që pikërisht ata lojtarë që ishin akuzuar si tradhëtarët, ata që shkuan te pronarët e klubit, duke kërkuar largimin e Ranierit ishin më të mirët në fushë në fitoren ndaj Liverpul. Carragher ishte më i ashpëri në gjykimin e tij, por dhe Gary Lineker, një tjetër zë i respektuar u shpreh se këtu nuk ka të bëjë puna e trajnerit të ri Shakespeare, i cili nuk ka shkopin magjik që të ndryshojë skuadrën për dy ditë, por janë lojtarët ata që papritur u shfaqën ndryshe.
Edhe mediat e shkruara duket se ndajnë të njëjtin opinion, “Daily Mirror” shkruan përse nuk e bëtë më parë diçka të tillë, ndërsa “The Sn” dhe “Daily Mail” pyesin, “dhelpra, ku ishit më parë”. Vardy, autor i një dygolëshi, dhe Drinkwater që vuri firmën në golin e bukur të 2-0, janë edhe një herë nën akuzë se ishin pikërisht ata që tradhëtuan Ranierin.

Exit mobile version