Lojtarët e Tottenhamit ngrihen kundër Mourinhos

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, po përballet me pakënaqësi gjithnjë e më të mëdha nga ana e lojtarëve të Tottenhamit, të cilët s’janë të kënaqur me taktikat dhe seancat stërvitore të portugezit, pasi që i konsiderojnë ato të vjetruara.

Lojtarët e mëdhenj në zhveshtoren e Tottenhamit i janë kthyer kundër trajnerit Jose Mourinho dhe taktikave të tij, sipas gazetës britanike The Sun.

Për më tepër, ka shqetësime në klub se lojtari më i shtrenjtë në histori të Tottenhamit, Tanguy Ndombele, e ka humbur motivin për të luajtur për klubin, pas kritikave publike që Mourinho i bëri drejt mesfushorit.

Tottenhami s’ka arritur të sigurojë fitore që katër ndeshje në Premierligë, ndërsa s’ka arritur as të shënojë gol në tri ndeshjet e fundit. Këtë ecuri, londinezët shpresojnë ta përfundojnë të mërkurën, kur do të përballen me klubin e fundit në tabelë, Norwichin.

The Sun raporton se shumë nga lojtarët kryesorë në skuadrën e Tottenhamit – të cilët fillimisht kishin qenë të lumtur nga lajmi për emërimin e Mourinhos në vend të Mauricio Pochettinos të shkarkuar – tani s’janë më të kënaqur me qasjen e portugezit.

Seancat stërvitore thuhet se përqendrohen më shumë sesa që ata do të kishin dashur në topat e gjatë dhe rivëniet anësore. Disa lojtarë të Tottenhamit e kanë cilësuar këtë qasje si të klubeve të nivele më të ulëta të futbollit.

Skuadra ndihet keq për Ndombele, i cili u kritikua dy herë publikisht nga Mourinho gjatë periudhës festive. Mourinho sugjeroi se francezi nuk ishte i lënduar, por s’ishte në gjendje të luajë, kur Tottenhami e mori fitoren e fundit në ligë, kundër Brightonit.

Më pas, Mourinho e kritikoi Ndombelen duke thënë se ai është gjithmonë i lënduar, pasi mesfushori kishte dalë nga fusha gjatë disfatës kundër Southampton duke ecur me vështirësi.

Exit mobile version