Lojtarët e trishtuar për humbjen

Ledian Memushaj nuk e fshehu trishtimin e tij në intervistën e dhënë pas përfundimit të ndeshjes me Francën. Lojtari i Pescarës, shtoi se humbja ishte e pamerituar, por futbolli i tillë është. “Me vjen keq, pasi nuk meritonim të humbisnim. Arritëm deri në minutën 90 rezultatin 0-0 dhe meritonim barazimin, por ky është futbolli dhe duhet të shikojmë menjëherë drejt Rumanisë. Duhet ta përgatisim sa më mirë ndeshjen. Kemi vetëm një rezultat, por duhet të luajmë dhe të kërkojmë fitoren”, u shpreh Memushaj.
Në të njëjtin “humor” është edhe Mërgim Mavraj, i cili theksoi se rezultati i ndeshjes duhet të ishte i ndryshëm edhe pse vuri në dukje cilësitë e Francës. “Jemi merzitur shumë, por nuk ka qenë e papritur, pasi Franca me këta lojtarë që ka, deri në minutën e fundit mund të shënojë. Fati nuk ishte me ne, bëmë shumë gjëra të mira, por në këtë nivel një gabim i vogël të vendos lojën. Kjo është cilësia jonë, nuk kemi lojtarë me shumë eksperiencë. Duhet të ngrejmë kokën lart. Do të jemi të mërzitur, por do të fokusohemi te Rumania dhe do të mundohemi atje të paktën të arrijmë një rezultat të mirë”, tha Mavraj.
Ansi Agolli “qau” humbjen ndaj Francës. “Më vjen keq, pasi ne bëmë më të mirën për të marrë atë pikë aq të dëshiruar. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe nuk i lamë hapësirë kundërshtarëve. Në pjesën e dytë duhej të ishim më cinikë sidomos në zonë e megjithatë  futbolli i tillë është tani duhet të shohim ndeshjen e fundit. Nuk kemi kohë të qajmë këtë ndeshje, por duhet të përgatitemi menjëherë shumë mirë për Rumaninë”, tha Agolli.
Në fund foli edhe Armando Sadiku, i cili ashtu si dhe e gjithë skuadra ishte mjaft i trishtuar për mënyrën se si shkoi ndeshja në fund me Blutë. “E pësuam golin në fund, duhet të kishim rezistuar, por i tillë është futbolli, tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës me Rumaninë. Kemi katër ditë kohë që të përgatitemi për sfidën e fundit. Për ne është një ndeshje vendimtare, pasi është deçizive për kalimin e grupit ose jo. Shpresoj që ndaj rumunëve të kemi edhe fatin në anën tonë”, tha Sadiku.

Exit mobile version