“Paratë nuk janë edhe aq të rëndësishme”, pohoi pak ditë më parë trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, por ndonjëherë s’është ashtu si mendon francezi. Trajneri i “Topçinjve” e kishte fjalën për Aleksis Sançez, 27-vjeçari që merr 130 mijë paundë në javë, por që klubi është gati t’i ofrojë 200 mijë paund. Ai do të bëhej futbollisti i 15-të më i paguar në Premier Ligë, pas emrave të tillë si Pol Pogba, Serxho Aguero, Eden Hazard etj., pra, asgjë e jashtëzakonshme.
Prandaj, përfaqësuesit e tij kërkojnë më shumë. Ka pasur zëra se një klub në Superligën e Kinës ka ofruar 400 mijë paund në javë për sulmuesin, dyfishi i asaj që mund të marrë tek Arsenali, trefishi i asaj që merr aktualisht.
Futbollisti më i paguar në Angli është francezi Pogba, i cili merr 290 mijë paund në javë dhe kjo do të zgjasë deri në vitin 2021. Serxho Aguero dhe Jaja Ture, janë më të paguarit te Mançester Siti me nga 240 mijë dhe 220 mijë paund në javë. Mes futbollistëve më të paguar janë edhe emra të tillë si Eden Hazard (200 mijë paundë në javë te Çelsi), David De Gea (185 mijë paund në javë te Mançester Junajtid), Rahim Sterling (180 mijë paundë në javë) dhe Çesk Fabregas (170 mijë paundë në javë).
Sançez ka shënuar 13 gola për Arsenalin këtë sezon. Pas ndeshjes ndaj Bazelit, Venger tha: “Luksi i futbollit modern do të thotë se e ardhmja e një futbollisti nuk varet vetëm nga paratë”. Koha do të tregojë nëse ka të drejtë…