Lojtarët pa kontratë, ja emrat që spikasin

Me mbylljen e merkatos së janarit, shumë skuadra mund të projektojnë goditjet për verën e ardhshme, kjo edhe për faktin se nga tani e tutje mund të firmosin me emra të rëndësishëm që janë në skadencë kontrate dhe mund të afrohen me paremetër zero. Nga Zlatan Ibrahimoviç te Yaya Toure e Fernando Torres, për të vijuar me Daniele De Rossin, Jesus Navas e Santi Cazorlan. Të gjithë këta lojtarë, por edhe shumë të tjerë janë të lirë të zgjedhin se ku do ta vazhdojnë karrierën, sepse u lejohet nga FIFA që në këto 6 muaj të zgjedhin klubet e tyre të ardhshme. Emri me më shumë peshë në këtë listë është ai i Zlatan Ibrahimoviç, por vështirë se sulmuesi suedez do të largohet nga Manchester United, pasi Ibra po bisedon me drejtuesit e Djajëve të Kuq dhe është shumë pranë rinovimit edhe për dy vite të tjera me klubin nga “Old Trafford”. Yaya Toure është një tjetër superlojtar që është në skadencë kontrate dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vijojë karrierën shtatlarti nga Bregu i Fildishtë.
Aktualisht është 35 vjeç, por Xabi Alonso, mbetet gjithmonë një emër sugjestionues dhe gjasat janë që ai të mos rinovojë më me Bayern-in kështu që është një opsion i mirë në merkato për çdo skuadër, ashtu si edhe Fernando Torres, i cili në qershor do t’i japë lamtumirën Atleticos së Madridit për ta vazhduar karrierën diku gjetkë. Daniele De Rossi, mesfushori i kombëtares italiane me shumë gjasa do të largohet nga Roma, pasi klubi verdhekuq nuk i ka ofruar rinovimin e kontratës dhe që nga ky moment klubet e Major League Soccer mund të lëvizin për të. Jesus Navas është një tjetër lojtar që mund tu hyjë në punë shumë klubeve, ashtu si dy lojtarë të tjerë të Manchester City-it, si Pablo Zabaleta dhe Gael Clichy, që gjithashtu janë në skadencë kontrate. Afellay, Cerci dhe dyshja e Schalke 04, Choupo Moting dhe Huntelaar, bëjnë gjithashtu pjesë në këtë listë dhe duke qenë se mund të afrohen me kosto zero, shumë klube kanë nisur të shfaqin interes për ta.
Marko Reus nuk do të largohet nga Borussia Dortmund. Ai që e konfirmon lajmin është Drejtori Sportiv i klubit gjerman, Michael Zorc, duke shuar zërat që e shihnin futbollistin në Premier League angleze tek skuadra e Arsenalit. Sipas medias gjermane, “topçinjtë” e Londrës e kishin vënë në shënjestër Reus me të cilin synonin të zëvendësonin Alexis Sanchez, duke parë ngurrimin e kilianit për të rinovuar dhe për këtë arsye ishin gati të shpenzonin 60 milionë euro për të. Por Zorc e bëri të qartë se asgjë nga sa është publikuar së fundmi në lidhje me të ardhmen e Reus nuk është e vërtetë. “Nuk do të humbas kohë me përgënjeshtrimin e lajmeve të pabaza”, tha Zorc për të përditshmen “Bild”. “Nuk di asgjë në lidhje me një largim të mundshëm të Reus”.
Marko Reus u bë pjesë e Borussia Dortmund në verën e vitit 2012, kur u transferua nga Monchengladbach. Që nga ai moment, ai ka qenë një futbollist i rëndësishëm për verdhezinjtë dhe një idhull për tifozët në “Signal Iduna Park”. Kontrata aktuale e Reus me Borussia Dortmund skadon në verën e vitit 2019.

Exit mobile version