Lojtari i Vitit, Salihi: Shpresoj të mos jetë i fundit

Lojtari i vitit 2016 në kampionatin shqiptar. Hamdi Salihi fitoi votimin e trajnerëve dhe kapitenëve të dhjetë skuadrave elitare, duke i shtuar koleksionit një tjetër trofe. Një çmim, që bomberi shpreson të mos jetë i fundit. “Është një vlerësim jashtëzakonisht i madh, sidomos që merret në këtë vit që është tepër i rëndësishëm për futbollin shqiptar. Janë vlerësime dhe trofe që të bëjnë me përgjegjësi, për t’u justifikuar dhe për t’u rritur edhe më tepër. I falënderoj të gjithë dhe shpresoj të mos jetë trofeu i fundit”, u shpreh Salihi.
Ngërçi i këtij sezoni përpara portës nuk e shqetëson sulmuesin e Skënderbeut, që beson se kjo situatë do të kalojë. “Pavarësisht asaj që ndodh në fushë çdo fundjavë, unë jam po i njëjti. Stërvitem çdo ditë dhe mbaj të njëjtin regjim. Pastaj ato janë pjesë e futbollit, një herë shënon dhe një herë jo. Çështja është që brenda vetes të mos ndryshosh asnjëherë”, tha Salihi.
Lufta për titullin kampion premton rivalitet deri në fund. Edhe pse prej startit të kampionatit i kishte të qarta vështirësitë, Salihi shprehet i bindur se Skënderbeu do të triumfojë sërish.
“Titullin asnjëherë nuk e kemi menduar të thjeshtë. Prej fillimit e dinim që do të ishte e vështirë. Por, vazhdojmë të jemi të bindur se jemi ata që e meritojmë dhe besoj se do ta fitojmë”, përfundoi Salihi.

Exit mobile version