Lokomotiva e Moskës sfidon Atleticon

Kryesuesit e kampionatit rus, Lokomotiva e Moskës, nuk ka pasur fat në shortin e 1/8-ve të Europa League, që i ka vënë përballë Atletico Madrid, një prej skuadrave më të mira, nëse jo më e mira e kompeticionit.  Siç mund të imagjinohet, skuadra e Diego Simeone-s është favorite për të kaluar në raundin pasardhës, veçanërisht tani që titulli në La Liga është hipotekuar nga Barcelona pas fitores 1-0 të marrë fundjavën e kaluar në “Camp Nou” kundër Griezmann me shokë, të cilët kanë shkuar përsëri tetë pikë larg kreut. Gjithashtu, ata janë eliminuar edhe nga Kupa e Mbretit.  Kështu, Europa League mbetet i vetmi kompeticion ku ata mund të marrin një trofe dhe nuk ka asnjë dyshim që trajneri argjentinas do të bëjë gjithçka është e mundur për ta fituar. Ndërkohë, skuadra e Yuri Semin ka befasuar deri diku duke eliminuar Nice në 1/16-at me rezultatin e përgjithshëm 4-2.  Ata kanë marrë një barazim pa gola në javën e parë të kampionatit rus, që është luajtur fundjavën e kaluar kundër kampionëve në fuqi të Spartakut të Moskës. Këto dy skuadra janë përballur vetëm një herë në të kaluarën. Ka ndodhur 11 vite më parë dhe ndeshja, e luajtur në Rusi, është mbyllur në barazim 3-3.  Atletico nuk ka pësuar gol në pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi në të gjitha kompeticionet, ndërsa Lokomotiva nuk ka pësuar asnjë humbje në 10 ndeshjet e fundit dhe ka fituar tetë prej këtyre takimeve.

Marseille-Bilbao
Marseille-Athletic Bilbao do të jetë një nga ndeshjet më interesante të Europa League, që do të luhen mbrëmjen e së enjtes. Bardhekuqtë kanë marrë vetëm dy pikë në tri ndeshjet e para të fazës me grupe të Europa League, por tri fitoret e marra në fund i kanë ndihmuar spanjollët të fitojnë Grupin J dhe të sigurojnë një vend në 1/16-at e Europa League.
Baskët janë përballur me Spartakun e Moskës në raundin paraardhës, të cilët janë eliminuar falë fitores 3-1 të marrë në Moskë nga spanjollët. Në 1/8-at, Aduriz me shokë do të ndeshen me Marseille.  Francezët nuk kanë bindur në fazën me grupe, por kanë bërë aq sa duhet për t’u kualifikuar dhe më pas kanë arritur të eliminojnë portugezët e Braga-s në 1/16-at. Këto dy ekipe janë ndeshur dy vite më parë në fazën me eliminim direkt të Europa League dhe Bilbao ka avancuar me rezultatin e përgjithshëm 2-1.  Spanjollët kanë marrë një fitore 1-0 në ndeshjen e parë, që është luajtur në “Velodrome”, ndërsa ajo e kthimit është mbyllur 1-1. Marseille nuk ka fituar asnjë nga katër ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet dhe nuk ka arritur të shënojë gol në tre nga këto takime. Athletic Bilbao ka fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur në të gjitha kompeticionet dhe një nga 6 të fundit që ka luajtur në transfertë.

Exit mobile version