Loriana Kuka kalon në rrethin e dytë të garës në Lojërat Olimpike, 27-vjeçarja në kërkim të medaljes së parë

Xhudistja kosovare Loriana Kuka ka humbur qysh në rrethin e dytë të garës në Lojërat Olimpike Parisi 2024, pasi humbi kundër ukrainases Yelyzaveta Lytvynenko.

 

Kuka u mposht në kategorinë deri në 78 kilogramë të enjten në kryeqytetin francez.

Ajo ishte në kërkim të medaljes së parë olimpike në paraqitjen e saj të dytë në lojëra, pas debutimit në Tokio 2020.

Kuka, 27-vjeçare, ishte xhudistja e fundit që garoi për Kosovën në Paris 2024, pasi katër xhudistët e tjerë garuan në ditët e kaluara.

Kampionia olimpike Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë fundjavën e kaluar, ndërsa Laura Fazliu e fitoi medaljen e bronztë në fillim të kësaj jave.

Akil Gjakova dhe Nora Gjakova nuk arritën të fitojnë medalje.

Kosova i ka fituar dy medalje olimpike deri tani në Paris 2024, dhe pesë në përgjithësi në historinë e saj në Lojëra Olimpike.

Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani.

Kosova udhëtoi drejt Parisit me nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

Shtatë prej tyre i kanë përfunduar garat në sportet e tyre përkatëse tashmë, me Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kukën dhe Donjeta Sadiku që nuk arritën të fitojnë medalje.

Në ditët në vijim do të garojnë edhe Gresa Bakraqi në atletikë, Hana Beiqi në not.

Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil.

Exit mobile version