Lotët e dhimbjes janë sot kudo në Shqipëri dhe ku ka shqiptarë. Të tillë janë edhe lotët e këtij qytetari të Durrësit nga dhimbja për pasojat e tërmetit gjatë një takimi me Kryetarin e PD, Basha.
Basha thotë nga Durrësi se e ka të vështirë të gjejë fjalë për dhimbjen që e prek tek takon njerëz që kanë humbur të afërmit e tyre.
Postimi i Bashës
Pas Thumanës, pranë familjeve dhe banorëve të Durrësit. E kam të vështirë të gjej fjalë për dhimbjen që prek dhe ndjej tek prindërit dhe të afërmit që kanë humbur më të dashurit e tyre.
Por po kaq i prekur jam nga kurajo dhe solidariteti i njerëzve, që megjithë tronditjen, gjejnë forcë për të ndihmuar, për t’iu gjendur pranë bashkqytetarëve dhe familjeve në fatkeqësi.
Mirënjohje dhe mbështetje totale për çdo qytetar, mjek, infermier, punonjës policie, personelin e strukturave të emergjencës dhe të forcave të armatosura që megjithë kushtet dhe rrethanat e rënda po sakrifikojnë për të goditurit nga tragjedia.
Nga Durrësi përsëris thirrjen ndaj qeverisë për të mos u vonuar asnjë çast me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për të mbështetur operacionet e emergjencës me bazë materiale adekuate.
Vëllezër dhe motra, të bëjmë gjithçka për të ndihmuar dhe për t’ju gjendur pranë çdo bashkëqytetari që ka humbur të afërmit, për ata që janë akoma nën rrënoja, me shpresën dhe lutjet për jetët e tyre, për të lënduarit dhe për të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi.
Të gjithë në këmbë, ti japim dorën e ndihmën njëri-tjetrit, pa kushte dhe pa kursyer asgjë. Të bashkuar si një familje e madhe, do t’a kalojmë këtë fatkeqësi.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!