‘LSI 369 mijë$ të padeklaruara për lobim’, Meta e pranon: Shkelet ligji, por unë s’di gjë, të pyeten kushëriri i Monikës e Eriol Braimllari!

Statusi i të pandehurit për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie për Ilir Metën duket se është një arsye që luftën me ish-bashkëshorten Kryemadhi dhe ish-bashkëpunëtorët në LSI ta intensifikojë.

Përmes një postimi mbi 5 faqe në Facebook, nga qelia e burgut 313 ku u rikthye pasi SPAK i komunikoi akuzat zyrtare të martën, Meta flet për lobimin në SHBA, ku pranon se një shifër 369 mijë dollarëshe që SPAK e citon si të padeklaruar nga LSI mund të jetë e vërtetë. Por për këtë ai nuk di asgjë.

Nëse del diferenca midis pagesave të deklaruara nga kompanitë në SHBA për llogari të LSI dhe atyre që ka deklaruar LSI në KQZ, atëherë pa diskutim që kemi një problem serioz me ligjin amerikan dhe shqiptar, por kjo nuk ka asnjë lidhje me Ilir Metën, sepse as kam qenë në dijeni të pagesave të paligjshme nga dikush dhe as kam autorizuar dikë në SHBA të bëjë veprime të tilla të cilat janë ose diletante ose të qëllimshme

Për të sqaruar se kush ka përgjegjësi ligjore për të gjitha këto, Ilir Meta thotë se duhen pyetur 2 persona, Adrian Shatku (kushëri i Monika Kryemadhit) si dhe Eriol Braimllari, ish Drejtori i Kabinetit të Metës.

Natyrisht, personi i parë që duhej pyetur quhet Adrian Shatku, i cili ka qenë prezantuesi i këtyre kompanive me LSI dhe ka mbajtur lidhjet me to. Ky është një shqiptaro-amerikan-dibran, shumë i njohur për prokurorët e SPAK-ut, por çuditërisht i papyetur se paska tre vjet që nuk paska ardhur në Shqipëri. Çudi pse?

Personi i dytë besoj që duhej pyetur është Z. Eriol Braimllari, i cili në dijeninë time ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespondencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail (për fat të keq, pas largimit të tij nga detyra si Drejtor Kabineti, çuditërisht nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë) dhe që rezulton edhe në dosjet e SPAK-ut. Besoj që në hetimet e SPAK për lëvizjet e kompanive, emri i tij është pothuajse kudo.”

Ish drejtorin e tij të kabinetit, Meta e lidh edhe me një tjetër përgjegjës armik, Endrit Braimllari, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së.

Kushëriri i tij i parë, Z. Endrit Braimllari, është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimet dhe ka pasur për detyrë të ndjekë zbatimin e tyre, duke qenë përgjegjës edhe për organizimin dhe për financat. Çuditërisht, Endriti pasi hyri në SPAK si përfaqësues i PL (LSI), doli si “rilindas” i Edi Ramës dhe, siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë”, shkruan Meta.

Por për cilën pjesë të lobimit flet Meta? Bëhet fjalë për kontrata për konsulenca lobimi mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Global Security and Inovative Solution LLC dhe JPM Strategic Solutions, për të cilat thotë Meta se kontaktet i mbante Adrian Shatku. Në fakt SPAK thotë se nga hetimet rezulton se nga janari 2016 – Dhjetor 2017 LSI i ka paguar kompanisë GSIS LLC, për qëllime konsulence dhe lobimi mbi 463USD dhe ka deklaruar shpenzime për konsulencë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe ka paraqitur pranë SPAK vetëm tre fatura të paguara që shkojnë 93,761 USD. Diferenca prej 369.785 USD është paguar nga një entitet i pa deklaruar nga partia LSI.

Gjithashtu SPAK evidenton se 12 pagesa të cilat kompania “UNIFI Communication INC” me drejtor ekzekutiv kushëririn e Monika Kryemadhit Adrian Shatkun ka bërë në llogari të kompanisë JPM Strategic Solutions. Kujtojmë se në biznesin e Unifi në  Shqipëri, SPAK dyshon se ishte bashkëortake edhe Monika Kryemadhi.

Në reagimin e kësaj të mërkure, kreu i Partisë së Ilir Meta flet edhe për një tjetër kontratë lobimi të ish LSI, atë me “McKeon Group”. Për këtë kontratë bën me faj ish-bashkëpunëtorin e tij në LSI, deputetin Vangjel Tavo (edhe pse nuk e përmend me emër se ai e ka prezantuar me avokatin greko-amerikan në Greqi, Fidetzis.

Madje për Metën, Tavo kishte propozuar në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së që të paguheshin 15 mijë USD parapagim për kompaninë “McKeon Group”, nga të cilët pranon se kishte marrë ftesa për ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump në vitin 2016, por që sipas tij nuk i ka përdorur bashkë me Petrit Vasilin, pasi më parë i kishte siguruar nga kongresmenë.

Postimin Meta e mbyll duke shkruar edhe një herë se asnjë provë dhe fakt nuk i çon dot Ilir Meta, përveç urdhrit politik të Edi Ramës dhe shefave të tyre që presin mandate të përjetshëm prej tij duke shërbyer si kamikazë politikë.

Eshtë e çuditshme se në këtë dosje ka shumë dibranë dhe grekë”, shkruan Meta duke lidhur origjinën e ish bashkëshortes së tij Kryemadhi nga Dibra apo ish-bashkëpunëtorit Tavo, minoritar grek.

Unë dhe Monika nuk jemi më çift, pasi jemi divorcuar edhe juridikisht plotësisht dhe unë nuk kam asnjë pretendim pronësor apo pasuror ndaj saj. Ndaj do të lutesha që përgjegjësitë të mos i trajtoni më çift, pasi ato janë individuale të secilit në raport me ligjin.”, shkruan Meta.

Ndërkohë, sa i takon fotos me Donald Trump dhe Zonjën e Parë, Meta thotë se janë zyrtare dhe në New York ka qenë si President i Republikës, sipas protokollit zyrtar.

Artikulli paraprakZgjedhjet dëshmuan pazarin Rama-Berisha për të mbajtur peng vendin/ Mirela Karabina: Shqipëria meriton më shumë se klasa 34-vjeçare e tranzicionit
Artikulli tjetërZelensky nga Berlini: Rusia përsërit ultimatume të vjetra, nuk ofron asgjë të re për paqe