LSI: Fund teatrit të Ramës për çarqe minjsh

Nënkryetari i LSI-së, Rama, ka sulmuar kryeministrin Rama lidhur me qëndrimin e tij ndaj artistëve të Teatrit Kombëtar. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se mungesa e transparencës ka provokuar një zinxhir reagimi qytetar, më i fundit ai i aktorëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar, i lënë qëllimisht të rrënohet e degradohet. ‘Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, lufta, përçmimi e fyerja që ju bëhet artistëve, është shfaqja më alarmante e obskurantizmit qeveritar. Teatri nuk është vetëm i artistëve, më së pari, ai është i qytetarëve, ndaj mbrojtja e teatrit është përgjegjësi qytetare. Ndërsa transparenca e dialogu me artistët është detyrim i qeverisë. Nuk ka se pse çuditemi me këtë që po ndodh. Sepse e dimë mirë se, ç’mungesë konsiderate, ç’fyerje poshtëruese kanë dalë përgjatë dy dekadave nga goja e lidershipit të sotëm. Janë përdorur të gjitha mjetet për ta përballur këtë inkuizicion: dialogu, protesta, kundërshtimi. Por pa asnjë efekt. Ka një qëndrim konstant lidershipi i sotëm ndaj të gjitha institucioneve të kulturës, arsimit, dijes, shkencës, informimit. Më tej në fjalën e tij, Rama u shpreh se kryeministri ka përbaltur të gjitha institucionet në vend, duke thënë se kjo është politikë qeverisëse dhe kompleks i kryeministrit, që tregon obskurantizmin e qeverisjes.

‘Dje, Akademia e Shkencave etiketohej agjenci funerelesh e më parë institucionet e informimit publik e mediatik cilësoheshin kazan, sot universitetet janë vrima e fundit e kavallit. Sot, universitetet janë vrima e fundit e kavallit e nesër teatri është një gërmadhë e së shkuarës. Nuk ka mbetur institucion pa e përbaltur. A është kjo politikë qeverisëse apo kompleks i kreut të saj? Askund tjetër më mirë se sa përballë kulturës, punëtorëve dhe institucioneve të saj nuk del më në pah obskurantizmi i kësaj qeverie, e cila nuk mbërrin dot as deri tek sllogani komunist i qeverisë së 1946-ës “më shumë bukë – më shumë kulturë për popullin’. Në fund, Rama tha se teatri i lojërave politike, një teatër çarqesh për minj nuk i nevojitej askujt. ‘Ne kemi nevojë për çdo formë teatri. Ka vetëm një teatër që padyshim nuk i nevojitet askujt – e kam fjalën për teatrin e lojërave politike, një teatër qarqesh për minj, një teatër politikanësh, një teatër i pabukë politik. Ajo që padyshim nuk na nevojitet është një teatër terrori i përditshëm – individual apo kolektiv’.

Exit mobile version