I ndodhur përballë një problematike dhe vështirësie që lidhet me faktin se LSI nuk mund të sillej në Bashkinë e Tiranës si pjesë e pushtetit dhe në opozitë me qeverinë, LSI duket se ka gjetur një zgjidhje.
Skenari është i qartë, LSI urdhëron dy nga besnikët e tij, të kalojnë përfundimisht me Erion Veliajn. Kalimi i tyre do t’ia jepte shumicën Veliajt, por prapë për të siguruar mazhorancën, për çdo vendim do t’i duhej ajo marrëveshje.
Pra, për çdo votë me shumicë prej 31 këshilltarësh, Veliaj duhet t’i drejtohet sërish LSI edhe pse formalisht dy besnikët e Presidentit të Republikës kanë kaluar me PS. Kjo lëvizje dhe ky pazar ka zgjidhur përfundimisht sikletin e LSI dhe Kryemadhit.
Pazari i Veliajt me ta është i mbyllur. Kryebashkiaku i Tiranës siguron shumicën, në vazhdim ushtarët e LSI për çdo vendim do të konsultohen me Kryemadhin dhe nga ana tjetër Erion Veliaj do të ruajë njerëzit e Metës në administratë, por edhe do të shpërndajë tendera dhe të firmosë leje sipas nevojave që do të kenë aleatët e heshtur.
Ish-këshilltarja e LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Genta Mezini, ka reaguar pas përjashtimit të saj nga grupi i kësaj force politike, pas vendimit të saj në kundërshtim me atë të grupit, për të votuar pro rritjes së çmimit të ujit.
Në deklaratën e saj, ajo ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë vetë, pasi është bindur se projekti ishte ambicioz. Ajo shprehet se nga ky moment e në vijim do të jetë mbështetëse e Partisë Socialiste dhe vota e saj do të jetë për të.
Kjo është deklarata e plotë e Genta Mezinit:
Falënderoj të gjithë qytetarët e Njësisë 10, të cilët me votën e tyre në vitin 2015, më dhanë mundësinë të jem pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Falënderoj të gjithë dashamirësit dhe ata që më kanë përgëzuar për aktin e djeshëm (ditën e mërkurë), ku unë votova bindshëm, krejt e lirë dhe e pavarur prej imponimit politik, votova për një projekt kaq ambicioz, që lidhet me furnizimin me ujë të kryeqytetit për 24 orë.
Jo vetëm si qytetare e Tiranës, por edhe si mjeke në profesion, unë jam e bindur që rindërtimi sipas standardeve të larta bashkëkohore të rrjetit të ujësjellësit, do të minimizojë ndjeshëm edhe sëmundjet infektive që vijnë si pasojë e kontaminimit të ujit nëpër depozita dhe cisterna krejt të amortizuara, siç janë parazitet e ndryshëm, viruset etj… Për sa i përket deklaratave të bëra nga LSI për blerjen e votës sime apo manipulimin e votës sime përkundrejt pazareve që vetëm një dëshpërim i thellë mund të sajojë, ju bëj me dije që asgjë nuk është e vërtetë.
Unë premtoj që votën time, në Këshillin Bashkiak të Tiranës do ta përdor vetëm në të mirë të interesave të komunitetit. Jam e nderuar që më jepet mundësia të kontribuoj përkrah kryetarit të Bashkisë z. Erion Veliaj dhe do të bëj të pamundurën që të jap gjithë mundësitë e mia në shërbim të qytetarëve. Duke u nisur nga akuzat e dëshpëruara të LSI për blerjen e votës sime dhe duke qenë se unë zgjedh progresin dhe jo regresin, zgjedh zhvillimin dhe jo prapambetjen, zgjedh shëndetin dhe jo sëmundjen, e shoh se nuk mund të jem më pjesë e formatit politik të LSI. Që nga ky moment, vota ime do të jetë pjesë e grupit politik të Partisë Socialiste.
Loja Kryemadhi-Veliaj
LSI e kishte fare të lehtë, që ta ndalonte idenë korruptive të Veliajt për të rënduar dhe më tej xhepat e qytetarëve, por nuk e bëri, duke provuar se është ende pjesë e tepsisë. Këshilli Bashkiak përbëhet nga 61 anëtarë, nga ku PS ka vetëm 25 prej tyre. Pa 13 votat e LSI-së kuorumi ishte i pamundur të arrihej dhe për vendime të rëndësishme duhet pjesëmarrja e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Këshillit Bashkiak, pra duheshin së paku 31 këshilltarë. PS nuk mund ta arrinte këtë shifër as me 3 votat e PDIU dhe as me një votë të FRD, e cila e çonte gjithsej në 29 këshilltarë kuorumin e përgjithshëm, por e kaloi me dy votat e partisë së Metës. LSI një ditë para se të votonte në Këshillin Bashkiak, kërkoi një seancë dëgjimore me Erion Veliajn, një veprim krejtësisht që më shumë se të bërit opozitë i dha mundësi Veliajt që të bënte propagandën e tij.
Çfarë fshihet pas rritjes së çmimit
Ndërkohë, nga rritja e çmimit të ujit preken rreth 707 mijë banorë të Tiranës së madhe. Fatura pas hyrjes në fuqi pritet t’u dyfishohet fatura e ujit. Dyshimet janë se dhe ky sektor do të jepet me koncesion dhe Veliaj priti përfundimin e zgjedhjeve që të rriste tarifat. Më qesharake në pretendimet e Veliajt ishte fakti se kjo rritje kërkohej për të kryer investime në rrjet. Në fakt s’është aspak kështu. Dhe me 45 lekë për metër kub, ujësjellësi ka një fitim neto prej rreth 30 lekësh (shifra mendohet të jetë më e madhe, pasi me shumicë uji ka një çmim prej 12 lekësh). Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit ose 2,5 miliardë lekë. Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë eurosh, çka do të thotë që ky sektor është i paaftë të mbledhë më shumë se 25% të pagesave që duhet të bëjne konsumatorët. Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do të mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do të duhej të mblidhte UKT, por që do të dalë nga xhepat e qytetarëve. Në fakt shuma është e përafërt se këtu nuk llogariten bizneset që kanë një tarifë tre herë më të lartë. Shkurt një biznes që do e kishin zili dhe kompanitë e mëdha që operojnë në bursë.
Pakti PS-LSI në dëm të qytetarëve
Miratimi i rritjes së çmimit të ujit të pijshëm dhe dhënies me koncesion të ndërtimit të shkollave në Tiranë, të mërkurën në Këshillin Bashkiak, në kundërshtim me ligjin dhe interesin e qytetarëve, nuk është i pari vendim që është marrë si pasojë e një bashkëpunimi PS-LSI.
Në dhjetor 2015, kur kryebashkiaku Veliaj kishte vetëm pak muaj në pushtet, propozoi projektvendimin e parë që shkaktoi reagim masiv të qytetarëve: rritja e çmimit të biletës së urbanit nga 30 në 40 lekë. Pavarësisht protestave të qytetarëve dhe kundërshtimit të këshilltarëve të PD-së, rritja e çmimit u miratua në fund të një seance të gjatë debatesh, me votat e këshilltarëve të PS e LSI.
Në po të njëjtën mbledhje, po me votat e PS e LSI e kundërshtimet e opozitës, u miratua dhe paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2016, ku ndër të tjera përfshihej dhe rritja e taksave për bizneset që përdornin hapësira publike. E miratuar pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, kjo paketë fiskale u ndryshua pak muaj më vonë, pas protestave të sipërmarrësve të vegjël që prekeshin nga rritja e taksave.
Një vit më vonë, në ditët e fundit të 2016-ës, Këshilli Bashkiak, sërish vetëm me votat e PS e LSI, miratuan planin urbanistik të Tiranës në shkelje të plotë të procedurave dhe në mungesë të transparencës.
Në tetor 2016, pas debateve të shumta në Këshill, këshilltarët e djathtë u larguan, ndërsa PS e LSI votoi së bashku dhënien e 22 mijë metrave për një afat përdorimi 25-vjeçar shoqërisë Eco Tirana – shoqëri aksionere që menaxhon mbledhjen e plehrave në Tiranë, – kontratë nga e cila Bashkia Tiranë nuk do të marrë asnjë përfitim.
Më pas në qershor 2017, sërish në bashkëpunim me këshilltarët e LSI, kryebashkiaku Veliaj miratoi kalimin e vendimmarrjes nga Këshilli Bashkiak tek kryetari i Bashkisë për kompaninë Eco Tirana, vendim ky që i lejon kryebashkiakut Veliaj të marrë çdo vendim mbi Eco Tirana- përfshi aktivitetin, shpenzimet dhe investimet e kompanisë- pa patur nevojë të konsultohet apo të bëjë transparencë përpara Këshillit Bashkiak. Ky vendim madje lejon zotin Veliaj të vendosë vetë për ndërtimin e inceneratorëve për djegien e mbetjeve, aktivitet i parashikuar në statutin e Eco Tiranës.
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, drejtues të lartë të LSI deklaruan se ata do të jenë përkrah popullit, në opozitë, madje u shprehën se do të bënin opozitën e vërtetë që prej kaq vitesh i kishte munguar vendit.
Por pavarësisht se për mbledhjen e djeshme, kryetarja e re e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se LSI është distancuar nga dy këshilltarët Genta Mezini dhe Agim Kraja, dy kandidatët që bënë të mundur arritjen e shumicës prej 31 votash, duket se LSI do të jetë edhe në vitet në vazhdim, një patericë në shërbim të kryebashkiakut Veliaj, e cila do të lejojë që prej saj “të rrjedhin” fiks aq vota sa nevojiten për të miratuar çdo propozim të Veliajt.