Pas 8 vitesh në pushtet, Vasili e ka marrë me shumë qejf. Ai thotë se tani do të jenë opozita e vërtetë e shqiptarëve dhe sipas tij nuk ka asnjë opozitë tjetër. Ajo çfarë harron Vasili është se që të jesh opozitë e vërtetë nuk mund të jesh me njërën dorë në pushtet dhe tjetrën në opozitë. LSI vazhdon të jetë në tepsinë e Ramës në pushtetin lokal, ndërsa Vasili duhet të qëndrojë në këtë dyzim të forcës së tij politike.
LSI deklaroi zyrtarisht daljen e saj në opozitë. Kreu i kësaj force politike, Petrit Vasili, në një konferencë për median tha se LSI do të jetë një opozitë e vërtetë “jo e blerë dhe e kapur” dhe jo opozitë e Sali Rexhepit.
Vasili falënderoi mbi 230 mijë votues shqiptarë që i kanë dhënë votën LSI. Duke i cilësuar këto zgjedhje si më të shëmtuarat të mbajtura ndonjëherë, Vasili iu rikthye akuzave ndaj policisë, e cila sipas tij u bë njësh me krimin dhe drogën.
“Votuan për t’i ngarkuar asaj një mision historik që ka të bëjë me bërjen më në fund të Shqipërisë me një opozitë të vërtetë në këtë vend. Kjo nevojë historike rrjedh nga një shkak madhor, zgjedhjet e 25 qershorit për shkak të strategjisë së terrorit, lëshimit të miliona parave të pista, të bërjes njësh të Policisë së Shtetit dhe bashkëvepruese në këtë strategji terrori. 230 mijë votat ishin goditja më e rëndë që mund t’i jepej kësaj strategjie. Për herë të parë pas katër vitesh do të kenë më së fundi zërin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Një zë, i cili do të denoncojë qartë dhe në mënyrë të hekurt të gjithë strategjinë jo vetëm të terrorit të këtyre zgjedhjeve, strategji e cila është e dokumentuar gjerësisht me mijëra dokumente, fakte, filmime etj., të cilat do të bëhen të ditura anembanë botës, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por misioni ynë themelor është brenda Shqipërisë. Së dyti, zëri i kësaj opozite të re do të jetë zëri që do të zhbëjë dhe zhveshë moralisht para gjithë popullit shqiptar strategjinë e drogës në këtë vend dhe parave të fëlliqura që rrjedhin prej saj, të një vendi që do të çlirohet nga kthimi i tij në një gropë plehrash, një vendi që kërkon përfundimisht të çlirohet nga vjedhja qindra milionëshe e koncesioneve, vendi që do të çlirohet nga dhuna e taksidarëve dhe një shteti që u pi gjakun atyre. Tërë këto misione të mëdha që ishin pa zot deri më sot pasi opozita ishte si ajo e Sali Rexhepit në vitin ’96 ku kishte një deputet të vetëm.
Tani do të ketë një opozitë të vërtetë, një opozitë jo të kapur, jo të blerë dhe një opozitë që ka vetëm një mision: Të jetë zëri i qytetarëve. Ata duhet të çlirohen nga nacionaliteti i bandave socialiste të rilindjes që përmes strategjisë së terrorit realizuan dhe zgjedhjet e fundit. Këto zgjedhje kanë qenë më të shëmtuarat, i kemi dokumentuar dhe do i dokumentojmë. Shqiptarët duan opozitë të vërtetë dhe votuan opozitë të vërtetë. Ne nuk do i ndahemi 24 orë këtij misioni dhe për të demaskuar gjithçka të papastër, të shëmtuar. Në Shqipëri gjërat nuk do të mbulohen më, nuk do të ketë më kompromise as të natës dhe as të ditës.
“Vendi nuk ka pasur opozitë, strategjia kriminale e implementuar në zgjedhjet e 25 qershorit ka ndodhur në dëm të LSI-së si objektiv taktik të tyre dhe në dëm të vendit duke i hapur rrugën kriminelëve dhe atyre që trafikojnë drogë”, tha më tej Vasili.