LSI: Rama të zgjidhë kërkesat, në të kundërt të dorëhiqet

LSI akuzoi Kryeministrin Edi Rama se nuk ka mbajtur premtimet për shëndetësinë. Deputetja Nora Malaj përmes një deklarate për mediat i bëri thirrje kryeministrit dhe ministres së Shëndetësisë që të zgjidhin sa më parë problemet që kanë ngritur mjekët.
“Nëse nuk mund të mbani premtimet që keni bërë, atëherë minimalisht jepni dorëheqjen, pasi vetëm kështu historia nuk do ju gjykojë. Kini vëmendjen, pasi kur një mjek flet situata duhet marrë me përgjegjshmëri”, tha Malaj.
Sipas saj, kur mjekët e QSUT ngrenë shqetësime të tilla që çojnë deri në dorëheqje, atëherë nuk është e vështirë të kuptohet situata ku ndodhet sistemi shëndetësor shqiptar në qytete të tjera. Deputetja e LSI tha se buxheti i 2018 kaloi dhe shëndetësia jo vetëm nuk është falas, por ajo është në ditën e saj më të keqe.
“Një pjesë e mjekëve të QSUT kërkojnë rishikimin e pozicionit, pasi kushtet ku punojnë janë të pamenaxhueshme dhe të pamotivuara. Mjekët ngrenë shqetësime për kushte skandaloze, për mungesë vendesh në pavione etj., janë shumë të drejta”, tha Malaj, e cila në emër të LSI shprehu mbështetjen ndaj bluzave të bardha.

Vasili: Shëndetësia në ditët më të këqia

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili përmes një mesazhi në “Facebook” akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar për shëndetësinë falas. Vasili kërkoi dorëheqjen e Ramës, ndërsa shtoi se shëndetësia jo vetëm që nuk është falas, por në ditët e saj me të këqia. Kujtojmë se dhanë dorëheqje të gjithë mjekët e Urgjencës në QSUT, të cilët morën këtë vendim për shkak të kushteve të këqija në punë.
«Shëndetësia falas, mashtrimi kriminal i kryeministrit mashtrues”.
Mashtrimi më i pacipë që shqiptarëve ju është bërë ndonjëherë është shëndetësia falas, që premtoi me zhurmë të madhe ky kryeministër.
Me padijen e tmerrshme, tashmë të njohur të tij, kryeministri nuk la budallallëk pa thënë për shëndetësinë, pasi dihet që kupton “shumë” nga mjekësia.
Buxheti për 2018 kaloi dhe shëndetësia dhe nuk është jo falas, por është në ditët e saj më të këqia.
Kryeministri gënjeu rëndë qindra mijëra shqiptarë.
Duhet të iki ai sa më parë.
Shëndeti i njerëzve nuk kurohet me mashtrime, por me modesti dhe kokëulje dhe kur nuk kurohet shëndeti ky është KRIM.
Në premtimin e PS-së që u fiksua edhe në programin e qeverisë 2013-2017 deklarohet reformë radikale. “Ne do të ofrojmë një mbulim universal për kujdesin shëndetësor për gjithë shqiptarët rezidentë, ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor, sepse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare. Kujdesi shëndetësor do të financohet nga taksimi i përgjithshëm”, shkruhet në këtë program”.

 

Exit mobile version