LSI: Vendi po përjeton një regjim diktatorial

Përparim Spahiu, deputet i LSI-së, në studion e Syri.net, e cilësoi si një situatë kaotike dhe të paqartë atë të krijuar pas mënyrës sesi u zgjodh Kryeprokurorja e Përkohshme. “Një prokurore e përgjithshme pa kaluar vetingun, apo prokurorë që s’kanë kaluar vetingun, po tregohen aq të zellshëm, sa druaj se po e çojnë Reformën në Drejtësi drejt dështimit. Është e frikshme, po ndjejmë një situatë diktature, është e pafalshme që çdo kallzim penal që mund të bëjë një ministër çon prapa hekurave cilindo”, tha Spahiu.
Sipas tij, përballë një situate të tillë duhet të ketë një reagim më të fortë dhe duhet të jemi më të qartë përballë kësaj qeverie. “Jemi në proçes diskutimi me partitë e opozitës mbi hapat që do të hedhim, por mendoj se opozita duhet të ketë një reagim më të shpejtë dhe të qartë.

Duhet një sinkronizim i të gjitha protestave, ka një pakënaqësi të madhe të qytetarëve, ndoshta duhet organizuar një protestë më masive se ajo e 27 janarit”, tha Spahiu. Ai akuzoi Ramën për shpërdorim masiv fondesh për fasadat, regres në ekonomi, po krijon një dinasti, ndaj të cilës duhet reaguar.
I pyetur në lidhje me bashkëpunimin mes LSI dhe PD, Spahiu tha se nuk ka një marrëveshje politike, por jemi në një front opozitar kundër kësaj të keqeje që është qeveria Rama. “Nëse zgjedhjet bëhen sot PS nuk merr asnjë bashki dhe këtë e mbështes në pakënaqësitë popullore. PS i fitoi zgjedhjet në 2013 me LSI, po kështu edhe ato të 2015-ës. Në 2017, PS nuk fitoi zgjedhje, i mbushi kutitë dhe grabiti votat”, tha Spahiu.

Artikulli paraprakEuro, tjetër rënie të fortë në tregun vendas
Artikulli tjetërAlibeaj: Ekspertët konstitucionalistë, analizë mbi zgjedhjen e Arta Markut