Lubonja: Kjo bandë kriminale duhet hequr qafe

Analisti Fatos Lubonja deklaroi mbrëmë se ka ardhur koha që kjo bandë në pushtet duhet hequr qafe. “Është një bandë kriminale që duhet hequr qafe”, tha Lubonja. Analisti i njohur tha se në qeveri ka një luftë mes bandash, duke i quajtur kështu të tre partitë e koalicionit qeverisës, PS, LSI dhe PDIU.
“Ka luftë bandash në qeveri. Në fund mafiozët gjejnë gjuhën e përbashkët për ndarjen e pjesëve dhe llokmave. Ky nuk është realitet pesimist, ky është realiteti. Banda e madhe kërcënon bandën më të vogël, ndërsa tani kanë marrë edhe bandën e PDIU”, tha Lubonja.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “Neës 24” ai komentoi zhvillimet politike të vitit që po lëmë pas, se çfarë ndryshimesh ka sjellë 2016-ta në jetën e shqiptarëve dhe çfarë parashikon ai se do të ndryshojë në vitin e ri 2017-të.
Por ndërsa 2016-ën e cilëson si vit të zhgënjimit total, Lubonja thotë se 2017-ta do të jetë edhe më i zymtë, ndërsa nuk ngurron ta quajë vit të kaosit të madh.
Sipas tij, shqiptarët janë varfëruar gjatë 2016-ës dhe duan të braktisin vendin në masë, ndërsa reformat e qeverisë siç shton ai, nuk kanë pasur ndonjë efekt në jetët e tyre.
“Reforma në drejtësi është një reformë në letër, të tilla kemi bërë që nga ‘91 dhe nuk i kemi zbatuar. Problemi ynë më i madh nuk kanë qenë ligjet, por mënyra si i zbatojmë këto ligje. Nuk duhet një reformë në letër, por një reformë se si të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit”, tha ai.
Sipas tij, e keqja më e madhe e shqiptarëve është klasa politike që kemi. “Kemi një klasë politike, rilindësit e famshëm që nuk mendojnë gjë tjetër vetëm si t’ua hedhin këtyre njerëzve. Natë e ditë këta mendojnë si të mashtrojnë”.
Marrëdhënien mes dy aleatëve që qeverisin, Ramës e Metës, Lubonja e sheh si një marrëdhënie mes bandash, madje sipas tij, “Rama ka futur edhe bandën e Idrizit në funksionim, rivale për të dobësuar Metën. Këta nuk po përmirësojnë njëri-tjetrin, LSI tenton të duket më normale, por ka interesat e veta”, thotë ai.
Situatën e zymtë politike, Lubonja e përcjell përmes fjalëve: “po kush ta heqë?
Pikërisht zhgënjimi që ka nga politika e bën të mendojë që edhe 2017-ta nuk do të jetë më e mirë. “Nuk mendoj që ka gjasa të jetë më e mirë. Kam frikë se 2017-ta do të jetë viti i kaosit total, është një klasë politike e çmendur, merimanga e droguar e kam quajtur duke u nisur nga projektet që kanë prezantuar. Rritje taksash këtej, rritje andej dhe se ku i hedhin këto para që vjelin askush s’e di. Pra, taksa kthehet mbrapsht në formë investimi, por këtu unë shoh një situatë të errët shprese, shoh dëshpërim total dhe rrezikun e një kaosi total”, thotë ai.
Lubonja ka vlerësuar edhe mesazhet e dhëna nga kleri katolik dhe ortodoks në prag të Krishtlindjeve. “Kleri dha mesazhe ku katolikët nuk pranuan politikanët të bëjnë vizita tek ata, kurse ortodoksët folën për arrogancën dhe varfërimin”.
Lubonja u shpreh se situata në vend është e vështirë pasi “Ka një varfërimi të shtesës së mesme. Njerëzit nuk kanë asnjë shpesë, ndaj dhe kanë gjetur dhe po gjejnë si zgjidhje vetëm largimin nga Shqipëria”, tha Lubonja.
Duke iu referuar reformës në drejtësi, Lubonja tha se ajo është një përpjekje e Ramës për të kapur drejtësinë. Ai kujtoi se punimet në Sheshin Skënderbej po bëhen pa leje dhe megjithatë askush nuk vepron.
Për Lubonjën Rama kërkon kapjen e drejtësisë dhe zëvendësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me njerëz të tij. “Në sheshin qendror bëhet një ndërtim pa leje, ndërsa qytetarët futen në burg për një shtesë ballkoni. Ligji nëpërkëmbet nga pushteti. Mos mendoni se pas Vettingut do të ketë ndonjë prokuror që do të veprojë në Sheshin Skënderbej. Këta rilindasit mendojnë se vetëm si t’i mashtrojnë njerëzit që të marrin pushtetin dhe të bëjnë atë që duan”, tha Lubonja.
Ai ka kritikuar mënyrën se si tentohet të kalohet plani i ri urbanistik në prag të festave për t’iu fshehur opinionit.
“Pse u zgjodh data 27 dhe 28 dhjetor për planin urbanistik? Sepse mendojnë se nuk ka vëmendje, janë mendje djallëzore dhe mashtrues të rëndomtë. Kanë rikthyer planin francez me kulla shumëkatëshe. A keni dëgjuar të jetë bërë ndonjë debat publik për planin urbanistik?”, tha Lubonja.

Enton DACI

Exit mobile version