Lubonja: Populli i zhgënjyer, ata që kërkojnë largimin e Berishës, impotentë politikë

Analaisti i njohur, Fatos Lubonja shprehet se, ata që kërkojnë largimin e Berishës janë impotentë politikë. Lubonja tha se, Rama do një opozitë fasadë në shërbim të fasadës që ai ka ndërtuar, siç ndërtoi dhe qeverinë me 12 gra, që ishte dhe ajo një fasadë, për t’u dukur sikur Shqipëria po përparon, po ecën përpara drejt Europës nën udhëheqjen e lavdishme.

Rama atë që e quan bashkëpunim, nuk e quan dialog, por e quan ‘vihuni në shërbimin tim, përndryshe jeni armiqtë e mi, armiqtë e SHBA, armiqtë e Europës, jeni keqja, ndërkohë që unë jam e mira’.

Ndërkohë që bashkëpunim në kuptimin e forcave të ndryshme që përfaqësojnë interesa të ndryshme, do të thotë dialog dhe kompromis për të arritur interesa ku bashkohen interesat e grupeve të ndryshme. Rama nuk do atë lloj bashkëpunimi, ai do një opozitë fasadë në shërbim të fasadës që ai ka ndërtuar, siç ndërtoi dhe qeverinë me 12 gra, që ishte dhe ajo një fasadë, për t’u dukur sikur Shqipëria po përparon, po ecën përpara drejt Europës nën udhëheqjen e lavdishme. Ndërkohë që unë jam nga ata që mendon se Shqipëria është në ditët e saj më të zeza, si kohë, si periudhë shumë e frikshme dhe e rëndë për sa i përket të jetuarit me dinjitet, me nder dhe i lirë në atë vend, edhe me një gjendje ekonomike që të krijosh një lloj mirëqenie dhe pavarësi. Se mund të ketë mirëqenie pa pavarësi se janë dhe shumë të pasur, por të lidhur me krimin e një shtet të korruptuar”, tha analisti i njohur.

I pyetur nëse ky mandat i tretë i socialistëve do të sjellë mirëqenie apo rritje të ekonomisë, ai përdori termin turbonarkapitalizëm, teksa tha se krimi mbjell krimin.

“Unë siç e kam thënë herë tjetër, jam i teorisë që ne jemi futur në një rrugë të krimit, të bashkëpunimit me krimin për të mbijetuar. Kur flas për bashkëpunim me krimin për të mbijetuar që ka qenë gjithmonë në Shqipëri kam parasysh mbajtjen e shtetit nëpërmjet parave të krimit të organizuar, të parave të trafikut të drogës, të cilat po riciklohen. Kjo lloj ekonomie ka kapur politikën. Politika jeton nëpërmjet kësaj ekonomie, shpërndan dhe ndonjë lek, por që në fund fare është shkatërrim jo vetëm i territorit, por edhe i njeriut dhe shoqërisë dhe këto politika sjellin atë atë politikën, krimi mbjell krimin.

Përderisa jemi futur në këtë rrugë, të ardhmen e shoh si krimi mbjell krimin. Për të mbuluar krimet që kemi mbjellë duhet të bëjmë krime të tjera, bashkëpunim me krimin, sepse nuk kemi ndërtuar alternativë ndaj kësaj. Do të vazhdohet të shkatërrohet ekologjikisht Shqipëria, territori do përdoret si gurore, bukuritë natyrore do grabiten, nga mafia që do t’i blejë, për të zhvilluar gjoja turizëm, ndoshta dhe ndonjë operacion tjetër të neoliberalizmit. Nuk shikoj mirë, shikoj injorancë. Një termë që mund të përdoret është turbokapitalizëm, ky që bëhet, bëhet dhe në Europë dhe në botë. Këtu mund të quhet turbonarkokapitalizëm ky i joni, kështu e shikoj”, tha Lubonja.

Lidhur me rolin e PD dhe LSI, ai u shpreh se opozita është goditur, madje është kastruar.

“E shoh si një opozitë që është goditur. Kam përdorur dhe termin kastrim, e ka bërë impotente, një proces që është bërë shkallë-shkallë, por sidomos dhe në mënyrë dramatike tani. Eksponentë të opozitës thonë duhet të ikë Berisha, jo se i ka bërë 1,2,3 Shqipërisë e shqiptarëve, por se do Amerika. Kjo është një lloj impotence. Shoh një popull të deluzionuar, e ka humbur shpresën. Keni parë ju ndonjë zgjidhje”, tha ai.

Lubonja komentoi dhe zhvillimet në Mal të Zi, ku dy ditë me radhë pati protesta pas shugurimit të kreut të kishës serbe në të këtë vend dhe ku u fol për një dorë të Rusisë.

“Nuk duhet parë vetëm çfarë po ndodh në Mal të Zi, por çfarë po ndodh në botë. Ngjarjet në Afganistan i dhanë një goditje të rëndësishme autoritetit të Perëndimit, NATO-s SHBA. Jemi larg tani në vitin 2021 nga 1991, kur Perëndimi konsiderohej si bota triumfuese, si pikë referimi. Pas 31 vjetësh ka shumë zhgënjime nga popujt, të cilat kanë ardhur për arsye të ndryshme. E shikoj në këtë kontekst që humbja e autoritetet të Perëndimit, që vetë ka shumë probleme ka ngjallur ambiciet e vendeve të tjera që kanë filluar të bëhen protagoniste, Rusia që në vitet ’90 ishte e mbaruar, Kina, Serbia.

Ajo që ne kemi idealizuar që e ka marrë në dorë Europa, NATO, më duket se është tronditur shumë dhe shqiptarët asnjëherë nuk kanë punuar për të qenë sa më sovranë, sa më autonomë në vendin e tyre”, tha Lubonja.

Artikulli paraprakRritja e çmimeve të shportës, reagon PD: Qeveria ndan tortën e buxhetit me gostinë e oligarkëve dhe nuk rrit pagat
Artikulli tjetërI vihet zjarri kodrave me ullinj në Poliçan