Lubonja: Rama synon të zhdukë pluralizmin dhe të sundojë me oligarkët dhe krimin

Fatos LUBONJA

Sigurisht, që edhe të jesh pjesë (kuptimi i fjalës parti), edhe ta konsiderosh veten të tërë, është kontradiktore. Por, Kryeministri ynë e ka gjetur si ta kapërcejë këtë kontradiktë: duke e konsideruar gjithçka tjetër që ekziston jashtë pjesës së tij si gjë të sëmurë, që duhet pastruar në emër të së shëndoshës; si gjë të gabuar, që duhet ndrequr në emër të së drejtës; si gjë të gënjeshtërt, që duhet demaskuar në emër të së vërtetës.

Kush e ka ndjekur fjalimin e Edi Ramës më 18 maj 2019, dëgjoi se në 30 qershor, “makina e pamposhtur elektorale” e pjesës së shëndoshë, që zotëron të drejtën dhe të vërtetën, do të kryejë pastrimin final të pjesës së sëmurë, të padrejtë, gënjeshtare. Më 30 qershor do të mbarojë historia e kësaj opozite destabilizuese dhe e komentatorëve që kanë “benzinë në vend të gjakut”, “shishe në vend të kokës” dhe “fitila” në vend të gjuhës – ishte kuptimi i asaj që tha pjesëza në krye të pjesës/Partia Socialiste.

Megjithatë, javën që pasoi, e pamë gati ditë përditë t’i shkruante letra të hapura kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, ku e ftonte për dialog, ku madje pranonte se mund të ketë edhe “të tjerë”. Si mund t’i integrojmë në fjalimin programatik e 18 majit këto letra?

Ka vetëm një mënyrë: duke kuptuar se me dialog Edi Rama nuk ka parasysh dy palë që ulen në tryezë si të barabarta përballë njëra- tjetrës, por bisedën e ujkut me “delen” “rrugëhumbur” (siç e ka quajtur shpesh popullin opozitar dhe vetë Bashën) që do ta bindë se, në rrugëhumbjen e saj, ia ka turbulluar ujin, prandaj duhet ta hajë.
***
Shikimin e opozitës si diçka që duhet pastruar a ngrënë ne shpesh ia kemi veshur faktit se në krye të maxhorancave tona kanë qenë bijtë e Enverit, që për 45 vjet na edukoi ta konsiderojmë pjesën në pushtet si të tërën që pastron, mban kokulur apo riedukon mbeturinat e armiqve të klasës.

Nuk ka dyshim se forma mentis e farkuar nga përvoja 45-vjeçare e partisë- shtet ndikon në paaftësinë tonë për të bërë dialog. Nuk ka dyshim, po ashtu, se shqiptarët e shumtë me çrregullime narciziste të personalitetit, si Kryeministri ynë, nuk mund të bëjnë dot dialog, pasi çdo mendim kundër, e konsiderojnë si sulm ndaj unit të tyre glorioz.

Por a mjafton kaq për të shpjeguar faktin se pjesët/ partitë tona nuk po bëjnë dot dialog, por vetëm konflikt dhe gëlltitje, edhe pas 30 vjetësh rënie të komunizmit? Gjykoj se përveç këtyre shkaqeve të rëndësishme, ka edhe një shkak që s’ka të bëjë as me të kaluarën komuniste dhe as me psikologjinë tonë mbizotëruese individuale apo kolektive, por me llojin e sistemit kapitalist që kemi ngritur. Madje, mendoj se nëse duam që vërtet të kemi dialog politik, duhet të nisemi nga korrigjimi i këtij shkaku.

Le ta shpjegoj çfarë kam parasysh, duke u nisur nga premisa e parë e domosdoshme e dialogut: barazia në dinjitet, në të drejta, në inteligjencën e palëve që dialogojnë. Është e qartë se pa këto barazi, nuk mund të ketë dialog. E, pra, gjykoj se mungesa e kësaj premise nuk mund të shihet jashtë natyrës së turbokapitalizmit globalist neoliberist që kemi imituar në mënyrën më karikatureske pas rënies së komunizmit.

Ky kapitalizëm ndryshon nga ai demokratik perëndimor, i zhvilluar para viteve ’90, në faktin se në këtë ekzistonin dy klasa që kishin koshiencën e tyre klasore, fuqinë dhe pushtetin e tyre, sistemin e tyre të vlerave: borgjezia dhe proletariati. Këto ishin fortësisht të organizuara e përfaqësuara në parti politike në sindikata, media, art, kulturë etj.

Shumë nga arritjet sociale demokratike që ka njohur Perëndimi në ato vite, i dedikohen pikërisht dialogut dhe kompromiseve të arritura nga këta dy përfaqësime.

Sot, në Perëndim, flitet gjithnjë e më shumë për bjerrjen e përditshme të këtyre arritjeve në favor të turbokapitalizmit neoliberist të ndërtuar këta 30 vjet që konsiderohet “postborgjez” dhe “postproletar”. E cilësojnë kështu duke iu referuar faktit se ai e ka atomizur njeriun, nëpërmjet një procesi çrrënjosjeje jo vetëm nga përkatësia klasore, por edhe kulturore, komunitare, madje deri edhe familjare, duke e kthyer në mall si të gjithë mallrat e tregut që shiten e blihen (alienimi) e duke e bërë gjithnjë e më të pafuqishme për të ndryshuar kondicionin e vet.

Vështirë të thuash me siguri nëse kjo ka qenë një strategji e mirëmenduar e kapitalit apo pasojë e euforisë superficiale të fitimtarëve të Luftës së Ftohtë, por fakti është se globalizimi neoliberist ka rezultuar në pasurimin e një pakice të përbërë nga banka e multinacionale multimiliardere, që sundojnë përballë shumicës së atomizuar e të çrrënjosur.

Si rrjedhojë e këtij atomizmi, dallimi horizontal e djathtë- e majtë, që në kapitalizmin borgjez- proletar favorizonte dialogun demokratik, është zëvendësuar me dallimin vertikal lart- poshtë, që favorizon sundimin postdemokratik, ku është ekonomia e interesave të pakicës që dikton mbi politikën, duke i kthyer politikanët në menaxherë të interesave saj.

Po ta shohësh thellë- thellë, kapitalizmi ynë “kaotik” dhe i qeverisur nga “gangsterët”, nuk është e kundërta e asaj që shohim në botë, por shfaqja më e shëmtuar e këtij sistemi. Ne jemi më radikalët në Europë në polarizimin midis gangsterëve të pasur që kanë kapur shtetin lart dhe atomizimin e atyre që qëndrojnë poshtë. Mjaft të kesh parasysh oligarkinë e rrethuar në roling-hillse në një anë dhe emigrimin masiv që vazhdon edhe pas tridhjetë vitesh të shpërhapë shqiptarët e çrrënjosur në të gjitha anët e botës globale, në anën tjetër.

Nëse në fillimvitet ’90, ky atomizim e kishte burimin në kolektivizimin e dhunshëm që kishte shtypur çdo ndjenjë individualiteti dhe lirie, sot e ka burimin e vet te vizioni global neoliberal konsumistik i botës, që gjithnjë e më shumë e kthen njeriun thjesht në mall tregu në duart e pakicës që kontrollon atë. Kampionia e neoliberizmit, Margaret Thatcher, shoshte se detyra kryesore e neoliberalëve ishte të krijonin një njeri të ri.

Shqiptarët u treguan më të gatshmit për t’u shndërruar në këtë lloj njeriu dhe kanë mbetur të tillë ende edhe sot. Në variantin më të keq të shqiptarit, ky lloj njeriu e ka manifestimin e vet te trafikanti i drogës që sillet si atom i lirë nga çdo detyrim shoqëror apo komunitar, krejtësisht i akulturuar, pa ndjenjë përkatësie as në shoqëri, as në atdhe, as në çfarëdolloj grupimi, pa u merakosur aspak se u shpërndan helmin vrastar të tjerëve.

Sivëlla i tij është politikani, që nuk e sheh politikën si shërbim ndaj komunitetit, shoqërisë, kombit, por si bashkëpunim në pastrimin e parave të të parit dhe si allishverish korruptiv me çdolloj “investitori”, global apo lokal, që e sheh këtë vend thjesht dhe vetëm si mjet përfitimi në kurriz të të tjerëve.

Viktimat më të mëdha të njeriut të katandisur në mall janë mjeranët që ua shesin votën këtyre për 2000 lekë. Kurrsesi nuk do të kishim arritur deri në këtë pikë sikur të gjitha pjesët/partitë tona të krijuara pas viteve ’90 të mos ishin të gjitha neoliberiste globaliste. Është emblematike në këtë kontekst thirrja e Edi Ramës ndaj kapitalistëve globalë italianë, që i ftoi të vinin në Shqipëri të investonin, sepse do të ishin të lirë nga telashet e sindikatave, që nënkuptojnë pikërisht ndërgjegjen klasore të të shfrytëzuarve.

E pra, ajo që dua të them, është se postdemokracia që e përjashton nga vendimmarrja gjithnjë e më shumë demosin (popullin) e atomizuar në favor të oligos (pakicës), e përjashton vetvetiu dialogun pasi këto dy pjesë nuk janë të barabarta. Në Shqipëri, siç e thashë, kjo gjendje është në nivelet e veta më groteske, pasi, paradoksalisht, bash partia e quajtur socialiste është kampionia e shkatërrimit të çdo gjëje që meriton të quhet sociale në emër të pasurimit të pakicës dhe atomizimit e çrrënjosjes së shumicës. Së fundi, me Edi Ramën në krye, ajo po synon të heqë edhe maskën e fundit demokratike, pluralizmin e partive neoliberale, për të sunduar e vetme me oligarkinë dhe krimin rreth vetes.

Në këto kushte thirrja e Edi Ramës për dialog me opozitën nuk mund të jetë tjetër, veçse pazari për t’i dhënë diçka opozitës për të mbuluar kontradiktën themelore që ka krijuar krizën në Shqipëri: atë midis një oligarkie kriminale që ka kapur shtetin dhe pjesës tjetër të katandisur në atome të çrrënjosura, që i merr era dhe i çon nëpër botë përditë.

Opozita bën shumë mirë që proteston dhe bën shumë mirë që refuzon këtë gjoja dialog poshtërues, por ajo duhet të ketë parasysh se vendosja e një dialogu të vërtetë politik do të mund të realizohet vetëm kur pushteti i pakufizuar i oligarkisë të ketë përballë një forcë politike të barabartë në dinjitet dhe në pushtet njerëzish të ndërgjegjësuar për kondicionin e tyre dhe të përfaqësuar nga partitë e tyre.

Exit mobile version