Gianni de Biasi po shijon pushimet e merituara, për të rifituar energjitë për edicionin e kualifikueseve të Botërorit 2018, në kërkim të një tjetër mrekullie. E ndërsa trajneri ka deklaruar gjithmonë se do të vijojë punën e nisur në kombëtaren shqiptare, emri i tij përflitet sërish në Rumani. 60-vjeçari mbetet një prej kandidatëve për të qenë pasardhës i të larguarit, Iordanescu, ashtu si Lars Lagerback apo gjermanët Ralf Rangnick dhe Armin Veh.
Në diskutimin nëse rumunët duhet të marrin apo jo një trajner të huaj u përfshi edhe ish-trajneri i përfaqësueses, Razvan Lucescu. Ai u shpreh pro faktit që federata mund të emërojë një seleksionues të huaj, ndërsa për “DigiSport” lavdëroi edhe punën e De Biasi-t.
Lucescu vlerësoi se italo-shqiptari mori drejtimin e Shqipërisë kur kombëtarja kuqezi ishte në një udhëkryq, pikërisht ashtu si Rumania pas Kampionatit Europian dhe arriti të krijonte një skuadër konkurruese dhe me identitet. Lucescu e krahasoi punën e De Biasit te Shqipëria me atë të Fabio Capello-s te Anglia dhe Alberto Zaccheroni-t te Japonia, duke theksuar se të gjithë kishin sukses në detyrat për të ringritur përfaqësueset në vështirësi prej ndërrimit të brezave.