Autoriteti i Konkurrencës ka grumbulluar fakte se, kompanitë e prodhimit të qumështit, “Erzeni” dhe “Lufra” po abuzojnë me pozitën dominuese, duke fiksuar çmimet. Pasi ka bërë një vëzhgim paraprak mbi tregun, Autoriteti ka vendosur të zhvillojë një hetim të thelluar.
Sipas njoftimit zyrtar gjatë fazës së hetimit paraprak janë analizuar të dhënat për rreth 9 ndërmarrje, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun përkatës për periudhën hetimore dhe ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” zotërojnë rreth 75–80% të pjesës së tregut të shitjes sipas sasisë dhe vlerës së shitur për produktet në tregun përkatës.
Nga analiza e treguesve të përqendrimit HHI, vërehet një përqendrim shumë i lartë i tregut, për të tre produktet e marra në analizë, si pasojë e pjesës së madhe të tregut që zënë dy ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni”.
Ky indeks paraqitet përafërsisht në të njëjtat nivele në të dyja vitet 2014 dhe 2015, i cili tregon që nuk ka pasur ndonjë ndryshim të strukturës së tregut të ndërmarrjeve për këto produkte dhe tregu mbetet i përqendruar.
Si përfundim, nga analizimi i treguesve të përqendrimit, pjesët e tregut të ndërmarrjeve gjatë periudhës nën hetim, si dhe krahasimi i çmimeve të aplikuara nga ndërmarrjet për periudhën hetimore për produktet në tregun përkatës, vërehet se ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” paraqesin dyshime për ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar.
Nga analiza e trendit të çmimit mesatar mujor të shitjes së qumështit të ambalazhuar me shishe plastike 1.4 litra, kosit të ambalazhuar 350/380 gr, kos i ambalazhuar me shishe 0.95/1 litër, për periudhën 2014 – janar 2016, vërehet se ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” aplikojnë çmime të shitjes me shumicë të këtij produkti me ndryshime shumë të vogla nga njëri-tjetri, çmimet e tyre janë më të larta se të konkurrentëve të tjerë më të vegjël të tregut si dhe çmimet e shitjes me pakicë janë të caktuara dhe pa luhatshmëri sezonale gjatë gjithë periudhës objekt hetimi.
Autoriteti i Konkurrencës ka hulumtuar se, nisur nga këto fakte ekzistojnë shenjat se kompanitë “Lufra” dhe “Erzeni” kanë aplikuar një kufizim të mundshëm të konkurrencës, ndaj dhe ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e përpunimit dhe tregtimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij, ndaj ndërmarrjeve në fjalë.
“Dy kompanitë “Lufra” dhe “Erzeni”, të cilat prodhojnë produkte ushqimore me bazë qumështin deklarojnë se, qumështin e sigurojnë dhe e përdorin 100% natyral nga lopët e delet, por këtë nuk e besojnë as vetë lopët, madje as delet! Nuk mund të akuzojmë drejtorin e riskut në AKU, se duke qenë mësues fizkulture nuk ka haber nga punët e kontrollit të qumështit (apo për fakte të tjera që thonë gojët e liga), mbasi siç dihet ai ka në varësi edhe ndonjë specialist të fushës. Problemi qëndron në realitetin, se nuk bëhen kontrolle, ose bëhen kontrolle fiktive me ndonjë “kafe shoqërore në xhep”. Po ndalemi tek një fakt abuzimi, që bëhet nga dy kompanitë “Lufra” e “Erzeni” dhe që lejohet nga kontrollorët e sigurisë ushqimore. Konkretisht, “dybekët” e këtyre dy kompanive, prodhojnë produkte qumështi, duke përdorur një reagent të quajtur “Benzoat”, që nëse hidhet mbi normën e lejuar quhet jo vetëm abuzim në cilësi, por edhe risk me rrezik për jetën e konsumatorit”, shkruan gazeta “Telegraf”.