Lufta brenda llojit, Arta Marku sulmon kandidaten për kreun e SPAK, Elisabeta Imeraj

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, ka shfrytëzuar analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës për të sulmuar drejtuesen e këtij instititucioni, Elisabeta Imeraj, një prej kandidaturave kryesore për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Marku ka kërkuar nga Prokuroria e Tiranës që të mos reagojë me njoftime publike lidhur me deklaratat që vijnë nga politika. “Detyra jonë është hetimi, jo reagimet mediatike, duke dhënë deklarata për çështjet që janë në hetim”, tha Marku.

Deklarata e saj, duket se ka lidhje me reagimin që ka bërë Prokuroria e Tiranës, pak momente pas deklaratës së kreut demokrat, Lulzim Basha, i cili u paraqit në organin e akuzës lidhur me çështjen e lobimeve të PD-së në SHBA.

Një tjetër pikë ku Marku nuk kurseu kritikat ishte ajo për hetimet ndaj pastrimit të parave.
Sipas kryeprokurores së përkohshme, për këtë vepër penale ka një rënie të dukshme të hetimeve, duke e cilësuar një tjetër pikë të dobët në punën e Prokurorisë së Tiranës.
“Kërkoj nga prokurorët të punojnë në mënyrë të pavarur, jashtë ndikimeve. Krijoni praktikat tuaja të punës, në mënyrë që mos kemi dy standarde kur kemi dy raste të ngjashme”, tha Marku.

Sipas saj, ngarkesa e madhe ka ulur ndjeshëm cilësinë dhe efektivitetin në punë.
“Ju nuk jeni përqendruar aq sa duhet në hetimin e çështjeve të rëndësishme dhe mund të thuhet se në pak raste ndonjë prej tyre ka përfunduar me ngritje akuzash apo me dërgim për gjykim.

Janë konstatuar zvarritje të pajustifikuara në hetimin e çështjeve, ka çështje të rëndësishme që rrinë prej vitesh në sirtarët e prokurorisë”, theksoi Marku.

Pavarësisht se Marku evidentoi faktin që prokurorët janë të pavarur dhe përgjegjësia për hetimin është individuale për secilin prej tyre, duket qartë që kritikat ishin drejtuar kundër drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Në fjalën e saj 2-minutëshe, pjesën më të madhe e zuri pikërisht raporti i Prokurorisë së Tiranës me reagimet publike. E, në këtë rast, përgjegjësia që konstatoi Arta Marku është pikërisht e Elisabeta Imerajt, në cilësinë e drejtueses, si edhe në rolin e përfaqësueses së institucionit të Akuzës së Tiranës me të tretët, përfshirë edhe median.

Elisabeta Imeraj, prokurore e Krimeve të Rënda, është komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës në Korrikun e vitit 2018. Imeraj konsiderohet si një prej kandidaturave kryesore për drejtimin e SPAK-ut. Në këtë garë është përfshirë edhe mikesha e Arta Markut, Donika Prela.

Pra, deklaratat e Arta Markut kundër Elisabeta Imerajt duket se fshehin një luftë brenda llojit, ku Kryeprokurorja e Përkohshme po godet ata që rivalizojnë mikeshën e saj, Prela.
Boldnews.al

Exit mobile version