Një prej instrumentave për të penguar Huawei ka qenë sigurisht e drejta ekstraterritoriale e vënë në funksionim në vitin 1977 nga Shtetet e Bashkuara me Foreign Corrupt Practice Act (FCPA). Ai u mundëson autoriteteve amerikane dhe kryesisht Departamentit të Drejtësisë që të ndjekin në nivel global krimet që normalisht, për të qenë të dënueshëm duhet të kryhen nga shtetas amerikanë apo në territorin e Shteteve të Bashkuara. FCPA-ja është zgjeruar me një seri ligjesh për të ndaluar tregtinë me vende të nënshtruara embargos. Megjithatë, sipas këtij koncepti ekstraterritorial, nëqoftëse një transaksion bëhet në dollarë apo përfshin një teknologji amerikane, një liçencë, një mbështetje për telekomunikacionet, një server informatik amerikan, zbatohet ligji amerikan. Për pasojë, çdo fakt i lidhur është i ndëshkueshëm nëqoftëse është gabuar sipas ligjit amerikan dhe kjo pavarësisht nga vendi i ekzekutimit të transaksionit apo nga konteksti politik. Në fakt, Departamenti i Drejtësisë ka resurse të mëdha bilanci dhe një pushtet të jashtëzakonshëm saksionimi me gjobë. Në dritën e asaj që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, janë ngritur disa zëra për të pohuar se Shtetet e Bashkuara e përdorin sistemin e tyre ligjor dhe gjyqësor për të praktikuar një lloj nacionalizmi dhe/ose proteksionizmi ekonomik me miratimin e heshtur të Cato Institute dhe të Heritage Foundation.
Sipas Bloomberg, Apple nuk do të ishte në gjendje të hidhte në treg një celular kompatibël me teknologjinë 5G përpara vitit 2020, duke ia lënë fushën hapur konkurrencës, ndërsa Huawei njofton se do të jetë i pari që do ta përdorë 5G më 2019. Veç kësaj, sipas disa financierëve, teknologjia 5G duket se është posti i vërtetë i lojës në rastin e Meng Wanzhou. Argumenti i 5G është vërtet shumë i ndjeshëm si ekonomikisht, ashtu edhe teknologjikisht, pasi do të shumëfishojë rreziqet kibernetike. Me detyrimin për kompanitë kineze që të marrin pjesë në përpjekjet e inteligjencës të vendit, të lidhura me të kaluarën e ish inxhinierit të ushtrisë kineze, bëhet e vështirë që të besohet në qëllimin e mirë të Huaëei. Pikërisht për këtë, disa prej agjencive kryesore të inteligjencës kanë realizuar një monitorim të kujdesshëm të aktiviteteve të Huawei.
Fives Eyes është një organizatë koordinimi e 5 agjencive shtetërore të inteligjencës: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re. I krijuar në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore, qëllimi kryesor i kësaj organizate gjatë Luftës së Ftohtë qe ai i krijimit të një fronti kompakt dhe kohez inteligjence kundër bllokut komunist lindor. Ky entitet është ende aktiv.
Arrestimi i Meng Wanzhou ishte parashikuar për korrikun e 2018, periudhë gjatë se cilës përfaqësuesit e organizatave të inteligjencës të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re qenë mbledhur në Canberra. Veç kësaj, Gina Haspel, Drejtore e CIA-s, e ka shpjeguar dhe e ka udhëhequr fushatën kundër Kinës nga brenda Five Eyes. Kështu, nuk është rastësi që pajisjet Huawei janë ndaluar edhe nga aleatë të tjerë strategjikë. Në fakt, objektivi i tyre mbetet jo vetëm ai i ruajtjes së vendeve të tyre nga spiunazhi eventual kinez, por edhe ai i frenimit të rritjes së Huawei.
Në fakt, në Britaninë e Madhe, më 5 dhjetor British Telecom (BT), operatori britanik i telekomunikacioneve, njofton se tërheq të gjitha pajisjet Huawei në zemrën e rrjeteve të tij 3G e 4G dhe nënvizon se nuk do t’i blejë për rrjetin 5G. Ky vendim është zyrtarisht i justifikuar nga dëshira e standardizimit të infrastrukturës së tij Telco. Të njëjtën javë, kreu i inteligjencës britanike njofton është e nevojshme mbajtja e një debati lidhur me varësinë e vendit nga teknologjitë 5G ndaj Kinës.
Në Shtetet e Bashkuara, pasi ia kanë kufizuar tregun kompanisë Huawei në janar të 2018 për motive afërsie me shërbimet kineze të inteligjencës, qeveria u ka kërkuar edhe operatorëve të telekomunikacionit që të përjashtojnë Huaëei nga territori amerikan në raport me 5G. Qysh në vitin 2007, Shtetet e Bashkuara ju kundërvunë blerjes së prodhuesit të pajisjeve të rrjetit 3Com nga ana e Huawei dhe BainCapital për arsye të sigurisë kombëtare. Në Zelandë të Re dhe Australi, Huawei është përjashtuar nga tregu i telekomunikacioneve për teknologjinë 5G (Japonia ka ndjekur të njëjtin model). Për sa i përket Kanadasë, që ndodhet në qendër të konflikteve gjyqësore lidhur me rastin Meng Wanzhou, Ali Ghorbani, Drejtor i Canadian Cyber Security Institute, ka pohuar se ndoshta do të ishte një vendim i urtë ai i mospërdorimit të teknologjisë Huawei për rrjetet tona.
Në nivel të Bashkimit Europian, nuk është marrë asnjë vendim lidhur me eliminimin e Huawei, edhe pse disa preokupime janë shprehur nga ana e Andrus Ansip, Zëvendëspresident i Komisionit Europian, për sa i përket tregut unik dixhital. Çdo shtet i Bashkimit Europian është lënë i lirë që të marrë një vendim në këtë aspekt dhe, brenda shteteve europiane, duket se ky vendim do t’u lihet operatorëve të mëdhenj të telekomunikacioneve.
Në Francë, pozicioni i marrë nga shteti ka qenë më pak kategorik sesi ai i Shteteve të Bashkuara dhe Huawei mbetet një operator me rëndësi të madhe për vendin. Në fakt, grupi kinez është i pranishëm prej 18 vitesh dhe sapo ka hapur qendrën e tij të pestë të kërkimit dhe zhvillimit në Grenoble. Megjithatë, qeveria franceze është shumë vigjilente përballë këtij qëndrimi agresiv dhe sidomos lidhur me temën e 5G, përdorimi efektiv i të cilës nuk do të bëhej përpara 2025. Ky mbetet një argument shumë delikat që ndikon mbi sigurinë kombëtare. Megjithatë, për të kundërshtuar survejimin diskret të Huawei, kryhet një kundërsurvejim në mënyrë konfidenciale me dispozitivin Cerbère nga viti 2015, por është intensifikuar më 2018 nën egjidën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Elizeut në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave dhe me 6 ministri të tjera. Prandaj, midis negociatash dhe survejimesh diskrete, qeveria ka përcaktuar zonat në të cilat Huawei mund të lëvizë dhe në të cilat jo. Kështu që nuk ka asnjë kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj Huawei, por më shumë një vullnet për të ndërhyrë në mënyrë selective dhe kapilare. Në Gjermani, qeveria refuzon që t’u cedojë presioneve amerikane, por operatori Deutsche Telecom merr një pozicion të ngjashëm me atë francez dhe nuk ka ndërmend që t’ia besojë Huawei rrjetin e tij të 5G për motive sigurie.
Duke u kthyer në vendimet e marra nga Shtetet e Bashkuara, amerikanët po e bllokojnë Huawei ekskluzivisht për proteksionizmin e telekomunikacioneve dhe të ekonomisë së tregut të të dhënave, proteksionizëm që është manifestuar prej shumë vitesh. Sigurisht me arsye duke parë që Huawei më 2018 do të tejkalojë 100 miliard dollarë të ardhura dhe kompania kineze parashikon që do të arrijë në 150 miliard për 2020. Nga ana tjetër, duke filluar qysh nga 2018, Shtetet e Bashkuara vendosën që të ndërmarrin një luftë informacioni për të fituar luftën ekonomike me Kinën. Pikënisja e kësaj beteje informative me sa duket ka lidhje me faktin që Kina ka shkelur embargo ekonomike e vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit.
Nga ana tjetër, Kina synon të kundërshtojë hegjemoninë amerikane edhe në zonat kyçe e strategjike dhe infrastruktura e telekomunikacioneve është njëra prej tyre. Karshi një vendi të dehur me liberalizëm dhe që sheh vetëm kapitalizmin si model ekonomik, modeli Huawei përfaqëson një rrezik: është në pronësi të punonjësve të tij dhe nuk i drejtohet kapitalit të jashtëm për financimin e tij. Është ngushtësisht i lidhur me Partinë Komuniste Kineze. Me paqen e mirë të teoricienëve të liberizmit, ka arritur në mënyrë të mahnitshme të pushtojë tregun botëror dhe të bëhet një actor kyç në fushën e telekomunikacioneve deri në pikën sa të kërcënojë Apple. Në këtë pikë, ia vlen që të ngrihet pikëpyetja nëse përshpejtimi gjyqësor i dëshiruar nga Shtetet e Bashkuara është apo jo i lidhur edhe me nevojën për të ruajtur interesat e kompanisë kryesore të tyre Apple.
(nga Geopoliticus)
Përgatiti
ARMIN TIRANA