Lufta e vaksinave, gjenden 29 milionë doza AstraZeneca të fshehura në Itali

29 milion doza të vaksinës Astrazeneca u gjenden të fshehura në Itali, njoftoi të mërkurën, gazeta italiane La Stampa. Sasia e vaksinave është pothuajse sa dyfishi i atyre të dorëzuara në 27 vendet e BE-së deri më tani.

Ato u gjendën të fshehura në strukturën italiane të kompanisë Catalent, për paketimin dhe prodhimin e produkteve farmaceutike dhe gjenetike. Struktura ndodhet në qytetin Anagni, në afërsi të Romës.

Mendohet se dozat ishin të destinuara për Mbretërinë e Bashkuar dhe jo për vendet evropiane. Sasia e vaksinave u zbulua pas sinjalizimit të autoriteteve italiane nga Komisioni Evropian.

La Stampa shkruan se vaksinat “u zbuluan falë vizitës së komisionerit Thierry Breton në njësinë e prodhimit të vaksinave në Leiden, në Hollandë, të menaxhuar nga kompania Halix”. Kjo kompania ka fituar nga kompania AstraZeneca të drejtën e prodhimit të vaksinave brenda BE-së, por ajo ende nuk është licensuar nga BE.

Mendohet se Britania e Madhe e ka përdorur këtë problem dhe ka marrë doza të AstraZenecës të prodhura nga kjo njësi prodhuese, për të përfunduar vaksinimin e plotë të popullsisë së rritur. Kapaciteti prodhues i njësisë është rreth 5-6 milionë doza.

Tani, Komisioni Evropian dyshon se AstraZeneca po favorizon Mbretërinë e Bashkuar në kurriz të vendeve të BE-së. Brukseli dyshon se kompania ka ngadalësuar me dashje shpërndarjen e vaksinave për BE-në.

Artikulli paraprakPD hap nesër fushatën për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit
Artikulli tjetërNuk ndryshojnë masat e kufizimit të levizjeve nga virusi