Lufta ekonomike bëhet në kohë paqeje

Intervistë me Giuseppe Gagliano, President i Qendrës Studimore Carlo De Cristoforis (CESTUDEC), autor veprash të shumta të përqëndruara mbii parimet e luftës ekonomike dhe ekspert i gjeoekonomisë.

-Çfarë është lufta ekonomike?
Siç kam pasur mundësi ta ilustroj gjatë këtyre pothuajse 6 viteve nëpërmjet botimeve të mia, lufta ekonomike nuk është një luftë ku paraja, nervi i çdo konflikti, është vënë në shërbim të përpjekjes luftarake pa qenë pjesë drejtpërsëdrejti. Christian Harbulot shpjegon se lufta ekonomike nuk është një luftë në kuptimin klasik; një shprehje e tillë shërben për të përfaqësuar në formë ekstreme raportet joushtarake të forcës. Nëse objektivi i tyre është identik, domethënë rritja e pasurisë dhe e fuqisë së një vendit, atëhere metodat e përdorura janë absolutisht të ndryshme. Edhe rezultatet mund të divergjojnë, pasi lufta shumë shpesh çon në një rezultat të ndryshëm nga ai pritur prej fituesit. Franca e 1918 dhe Mbretëria e Bashkuar e 1945 janë shembuj të shkëlqyer. Mund të duket paradoksale, por lufta ekonomike bëhet në kohë paqeje! Vetëm kur ajo rezulton joefikase, atëhere topat mund të nisin e të qëllojnë. Një përkufizim tjetër i mundshëm është ai që e kualifikon luftën ekonomike si konkurrencë midis shteteve kombëtare për kontrollin e resurseve të rralla, të nevojshme për ekonominë e tyre. Një vizion i tillë nuk e kundërshton atë të Harbulot; përkundrazi, në një farë kuptimi i është komplementar. I pari e vë theksin mbi objektivat afatshkurtër, i dyti mbi ato afatgjata. Ama janë të nevojshme saktësime të mëtejshme.

-Kush janë aktorët kryesorë në lojë?
Lufta ekonomike është një fakt midis shteteve kombëtare. Bizneset luajnë një rol të rëndësishëm, por të dorës së dytë, në nënshtruar. Nganjëherë refuzojnë që të përfshihen, herë të tjera sillen në mënyrë kundërprodhuese: delokalizojnë, transferojnë kompetenca teknologjike jashtë vendit, bile atje transferojnë deri selitë e tyre ligjore. Nga ana tjetër, shumica e bizneseve mbështetet tek shteti, me qëllim që t’i ndihmojë të mbrohen nga konkurrenca e pandershme, nga spiunazhi ekonomik dhe nga çdo manovër jokrrekte e konkurrentëve tregëtarë të huaj. Teoritë mund të na mësojnë se shteti nuk duhet të përzihet në jetët e biznesit, por këto të fundit japin prova pragmatizmi, duke ju drejtuar shtetit që të kenë mbrojtje. Pastaj shfaqet një element i dytë: nocioni i luftës ekonomike presupozon që shtetet kombëtare ta ruajnë centralitetin e tyre. Bëhet fjalë për një debat shumë të gjatë sa për t’u rihapur këtu. Në sytë e disave, globalizimi thyen kufijtë dhe redukton rëndësinë e sferës kombëtare, ama nga tjetër i detyron shtetet që të ndërhyjnë fuqimisht, për të luftuar kundër efekteve perverse të tij – si rritja e pabarazisë – apo për të mbrojtur ekonominë kombëtare të ekspozuar ndaj konkurrencës ndërkombëtare.

-Ku bëhet kjo luftë?
Mund të pohohet me siguri se llogoret dhe frontet janë të ravijëzuar me më pak qartësi sesa në luftën e kryer nëpërmjet betejave fushore. Kështu që është më e dobishme të krahasohet lufta ekonomike me gueriljen, në të cilën operacionet mbesin diskrete, sulmet masive të rralla dhe armët e parapëlqyera janë ato të manipulimit e të demoralizimit të kundërshtarit. Secilit prej resurseve të rralla, të cilët i cekëm më lart, i korrespondon një fushë beteje: lëndë të para, teknologji, kapitale, tru, tregje janë objekt i një konkurrence të ashpër.

-Cili është roli i inteligjencës?
Të lidhur ngushtësisht në konceptin e luftës ekonomike gjejmë atë të inteligjencës ekonomike. Me të nënkuptohet ajo tërësi aktivitetesh grumbullimi dhe transformimi i të dhënave, survejimi të konkurrencës, mbrojtjje të informacioneve strategjike, kapitalizimi të dijeve me qëllim që të kontrollohet e influencohet mjedisi ekonomik global. Kështu që është një instrument force në dispozicion të një shteti. Së fundi, qendror për të kuptuar plotësisht gjerësinë dhe thellësinë e konceptit të luftës ekonomike, është mjaft i rëndësishëm koncepti i “luftës konjitive” pjesërisht i ngjashëm me atë amerikan të information dominance. Shprehja e përdorur në kontekstin strategjik francez është ajo e luftës konjitive, e përkufizuar si aftësia për të përdorur dijen për qëllim konfliktual. Në mënyrë të veçantë, shkolla franceze e luftës ekonomike njeh tek kjo luftë një përplasje midis kapaciteteve të ndryshme për të siguruar, prodhuar dhe/ose penguar dije të caktuara, sipas raporteve të funcës të dalluara nga binomi “i forti kundër të dobëtit” ose, në mënyrë inverse, nga ai “i dobëti kundër të fortit”.

-Çfarë e dallon paradigmën e École de guerre économique (Ege)?
Një koncept i rëndësishëm në brendësi të refleksionit francez i lidhur me shkollën e luftës ekonimoke (po i lejoj vetes që të përmend librin tim “Gjeoekonomia në mendimin strategjik bashkëkohor francez, 2014) është sigurisht ai i forcës që rifiton të gjithë centralitetin e saj. Nëqoftëse marrim në konsideratë sesi aftësia për t’ua imponuar vullnetin tënd të tjerëve apo aftësinë për të mos lënë të imponohet vullneti i të tjerëve, atëhere rezulton e vështirë t’i mohohet centraliteti për të kuptuar siç duhet dinamikën konfliktuale të botës së sotme. Të kihet parasysh roli që Putini u atribuon resurseve të vendit të tij si instrument ofensiv force. Nga ana tjetër, në botën aktuale – si pjesa tjetër në atë të kaluarën – ekzistojnë vende që kanë një strategji të rritjes së forcës dhe ato të privuar nga një strategji e tillë rritjeje. Ja pse refleksioni francez – në mënyrë të veçantë ai i Christian Harbulot, Pichot-Duclos, Philippe Baumard, Eric Delbeque, Nicolas Moinet dhe Pascal Lorot – e vë theksin mbi konceptin e “patriotizmit ekonomik” që përkufizon aspektin e zhvillimit të një vendi përpara mundësive dhe kërcënimeve të dinamikave të reja të forcës që burojnë nga globalizimi i shkëmbimeve.

-Lufta ekonomike vendoset në fushën e gjeoekonomisë?
Nga një pikëpamje pastërtisht metodologjike, nuk ka kurrfarë dyshimi që refleksioni mbi luftën ekonomike të futet me titull të plotë në fushën e gjeoekonomisë. Nga ana tjetër, vetë Harbulot ka nënvizuar shumë herë centralitetin e refleksioneve të Luttëak e të Esambert. Tek “The Endagered American Dream” i vitit 1993, Luttëak pohon në terma të ngjashëm me ato të Esambert se kapitalet e investuara nga shteti janë ekuivalenti i grykës së zjarrit, subvencionet ndaj zhvillimit të produkteve i korrespondojnë progreseve të ushtrisë, penetrimi i tregjeve me ndihmën shtetërore zevendëson influencën diplomatuke apo bazat e garnizonet ushtarake e dislokuara jashtë vendit. Më saktësisht, gjeoekonomia përfaqëson analizën e strategjive me natyrë ekonomike – në mënyrë te veçantë tregëtare – e vendosura nga shtetet në kuadër të politikave që synojnë të mbrojnë ekonominë e tyre kombëtare, në sigurimin e dominimit të teknologjive kyçe apo në fitimin e disa segmenteve të tregut botëror lidhur me prodhimin apo me tregëtimin e një produkti, pasi posedimi apo kontrolli i tyre i jep bartësit një element force dhe prestigji ndërkombëtar, duke konkurruar në forcimin e potencialit të tij ekonomik. Në dritën e këtyre refleksioneve, është e qartë se radha e leximit e përpunuar gjatë më shumë se një dekade nga shkolla e luftës ekonomike (aludoj për konceptet e luftës ekonomike, inteligjencës ekonomike, luftës konjitive dhe patriotizmit ekonomik) kontribuon duke e rinovuar thellësisht refleksionin gjeoekonomik dhe, për pasojë, atë gjeopolitik.
(nga Reset)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakE frikshme/ Miell për kafshët nga Serbia për prodhim buke, bllokohen 55 ton
Artikulli tjetërPanucci zbulon listën e Kombëtares për Ligën e Kombeve…