Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK dhe GJKKO. Basha e ka quajtur sjelljen e Ramës si autokratikë dhe anti-shtetërore, duke theksuar se sulmet ndaj prokurorëve dhe gjykatësve janë një përpjekje për të penguar drejtësinë.
Basha thekson se Rama, si nxënës i mirë i Berishës që është, po përdor administratën dhe grupin parlamentar për të sulmuar drejtësinë, duke u përpijekur të mbrojë abuzimet e tij dhe të të tjerëve në pushtet. Ai e cilëson këtë sjellje si të papranueshme dhe i bëri thirrje qytetarëve të mbështesin SPAK për të garantuar një të ardhme të drejtë dhe pa pandëshkueshmëri.
“Shqipëria meriton më shumë!”, theksoi Basha në reagimin e tij.
Reagimi i plotë i Bashës:
Sa më e ashpër lufta kundër korrupsionit, aq më shumë zgjerohet fronti anti-SPAK.
Ndërkohë që qytetarët ndodheshin në vendet e punës, apo dilnin në kërkim të një pune për të siguruar jetesën e familjeve të tyre, Edi Rama nisi ditën e “punës” si kryeministër me sulme ndaj prokurorëve dhe gjykatësve.
Si nxënësi më i mirë i Berishës, përdori administratën për të rrethuar gjykatën, ndërsa grupin e tij parlamentar si një batalion kundër drejtësisë, e cila ka nisur të dëshmojë përmes veprimeve serioze dhe kurajoze, se askush nuk mund të jetë më mbi ligjin.
Shantazhet mafioze ndaj SPAK, kërcënimet me fondet, gjyqi ndaj gjyqit që i takon vetëm drejtësisë, janë dëshmi të një sjellje autokratike anti-shtetërore, të papranueshme.
Edhe tani, që abuzimet e tij dhe të përzgjedhurve të tij kanë dalë sheshit, në vend që të mbajë përgjegjësi, kërkon prova, a thua të jetë gjykatës e jo politikan.
Përballë këtij revashi kundër drejtësisë, detyra e çdo qytetari të ndershëm është të ndëshkojë me votë këtë që përpiqet ta pengojë fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta, e të qëndrojë në mbështetje të SPAK, si investimi më i madh i shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, e për të siguruar një të ardhme më të mirë për çdo familje.
Shqipëria meriton më shumë!