Nëse Sali Berisha vjen në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një ndër zotimet që bëri publike këtë të hënë është shkrirja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), institucion i krijuar 5 vite më parë në kuadër të reformës në drejtësi për të hetuar zyrtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
“Një institucion që është jashtë çdo kontrolli është institucion për t’u shuar me çdo kusht”, deklaroi ish-kryeministri nga dyert e SPAK. “Ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit. Që në momentin që kontrollon telefonat e gjykatësve specialë ke krijuar atë drejtësi që as Enveri dhe Hitleri s’e kanë pasur”, theksoi më tej kreu i PD-së.
Lideri i opozitës, që bashkë me deputetët e tij dhe maxhorancën socialiste, votoi reformën, nisi sulmin ndaj SPAK në momentin kur u vu nën hetim për të ashtuquajturën dosja “Partizani”, ku akuzohet tashmë zyrtarisht për favorizim të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, në privatizimin e ish-klubit sportiv. Përgjatë dy viteve, Berisha e ka cilësuar Prokurorinë e Posaçme një organizatë kriminale dhe prokurorët e saj “si të lidhur me krimin”.
Ilir Meta nuk ka kursyer akuzat ndaj SPAK e kreut të saj, Altin Dumani. Sot, zotimit të Sali Berishës iu bashkua dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi. “Nëse e them tani se duhet shkrirë SPAK, do thonë se e bëj për problemet e mia. Por çdo instrument ligjor, për të cilin kemi votuar me synimin për një drejtësi të barabartë, kur kthehet në një vegël shantazhi dhe linçimi, e ka humbur misionin e tij”, deklaroi Kryemadhi. Sipas saj, SPAK nuk është krijuar për të bërë luftë politike.
Ndërsa eksponentët kryesorë të opozitës prej dy vitesh përplasen ashpër me strukturën antikorrupsion, Edi Rama duket se po synonte nën rrogoz të vinte nën kontroll SPAK përmes komisionit Xhafaj. Kjo tentativë dështoi, pasi optika amerikane në këtë drejtim ndryshoi tërësisht, çka paralizoi punën e komisionit anti-SPAK. Me arrestimin së fundmi të Erion Veliajt, edhe maxhoranca socialiste nisi sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme. Kryebashkiaku filloi sulm të paprecedentë ndaj prokurorit Ols Dado, duke e cilësuar si “pervers”, “lunatik”, “përndjekës” e “prokuror i dalë nga komunizmi”. Edi Rama nuk hezitoi të fliste për një sistem drejtësie “të dalë nga shinat” dhe “gjyqtarë kamikazë që spiunojnë te Sali Berisha”. Ai foli për një kontratë të Erion Veliajt me qytetarët që u ndërpre nga SPAK e paralajmëroi se në mandatin e tij të katërt do të bëjë të mundur një sistem drejtësie “të drejtë”.
Në këtë situatë të tensionuar dhe trazuar politike përpara zgjedhjeve parlamentare, në kohën kur SPAK pritet të vijojë goditjet në nivele të larta, vetë Prokuroria e Posaçme vijon të renditet si institucioni me mbështetjen më të madhe nga publiku. Ndërsa Edi Rama, vetëm një javë më parë, përpiqej të merrte sa më shumë nga “lavdia” e SPAK, tashmë duket se ai vetë është rreshtuar në një llogore me Berishën. Në mos për ta shkrirë, për ta vënë nën kontroll SPAK-un.
Dinamika e zhvillimeve të fundit nuk e ka zbehur dëshirën, vullnetin dhe përpjekjet e politikës për ta konsideruar SPAK herë si “gogol” e herë si strukturë që po ndërhyn në zgjedhje. Ajo që mbetet për t’u parë është vijimi i punës së strukturës së posaçme, që me gjasë do të jetë “fituesja” jo e zgjedhjeve parlamentare, por e përballjes politikë-drejtësi./vna.al