Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, është shprehur se Turqia është e gatshme të veprojë si garantues në mënyrë që të ndihmojë në zgjidhjen e luftës Izrael-Hamas.
Sipas mediave të huaja, komentet Erdogan i bëri gjatë një komunikimi me presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi.
Sipas zyrës së Erdogan, dy presidentët u takuan në margjinat e një samiti të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik në kryeqytetin e Uzbekistanit Tashkent.
Udhëheqësi turk ka qëndruar me vendosmëri kundër Izraelit gjatë gjithë këtij konflikti, duke e etiketuar atë si pushtues dhe duke thënë se Hamasi nuk është një organizatë terroriste.
Irani nga ana tjetër është mbështetësi më i madh i grupit militant Hamas, që ka ofruar armë dhe trajnim për luftëtarët e tij në vitet e mëparshme.
Megjithatë, nuk ka pasur asnjë të dhënë ndërkombëtare se Teherani ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit.