Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se nëse Donald Trump tërheq mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, Evropa e vetme nuk do të jetë në gjendje të përmbushë nevojat.
Deklarata e tij vjen në prag të udhëtimit të tij diplomatik më të rëndësishëm që nga pushtimi i plotë i Rusisë tre vjet më parë, në Mynih.
“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garanci sigurie pa amerikanët, dhe unë them gjithmonë jo,” tha presidenti ukrainas gjatë një interviste për “The Guardian” në Kiev. “Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci reale të sigurisë”, shtoi ai.
Zelensky tha se ishte gati për të negociuar, por donte që Ukraina ta bënte këtë nga një aleat dhe tha se do t’u ofronte kompanive amerikane kontrata fitimprurëse rindërtimi dhe koncesione investimesh.
“Ata që po na ndihmojnë për të shpëtuar Ukrainën do të kenë mundësinë ta rinovojnë atë, me bizneset e tyre së bashku me bizneset ukrainase. Për të gjitha këto ne jemi të gatshëm t’i flasim në detaje”, tha ai.
Zelensky do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë kësaj javr, ku ai pret të takojë zëvendëspresidentin e SHBA, JD Vance.
Në konferencën e vitit të kaluar, Vance, asokohe senator, refuzoi të takonte Zelenskyn dhe ai më parë ka thënë se nuk i intereson vërtet se çfarë ndodh me Ukrainën.
Zelensky gjithashtu u shpreh se po planifikon të takojë anëtarë të tjerë të ekipit të Trump, si dhe senatorë me ndikim në Mynih, por “ende nuk ka një datë për ta takuar vetë Trumpin,” tha ai.
“Ne shpresojmë që ekipet tona të caktojnë një datë dhe një plan takimesh në SHBA, sapo të merret vesh ne jemi gati, unë jam gati”, tha ai.