Lufta për drogën, tjetër viktimë në Gramsh, policia fsheh motivet

Bilancit të viktimave për shkak të konflikteve të parcelave të drogës i shtohet edhe vrasja e një 29-vjeçari dje në Gramsh.
Ai u godit tre herë me thikë në një lokal pas një grindjeje për parcelat me drogë. Bëhet e ditur se, Ardian Mesiti, 29 vjeç vdiq menjëherë pas goditjes pak metra larg një lokali, ku sapo kishin qëndruar bashkë me vrasësin. Vrasja e Mesitit vjen në një kohë kur ende nuk është mbushur një javë nga vrasja e një tjetër të riu në Dukagjin, të shtunën e kaluar për të njëjtin motiv, atë të kontrollit të parcelave të drogës.
Policia e Gramshit ka dhënë detajet e para rreth vrasjes që ndodhi dje në mëngjes, duke u përpjekur që të fshehë motivet e vërteta të vrasjes, e duke servirur atë si një vrasje për motive të dobëta. “Pas njoftimit të marrë se në rrugën automobilistike të fshatit Llallë Gramsh, është gjetur një person i vrarë me mjete të mprehta. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe kanë konstatuar se viktima i përket shtetasit AM. 29 vjeç, banues në fshatin Shemrize Gramsh. Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një çiklomotor, një aparat celular që dyshohet se i përkasin viktimës, një xhup i zi dhe një aparat celular që dyshohet se i përkasin autorit të dyshuar për këtë ngjarje.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, specialistët për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Gramsh, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Arlind Llala, 25 vjeç, banues në fshatin Llallë Gramsh. Arrestimi i tij, u bë pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën automobilistike të fshatit Llallë Gramsh dyshohet të ketë goditur me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin AM. 29 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndaj tij, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta””, thuhet në njoftimin e policisë.

PD: Shqiptarët të bashkohen, të shpëtojnë vendin nga ky rrënim

Partia Demokratike reagoi ashpër dje në lidhje me vrasjen e ndodhur në Gramsh si dhe reagimin e policisë, e cila u përpoq të fshehë motivet e vërteta të vrasjes. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Gerti Bogdani tha se, pasurimi i kartelit të Ramës përmes drogës po rrënon shoqërinë dhe po thellon njëkohësisht varfërinë.
“Vrasja në Gramsh që ka motiv parcelat me kanabis, është tregues i qartë i thellimit të varfërisë, rritjes së konflikteve, dhunës dhe vrasjes dhe i shtetit që jo vetëm bën sehir ndaj drogës, por bëhet instrument mbështetës; shembull i qartë i të cilës është ministri Tahiri sot, që i fsheh motivet e vrasjes në Gramsh.
Është e qartë që miliona euro që nxjerr ky biznes kriminal shkojnë në pak duar, pasurojnë vetëm kartelin e Edi Ramës, që përdoren më pas për të blerë dhe votën, për të ruajtur pushtetin e krimit, ndërkohë që vazhdon të thellojë varfërinë e shqiptarëve.
Kryeministri i vendit, në vend që të luftojë kanabisin dhe trafikantët e tij, tallet, siç bëri mbrëmë në studion e emisionit “Studio e Hapur”, në “News24”, duke konfiskuar një degë kanabisi” u shpreh Bodgani.
Deputeti demokrat theksoi se: “Kryeministri i vendit, tallet, ndërkohë që kjo është realisht drama më e madhe që po kalon vendi.
Dramë që dje gjeti rrugën dhe tregoi degën e hashashit në studion televizive, pasi ky biznes kriminal ka mbuluar vendin.
Dramë që sot shënon viktimën e radhës në Gramsh, sepse është e qartë, droga pasuron një grusht të vogël kriminelësh dhe pushtetarësh, ndërkohë që vret dhe që varfëron qytetarët dhe shkatërron shoqërinë.
Është koha që shqiptarët të bashkohen e ta shpëtojnë vendin nga ky rrënim. Shqipëria nuk meriton drogë, nuk meriton të sundohet nga karteli i Edi Ramës”, tha Bogdani.

Vrasjet për konflikte droge

Fuqizimi i bandave të drogës ka konsoliduar pushtetin e tyre, duke i shndërruar në kartele të mirëfillta droge e duke rritur edhe rivalitetin mes tyre. Ashtu si kartelet në Kolumbi apo Meksikë, edhe në Shqipëri, trafiku i drogës po shndërrohet në industri dhe fenomeni i kartelit po sjell në mënyrë të shpeshtë përplasje e përleshje të dhunshme midis bandave deri në vrasje. Vetëm muajt e fundit, numërohen rreth 5 vrasje me armë zjarri për shkak të konflikteve me trafikun e drogës. Konflikt për parcelat e drogës, konflikt për kontrollin e territorit për kultivimin apo edhe për shpërndarjen e drogës, konflikt për uljen e çmimit etj., janë bërë shkak i këtyre vrasjeve. Viktimat janë kryesisht të rinj, të cilët janë të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës e që përdoren nga “kokat” e mëdha të kartelit për të përfunduar punët e pazaret e narkotrafikut.
Këto përplasje të frikshme po shndërrohen në një fenomen. Të njëjtat skema ashtu si në kartelet famëkeqe të drogës në Kolumbi, ku çdokush që shihet si rival e që kërcënon terrenin e drogës, i zihet pritë dhe ekzekutohet.
Dy vrasje kanë ndodhur këtë muaj, qartësisht për shkak të parcelave me drogë. Elidjan Pashaj nga Mallakastra u vra në Këlcyrë nga një trafikant që kishte zaptuar tokat atje të mbjella me kanabis.
Policia deklaroi se 28-vjeçari Pashaj nga Mallakastra u vra në Këlcyrë për shkak të një sherri me krushq të tij për shkak të kullotave. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe. I detyruar nga varfëria, nga mjerimi, nga papunësia e krijuar nga kjo qeveri, ishte i detyruar të punonte në një parcelë droge në Këlcyrë. Aty ra viktimë e një trafikanti të njohur, i cili shkonte nga Durrësi në Këlcyrë dhe mbillte rrënjët e kanabisit, nën bekimin e shefave të policisë.
Altin Llani nga Fieri u vra në Tepelenë, pikërisht për tokat e mbjella me kanabis. Shumë përplasje e sulme me armë që po ndodhin pothuajse çdo ditë në vend, në fshatra e qytete, kanë si motiv pikërisht zonat e influencës dhe pazaret e drogës. Edhe lufta me armë në mes të Shkodrës në mesin e muajit gusht ndodhi për shkak të drogës. Ndërkohë të shtunën e kaluar, një tjetër i ri u vra në Dukagjin në një përplasje me armë për plantacionet e drogës.

Artikulli paraprakDegradon “Vettingu”, qeveria merr kontrollin mbi drejtësinë
Artikulli tjetërShakaxhinjtë e “Përparimit”