Lufta për Trepçën, EULEX-i në Kosovë mban anën e serbëve

“Ligji për Trepçën nuk mund të kontestohet për nga kushtetueshmëria nga një gjyqtar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka deklaruar Besnik Berisha, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Berisha ka thënë se i vetmi institucion kompetent për interpretimin e përshtatshmërisë së një ligji apo akti nënligjor është Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ligji për Trepçën është në përshtatshmëri të plotë kushtetuese dhe i njëjti nuk cenon asnjë të drejtë siç pretendohet në këtë komunikatë”, ka deklaruar Berisha.
Dhoma e Posaçme, ka shtuar ai, nuk ka autoritetin për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe i nënshtrohet interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Prandaj pretendimi i një gjyqtari apo kushdo qofshin ata, mund të jetë një opinion personal që mund të shkaktojë një konfuzion, por asesi nuk mund të ndryshojë statusin e ligjit për Trepçën”, ka thënë Berisha.
Reagimi i tij ka pasuar një komunikatë të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ku thuhet se një gjyqtar i Supremes nga EULEX-i konstaton se ligji për Trepçën është antikushtetues.
Sipas këtij njoftimi thuhej se, deri te ky konstatim ai ka ardhur duke u mbështetur në arsyet, të cilat bazohen në të drejtat themelore që e garantojnë pronën.
“Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, ka arsyetuar ai konstatimin e dhënë.
Së dyti, sipas tij, “pas shpalljes, ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi dhe se ai i nxjerrë asetet e vlefshme nga Ndërmarrja Shoqërore, Trepça dhe i bart ato pa kurrfarë kompensimi te një shoqëri e sapokrijuar aksionere, nga të cilat 80 për qind e aksioneve janë në pronësi të shtetit, 20 për qind në pronësi private”.
Krejt në fund, ky gjykatës i EULEX-it thotë se shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privatë pa ndonjë arsyetim.
“Për këtë arsye, gjykata ka lëshuar një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese (neni 113.8 i Kushtetutës), e cila ka fuqinë ekskluzive të shfuqizojë ligjet”, vjen në përfundim ky gjykatës i EULEX-it.
Ligji për Trepçën është kontestuar edhe nga Lista Serbe, por Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar këtë ligj si Kushtetues.
Pas atij aktvendimi, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nënshkruar atë, kurse me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare konsiderohet se ka hyrë në fuqi.

Gjyqtari i EULEX nuk njeh ligjin për Trepçën

Një gjyqtar i vetëm i Kolegjit të Shkallës së Parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i, thotë se ligji për Trepçën është antikushtetues.
Ai ka arritur në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye të ndryshme, që të dyja të bazuara në të drejta themelore që e garantojnë pronën (neni 46 i Kushtetutës). “Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, thuhet në arsyetimin e tij, raporton Gazeta “Express”.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pas shpalljes, ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi.
Mirëpo, një gjyqtar i vetëm i Kolegjit të Shkallës së Parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i, thotë se ligji për Trepçën është antikushtetues.
“Pas shpalljes, Ligji Nr. 05/L -120 për Trepçën ka hyrë në fuqi. Ligji i nxjerr asetet e vlefshme nga NSH Trepça dhe i bart ato pa kurrfarë kompensimi te një shoqëri e sapokrijuar aksionere, nga të cilat 80% e aksioneve janë në pronësi të shtetit, 20% në pronësi private. Aksionerët i marrin aksionet falas. Shoqëria aksionere as nuk i merr përsipër obligimet që i ngarkohen NSH-së Trepça e as nuk garanton për to”, thuhet në njoftimin e DHPGJS-së.
Më tej Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ka bërë të ditur se Trepça do të vazhdojë të përballet akoma me borxhin e saj.
“Në formën e mbetur, NSH-së Trepça i hiqen asetet e saj pak para se të skadojë moratoriumi dhe kreditorët do të mund të tentojnë likuidimin që të realizojnë paditë e tyre. Por NSH-ja do të vazhdojë të përballet akoma me tërë borxhin e saj”, thuhet më tej në njoftim.
DHPGJS-ja tutje ka treguar se paditësi në rastin C-II-14-0114 pranë DHPGJS-së, ka një padi kundër NSH-së Trepça.
“Ligji e zvogëlon vlerën e padisë së paditësit në zero pa e kompensuar atë. Një gjyqtar i vetëm i Kolegjit të Shkallës së Parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i, arrin në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye të ndryshme, që të dyja të bazuara në të drejtave themelore që e garantojnë pronën (neni 46 i Kushtetutës): Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se “vlera e padisë së tij ndaj Trepçës është reduktuar në zero, pasi Trepça ka mbetur pa burime, si dhe e mbingarkuar me borxhe. Së dyti, shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privatë pa ndonjë arsyetim. Për këtë arsye, gjykata ka lëshuar një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese (neni 113.8 i Kushtetutës), e cila ka fuqinë ekskluzive të shfuqizojë ligjet”.

Exit mobile version