Lufta politika e Navalnyt kundër Putinit/ Nga organizator i protestave masive deri në helmimin e tij me një agjent nervor! Si iu “nxi” jeta opozitarit rus, deri në vdekje

Lideri opozitar rus Alexei Navalny, një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus Vladimir Putinit ka ndërruar sot jetë në burg.

Lajmin e kanë konfirmaur autoritetet e burgut ku ai po vuante dënimin, më pas edhe mediat ruse.

Më 14 shkurt, autoritetet kishin njoftuar se Navalny ishte dërguar në izolim për të 27-herë që kur ishte burgosur tri vjet më parë.

Alexej Navalny ka qenë i dënuar me burg për shkak të aktiviteteve opozitare dhe kundërshtimit të politikës së Putinit.

Para disa vitesh ai është helmuar në rrethana të paqarta dhe ishte në rrezik për jetën. Me avion ai u dërgua në Gjermani ku mjekët i shpëtuan jetën, por Navalny nuk ka dashur të fshihet dhe të jetojë jashtë vendit.

Pas shërimit ka vendosur të kthehet në Rusi dhe atje të vazhdojë luftën politike kundër regjimit të Putinit.

Autoritetet e sigurisë e kanë arrestuar menjëherë në aeroport dhe e dërguan në burg, nga ku humbi edhe jetën.

Historia e Navalnyt

4 Qershor 1976 – Navalny lindi në një pjesë perëndimore të rajonit të Moskës.

Viti 1997 – Diplomoi në degën e drejtësisë në Universitetin RUDN të Rusisë. Më 2001, arrin të marrë diplomë në ekonomi përderisa punonte si jurist.

Viti 2004 – Formoi një lëvizje kundër mbizhvillimit të shfrenuar në Moskë, sipas ueb faqes së fushatës së tij.

Viti 2008 – Fitoi reputacion të keq për akuzat për korrupsion në korporatat shtetërore, brenda gjigantit rus të gazit, Gazprom, dhe gjigantit të naftës, Rosneft.

Viti 2010 — Themeloi RosPil-in, një projekt kundër korrupsionit, i udhëhequr nga një ekip avokatësh që i analizonin shpenzimet e agjencive dhe të kompanive shtetërore, duke i ekspozuar shkeljet dhe i kontestuar ato në gjykatë.

Viti 2011 – Themeloi Fondacionin për Luftimin e Korrupsionit, i cili u transformua në platformën kryesore të ekipit të tij për ekspozimin e korrupsionit në radhët më të larta politike të Rusisë.

Dhjetor, 2011 — Mori pjesë në protestat masive të nxitura nga raportimet për manipulime të gjera në zgjedhjet parlamentare të Rusisë dhe arrestohet e më pas edhe burgoset për 15 ditë, nën akuzën për “kanosje ndaj një zyrtari qeveritar”.

Mars, 2012 – Pas rizgjedhjes dhe emërimit të presidentit Vladimir Putin shpërthyen protesta masive në Moskë dhe gjetkë. Navalny i akuzoi figurat kryesore, duke përfshirë zëvendëskryeministrin e atëhershëm Igor Shuvalov, dhe liderin e fuqishëm të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, për korrupsion.

Korrik, 2012 – Komiteti Hetues i Rusisë e ngarkon Navalnyn me akuzën për shpërdorim të parasë, përfshirë Kirovlesin, një kjo kompani kjo shtetërore e drurit në rajonin Kirovle, teksa e ushtronte detyrën e këshilltarit të guvernatorit lokal. Navalny i hodhi poshtë akuzat si politikisht të motivuara.

Dhjetor, 2012 – Komiteti Hetues nisi një tjetër hetim për akuzat e shpërdorimit të parasë në degën ruse të lidhur me Navalnyn të Yves Rocherit, kompani franceze kozmetike. Navalny sërish deklaroi se akuzat janë të motivuara politikisht.

Viti 2013 – Navalny kandidoi për kryetar të komunës në Moskë, në një veprim që autoritetet jo vetëm që e lejuan por edhe e inkurajuan, në përpjekje për të vënë një copëz demokracie në garën që u krijua për të rritur profilin e kryetarit të atëhershëm në detyrë, Sergei Sobyanin.

Korrik, 2013 – Një gjykatë në Kirov e dënoi Navalnyn për shpërdorim të parasë në rastin e kompanisë Kirovle, duke e dënuar atë me pesë vjet burgim. Prokuroria e kërkoi lirimin e Navalnyt nga paraburgimi, në pritje të apelit të tij dhe ai e rifilloi fushatën.

Shtator, 2013 — Sipas rezultateve zyrtare, Navalny u rendit i dyti në garën për kryetar komune, prapa Sobyaninit, me 27 për qind të votave, pas një fushate të suksesshme zgjedhore dhe mbledhjes së fondeve nga mbështetësit individualë, me shumë totale prej 2.9 milionë dollarësh.

Tetor, 2013 – Navalny u dënua me kusht në çështjen Kirovle.

Shkurt, 2014 — Navalny u dënua me arrest shtëpiak lidhur me rastin Yves Rocher dhe iu ndalua përdorimi i internetit. Blogu i tij vazhdoi të përditësohej rregullisht nga ekipi i tij, duke e shpalosur në hollësi korrupsionin e supozuar nga zyrtarë të ndryshëm rusë.

Dhjetor, 2014 – Navalny dhe vëllai i tij, Oleg, u shpallën fajtorë për mashtrim në rastin Yves Rocher. Navalny u dënua me 3 vjet e gjysmë me kusht, ndërsa vëllai i tij u dënua me burgim. Të dy paraqitën ankesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Dhjetor, 2015 – Fondacioni i Navalnyt për Luftën kundër Korrupsionit publikoi videon e tij të parë të gjatë, një dokumentar YouTube-i i quajtur “Chaika”, që do të thotë “pulëbardhë” nga rusishtja por që njëherësh është edhe mbiemri i prokurorit të përgjithshëm të atëhershëm, Yury Chaika. Videoja 44-minutëshe e akuzoi atë për korrupsion dhe për lidhje të dyshuara me një grup famëkeq kriminal teksa ka grumbulluar 26 milionë shikime në YouTube. Chaika dhe zyrtarë të tjerë rusë i mohuan akuzat.

Shkurt, 2016 – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se Rusia ka shkelur të drejtën e Navalnyt për gjykim të drejtë në rastin Kirovle, duke e urdhëruar Qeverinë që të paguajë shpenzimet e tij ligjore dhe dëmet.

Nëntor, 2016 – Gjykata e Lartë e Rusisë e anuloi dënimin e Navalnyt dhe e ktheu rastin në rishqyrtim në gjykatën e Kirovit, që e pati fillimisht lëndën.

Dhjetor, 2016 – Navalny njoftoi se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë të 2018-s.

Shkurt, 2017 – Gjykata e Kirovit e gjykon sërish Navalnyn dhe e lë në fuqi dënimin e tij pesëvjeçar, të pezulluar nga viti 2013.

Mars, 2017 – Navalny e publikon një dokumentar në YouTube, duke e akuzuar kryeministrin e atëhershëm, Dmitry Medvedev, për korrupsion. Dokumentari gjeneroi mbi 7 milionë shikime që në javën e parë. Një seri protestash kundër korrupsionit në të gjithë Rusinë tërhoqën me dhjetëra mijëra njerëz dhe pati arrestime masive. Navalny mbajti mitingje të mëdha dhe u burgos vazhdimisht për demonstrata të paautorizuara.

27 Prill 2017 – Sulmues të paidentifikuar i hodhën një dezinfektues të gjelbër në fytyrë, duke ia dëmtuar syrin e djathtë. Navalny e fajësoi Kremlinin për sulmin.

Tetor, 2017 – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e cilësoi dënimin e Navalnyt për mashtrim në rastin e Yves Rocherit si “arbitrar dhe të paarsyeshëm.

Dhjetor, 2017 – Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë e ndaloi Navalnyn që të kandidojë për president, për shkak të dënimit të tij në rastin e Kirovles, një veprim ky që nga BE-ja u cilësua si “dyshim serioz” mbi zgjedhjet.

Korrik, 2019 – Anëtarëve të ekipit të Navalnyt, së bashku me aktivistë të tjerë të opozitës, iu ndalua të kandidojnë për këshillin e qytetit të Moskës, duke nxitur protesta që u shpërndanë dhunshëm dhe gjatë të cilave u arrestuan me mijëra persona. Ekipi i Navalnyt u përgjigj duke e promovuar strategjinë e “Votimit të Zgjuar”, duke inkurajuar zgjedhjen e çfarëdo kandidati, përveç atyre nga partia “Rusia e Bashkuar” e Kremlinit. Strategjia funksionoi, partia e humbi shumicën.

Viti 2020 – Navalny kërkoi të vendosë strategjinë e “Votimit të Zgjuar” gjatë zgjedhjeve rajonale në shtator dhe bëri turne në Siberi, si pjesë e përpjekjes.

20 Gusht 2020 – Në një fluturim nga qyteti i Tomskut, ku ai punonte me aktivistë lokalë, Navalny u sëmur dhe avioni bëri një ulje emergjente në Omsk, qytet në afërsi. I shtruar në spital dhe në gjendje kome, ekipi i Navalnyt dyshoi se ai ishte helmuar.

22 Gusht 2020 – Navalny, në gjendje kome, dërgohet në një spital në Berlin.

24 Gusht 2020 – Autoritetet gjermane konfirmuan se Navalny është helmuar me një agjent nervor të periudhës sovjetike. Pas shërimit, ai e fajësoi Kremlinin, një akuzë kjo që u mohua nga zyrtarët rusë.

17 Janar 2021 – Pas pesë muajsh në Gjermani, Navalny u arrestua pas kthimit në Rusi, teksa autoritetet ruse pretenduan se rikuperimi i tij jashtë vendit përbënte shkelje të kushteve të dënimit të tij të pezulluar për rastin Yves Rocher. Arrestimi i tij shkaktoi disa nga protestat më të mëdha në Rusi ndër vite. Me mijëra persona u arrestuan gjatë tyre.

2 Shkurt 2021 – Një gjykatë në Moskë e urdhëroi Navalnyn që ta mbajë dënimin me 2 vjet e gjysmë burgim për shkeljen e lirisë me kusht. Sa ishte në burg, Navalny organizoi një grevë urie trejavore për të protestuar kundër mungesës së trajtimit mjekësor dhe privimit nga gjumi.

Qershor, 2021 – Një gjykatë në Moskë e shpalli të jashtëligjshëm Fondacionin e Navalnyt për Luftimin e Korrupsionit dhe i kualifikoi si ekstremiste rreth 40 zyra rajonale të saj, duke e mbyllur rrjetin e tij politik. Bashkëpunëtorët e ngushtë dhe anëtarët e ekipit u përballën me përndjekje penale dhe u larguan nga Rusia. Navalny mbajti kontakte me avokatët dhe ekipin e tij nga burgu dhe ata i përditësuan llogaritë e tij në mediat sociale.

24 Shkurt 2022 — Rusia e pushtoi Ukrainën. Navalny e dënoi luftën në postimet nga burgu nëpër media sociale dhe gjatë paraqitjeve të tija në gjykatë.

22 Mars 2022 – Navalny e mori një dënim shtesë nëntëvjeçar për shpërdorim të parasë dhe për përbuzje të gjykatës në një rast që mbështetësit e tij e cilësuan si të sajuar. Ai u transferua në një burg të sigurisë së lartë në rajonin perëndimor të Vladimirit në Rusi.

Korrik, 2022 – Ekipi i Navalnyt njoftoi për rithemelimin e Fondacionit Kundër Korrupsionit, si një organizatë ndërkombëtare, duke i përfshirë në bord këshillues Francis Fukuayaman, Anne Applebaumin dhe anëtarin e Parlamentit Evropian, njëherësh ish-kryeministrin belg, Guy Verhofstadt. Navalny vazhdoi të ngrejë padi nga burg dhe u përpoq të krijojë një sindikatë. Si kundërpërgjigje, zyrtarët e burgjeve filluan ta vendosnin rregullisht në izolim për shkelje të supozuara disiplinore, të tilla si dështimi i mbërthimit të kopsave të veshjes në mënyrë të duhur ose pastrimit të fytyrës në një kohë të caktuar.

Viti 2023 – Mbi 400 mjekë rusë e nënshkruan një letër të hapur drejtuar Putinit, duke i kërkuar presidentit rus që t’i jepet fund “abuzimit” të Navalnyt, pas raportimeve se atij i është mohuar mjekimi pasi u sëmur nga gripi. Ekipi i tij shprehu shqetësimin për shëndetin e tij, duke thënë në prill se pati dhimbje akute në stomak dhe se dyshonte që po helmohej ngadalë.

12 Mars 2023 – “Navalny”, një film për tentativën për vrasje të liderit opozitar, e fitoi çmimin Oscar për dokumentarin më të mirë.

16 shkurt 2024 – Alexei Navalny vdiq.

Artikulli paraprakSi u bë Tirana kryeqyteti i Shqipërisë? Kur sulltani e emëroi pasha Sulejmanin, si shpërblim i dha një…Emri “Tiranë” për herë të parë u përmend që në 1408-n
Artikulli tjetërPas vizitës në Shqipëri, Blinken merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. VOA: Pritet të ketë një seri takimesh dypalëshe me homologë nga vende të ndryshme