Donald Trump tha të martën se ai ka plane që janë “të garantuara” për t’i dhënë fund luftës vdekjeprurëse në Ukrainë, por do t’i zbulojë ato vetëm nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor.
Ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati aktual republikan është i përfshirë në një garë kokë e kokë me rivalen e tij demokrate, nënpresidenten Kamala Harris.
“Nëse fitoj, si president i zgjedhur, do të bëj një marrëveshje të garantuar. Kjo është një luftë që nuk duhej të ndodhte,” tha Trump në podkastin e Lex Fridman.
“Por unë nuk mund t’jua zbuloj këto plane, sepse nëse jua them, nuk do të jem në gjendje t’i përdor dhe do të dështojnë. E dini, një pjesë e kësaj është surprizë, apo jo?”, shtoi ai.
Trump ka deklaruar shumë herë se do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës “brenda 24 orëve”, pa shpjeguar kurrë se si. Në muajt e fundit, megjithatë, ai ka kritikuar Uashingtonin për miliarda dollarët që shpenzon për të mbështetur Kievin dhe po i kërkon Evropës të luajë rolin e saj.