“Luftë” e brendshme

Në Paris vazhdon lufta mes Marco Verrattit dhe drejtuesve të Paris Saint Germain. Klubi parizien nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e mesfushorit italian, ndërkohë që ky i fundit është gjithnjë e më i vendosur për t’u larguar nga klubi francez, pasi tundohet jashtë mase nga Barcelona. Kësaj telenovele të radhës në merkaton e transferimeve i shtohet një tjetër episod. Mësohet se, pasditen e së martës, Verratti ka zhvilluar një takim me trajnerin Unay Emery, të cilit i ka bërë të ditur dëshirën e tij për t’u larguar.
Trajneri i Paris Saint Germain e mori parasysh këtë kërkesë të Verrattit, e ia referoi drejtuesve të klubit transalpin, por këta të fundit nuk ndryshuan qëndrim dhe refuzuan takimin me Verrattin, pasi ajo që ata dëshirojnë nga italiani është respektimi i kontratës. Të premten, Verratti do të duhet të bashkohet me skuadrën për të nisur përgatitjet për sezonin e ri dhe kjo histori pritet të pasurohet me episode të reja, pasi tundimi për të luajtur si protagonist në Champions League me fanellën “blaugrana” është i madh për Marco Verrattin.
Ndërkohë, dashuria blaugrana dhe Mesit vazhdon. Argjentinasi ka rinovuar me Barcelonën, raporti mes tyre do të vazhdojë të paktën deri në 30 qershor të vitit 2021. Klubi katalanas zyrtarizoi akordin për rinovimin e kontratës të yllit argjentinas, e cila do të firmoset kur Mesi të kthehet nga pushimet. Edhe pse klubi nuk ka dhënë shifra, sipas mediave spanjolle klauzola për zgjidhjen e njëanshme të kontratës është rritur në shifrën e 300 milionë eurove, 100 më shumë nga sa parashikohej në kontratën e fundit.
Për Mesin që 24 qershorin e kaluar festoi ditëlindjen e tij të 30-të, dhe që në datën 30 të të njëjtit muaj u martua me shoqen e tij të jetës Antonela Rocuzzo, bëhet fjalë për një zgjatje me 3 vjet duke qenë se akordi i mëparshëm do të skadonte në 2018. “Klubi celebron në këtë mënyrë,   shkruan Barcelona në komunikatën zyrtare, vazhdimësinë dhe impenjimin e futbollistit më të mirë të historisë, të rritur në kanterën tonë dhe që e ka zhvilluar të gjithë karrierën me ne, duke u kthyer në simbolin e një epoke suksesesh të jashtëzakonshme, të padëgjuar më parë në futbollin botëror”.
Bllokimi i merkatos në hyrje nga FIFA nuk ka demoralizuar aspak drejtuesit e Atleticos së Madridit, të cilët pavarësisht se gjatë kësaj vere nuk mund të vendosin në dispozicion të trajnerit Diego Simeone asnjë futbollist po lëvizin duke realizuar goditje të rëndësishme për muajin janar. Pas arritjes së një marrëveshjeje me Diego Costën, i cili do të rikthehet te Los Colchoneros në fillim të vitit 2018, Atletico është shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për sulmuesin anësor të Sevillas Vitolo. Në mënyrë surprizë, lajmi është konfirmuar nga presidenti i Las Palmasit, Miguel Angel Ramirez, sepse në gjysmën e parë të sezonit të ri, 27-vjeçari do të luajë në formë huazimi te skuadra e vendlindjes së tij për t’u transferuar në janar te Atletico. Për Vitolon, Los Colchoneros do t’i paguajnë Sevillas, klauzolën e largimit të lojtarit që është 35 milionë e 700 mijë euro.

Exit mobile version