“Luftë e re e mafias italiane” për trafikun e drogës nga Shqipëria

“Janë trafiqet e drogës me Shqipërinë që kanë shkaktuar një luftë të re të mafias në territorin e Foxhias e në tërë provincën”, ka deklaruar gjatë takimit të fundvitit me gazetarët, komandanti i Forcave të Rendit të Komunës së Foxhias në Itali, kolonel Marco Aquilio.
“Grupet kriminale lokale po fuqizohen, duke kërkuar burime e dialog me grupet kriminale përtej kufijve, në veçanti në Shqipëri”, tha ai gjatë bashkëbisedimit me mediat, ku prezantoi statistikat e bilancin e aktivitetit të forcave të rendit përgjatë 2017 në tërë territorin e Foxhias.
2017 ka qenë një vit i vështirë në këtë zonë, ku janë regjistruar një shtim i numrit të vrasjeve, një rritje e numrit të personave të arrestuar, si dhe një sasi më e madhe armësh, municionesh e lëndësh narkotike të sekuestruara, në krahasim me vitin 2016.
“Ka nisur një luftë e re mes grupeve kriminale mafioze që ka çuar në mënyrë të pashmangshme në shtimin e numrit të armëve”, u shpreh kolonel Aquilio.
“Konfliktet mes grupeve kriminale janë lidhur me narkotrafikun. E dëshmojnë këtë fakt kontaktet e klaneve mafioze italiane me Shqipërinë e sekuestrimet e mëdha të drogës së trafikuar nga Shqipëria drejt rajonit të Puglias, nga janari i 2017 e deri më sot”, u shpreh kolonel Marco Aquilio.
“Është e qartë, tha ai, se në momentin kur grupet kriminale fokusohen tek trafiku i drogës, rritet konsumi i lëndëve narkotike, por rritet dhe numri i grabitjeve siç janë regjistruar gjatë këtij viti. Grabitje të kryera nga adoleshentë të gatshëm për gjithçka, vetëm për disa qindra euro që u duhen për të blerë drogën”.
Një nga ngjarjet më të përgjakshme të regjistruar në territorin foxhian më 2017 është masakra San Marco in Lamis e 9 gushtit, ku u vranë barbarisht bosi mafioz Mario Luciano Romito, kunati i tij, Matteo De Palma si dhe dy fshatarë të pafajshëm, Luigi e Aurelio Luciano.
Sipas policisë italiane, kjo masakër e rëndë qe një luftë në territor mes dy klaneve mafioze Romito e Alto Tavoliere, për të kontrolluar trafikun e drogës të ardhur nga Shqipëria.
Lidhjet e mafias foxhiane me grupet kriminale shqiptare i ka denoncuar publikisht dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franco Roberti.
Në deklaratat e tij është shprehur se, foxhianët janë lider të trafikut të drogës në Itali falë raportit të tyre të privilegjuar me shqiptarët, të cilët pas amerikano-jugorëve janë brokerit e parë të drogave të lehta në botë. “Kemi sekuestruar tonelata e tonelata hashashi e marijuane nga Shqipëria e jo më kot kemi intensifikuar vizitat në Tiranë së bashku me prokurorë të Antimafias puglieze”, u shpreh kolonel Marco Aquilio.
Trafiku i drogës me klanet shqiptare pas vrasjeve në 2017
Trafiku i drogës me klanet shqiptare qëndron pas shumicës së vrasjeve me sfond mafioz në rajonin e Foggias, në vitin 2017. Koloneli Marco Aquilio tha se, trafiku i lëndëve narkotike me Shqipërinë ka krijuar një luftë të re mafioze në këtë rajon.
Shqiptarët, të cilët sipas EUROPOL-it janë mes klaneve që po fuqizohen gjithmonë e më shumë, po krijojnë bazat e tyre në shtete të ndryshme të vendeve anëtare, për të shoqëruar kalimin nga trafiku i marijuanës në atë të kokainës dhe heroinës.
Pas shumë vitesh zbarkime në Salento, një territor komod për shkak të afërsisë me bregdetin shqiptar, shtetasit tanë po ngjiten më në veri, drejt Foggias, ku kontrolli i territorit nga forcat e rendit është më i vështirë. Por, paratë që po vërshojnë nga vendi i shqiponjave po shkaktojnë një numër të madh përleshjesh e viktimash, shkruan “Il Fato Quotidiano”.
“Jemi përballë evolucionit të një fenomeni garganez”, thotë Akuilo për median italiane, duke iu referuar rajonit ku po kanalizohet biznesi. “Ai po shfrytëzohet si një portë drejt Europës. Interesat e lidhura me trafikun ndërkombëtar kanë nxitur orekset e grupeve të tjera kriminale, gjë që i ka hapur rrugën një përplasjeje të paprecedentë bandash”, tha ai.

Exit mobile version