Luftë klasash me fondet, qeveria u jep vetëm 2.5% të fondeve bashkive të opozitës

Ndarja e paprecedentë politike e fondeve, është duke diskriminuar ndjeshëm bashkitë e qeverisura nga opozita
Qeveria ka vendosur një rekord të ri të paprecedent në ndarjen politike të fondeve buxhetore për pushtetin vendor. Në thirrjen e radhës, që u zhvillua në datën 13 korrik, Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve ka vendosur që 97.5 për qind të fondeve t’ia kalojë bashkive të mazhorancës dhe vetëm 2.5 për qind të tyre janë përfituar nga një bashki e opozitës. Sipas vendimeve të publikuara në Fletoren Zyrtare, rezulton se në thirrjen e radhës, Komiteti shpërndau 2.63 miliardë lekë në total, përmes tri programeve që janë ai i zhvillimit të infrastrukturës vendore, programi i arsimit dhe ai i Shqipërisë dixhitale. Por nga këto 2.56 miliardë lekë kanë shkuar për bashkitë e mazhorancës dhe vetëm 68 milionë lekë janë përfituar nga një bashki që drejtohet nga opozita, përkatësisht ajo e Mallakastrës. Ndarja e paprecedentë politike e fondeve, është duke diskriminuar ndjeshëm bashkitë e qeverisura nga opozita.

Si u ndanë fondet?

Në listën e parë, atë të grantit “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, u shpërndanë 1 miliard e 25 milionë lekë, të cilat u përfituan nga Bashkia e Gjirokastrës dhe ajo e Korçës. Bashkia Tiranë ka përfituar mbi 600 milionë lekë ose rreth 5 milionë dollarë për financimin e një sërë programesh. Më pas, në listën e përfituesve vijnë, Bashkia e Durrësit, ajo e Fierit, Bashkia e Elbasanit e kështu me radhë. E vetmja bashki e opozitës, e cila ka përfituar fonde në këtë thirrje është ajo e Mallakastrës. Sipas vendimit të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, Bashkia e Mallakastrës ka përfituar në total 68 milionë lekë për dy projekte, atë për ndërtimin shkolla 9-vjeçare “Panahor” në fshati Aranitas dhe projektin për “implementimin e sistemit të taksave dhe tarifave” në këtë bashki. Në total, Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve miratoi financimin për 30 projekte të pushtetit vendor. Por nga këto, 28 projekte u miratuan për bashkitë e majta dhe vetëm 2 projekte u përfituan nga bashkitë e djathta. Këto të fundit garonin me mbi 50 projekt propozime, të cilat u refuzuan në shumicën dërrmuese të tyre. Në buxhetin e vendit e këtij viti, qeveria ka akorduar rreth 10.5 miliardë lekë, afro 100 milionë dollarë në total për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, i cili shkon për të financuar projektet e bashkive. Por financimet e miratuara nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve ngrenë një sistem të zhbalancuar në shpërndarjen e investimeve rajonale, duke diskriminuar banorët që jetojnë në njësitë vendore të qeverisura nga e djathta. Kështu qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës janë ato që përfitojnë më pak investime se çdo qark tjetër në vend dhe arsyeja e vetme është se drejtohen nga opozita.

Exit mobile version