Një përplasje me armë mes bandave në Lushnjë shkaktoi dy viktima dhe tre të plagosur, njëri në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 të ditës së djeshme në mes të qytetit të Lushnjës, pak metra larg Komisariatit të Policisë. Ngjarja ka ndodhur në shëtitoren kryesore dhe mjaft të populluar të qytetit dhe ka shkaktuar frikë dhe panik tek qytetarët. Autorët e maskuar mësohet se, kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet, që ishte në lëvizje në drejtim të të rinjve që ndodheshin në një lokal.
Si pasojë e plumbave kanë mbetur të vdekur në vend Jurgen Hoxha, 22 vjeç dhe Zamir Latifi, 23 vjeç. Të plagosur kanë mbetur edhe tre persona, njëri prej të cilëve një kalimtar i rastit dhe pronari i lokalit, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Fillimisht u njoftua se kishte mbetur i plagosur edhe Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, por bëhet e ditur se ai nuk është plagosur ndonëse ka qenë shenjestra e atentatit. Xhulio Shkurti ka qenë me dy viktimat në lokal, por i ka shpëtuar atentatit.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por efektivët sapo kanë njohur trupat e pajetë të shtrirë në tokë janë larguar me vrap. Forcat e policisë janë larguar për shkak të frikës nga bandat rivale që bëjnë ligjin në Lushnjë. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, dy viktimat janë lënë për rreth 30 minuta në tokë pa u afruar askush.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se, personat që kanë qëlluar me breshëri automatiku nga makina në lëvizje kanë qenë të maskuar.
Burime nga grupi hetimor thanë se, kemi të bëjmë me një atentat të tipit mafioz mes bandave dhe jo me një ngjarje që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë konflikt i çastit. Dyshimet e para për një nga autorët e krimit bien mbi Laert Haxhiun, pasi ky i fundit plagosi para disa muajsht Xhulio Shkurtin, i cili është nipi i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se në atentat kanë mbetur të vdekur dy persona dhe janë plagosur dy të tjerë. “Në datën 11.10.2017 në lagjen “Loni Dhamo”, në vendin e quajtur “Ura e Përroit” Lushnjë, nga persona të paidentifikuar ende është qëlluar me armë zjarri automatik dhe si pasojë kanë ndërruar jetë 2 shtetas, ka mbetur i plagosur rëndë 1 tjetër, si dhe ka marrë dëmtim të lehtë edhe një kalimtar i rastit, i cili ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve pa probleme për jetën.
Viktimat janë shtetasit Z.L, 23 vjeç dhe J.H., 22 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë. Shtetasi i plagosur rëndë është M.Xh, 26 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, i cili po transportohet për në Tiranë. Si dhe ka marrë dëmtim të lehtë shtetasi B.T, 66 vjeç.
Gjithashtu në Sallën Operative Lushnjë ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Lushnjë-Berat, po digjet një mjet. Grupi hetimor ka shkuar menjëherë ku ka gjetur në automjet tre armë zjarri automatike. Automjeti dyshohet se mund të jetë i autorëve. Është ngritur grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kush ishte shënjestra e atentatit
Nga të dhënat paraprake mësohet se, atentati ka qenë i mirëorganizuar nga persona ende të paidentifikuar nga Policia. Sipas burimeve, shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Jurgen Hoxha, nipi i njërit prej anëtarëve të bandës së Albo Bares, (i dënuar me burg përjetë), ndërsa plumbave nuk mundi t’i shpëtonte as Zamir Latifi, 23 vjeç. Bëhet e ditur se, Zamir Latifi kishte pak ditë që ishte kthyer nga Italia. Po ashtu, i plagosur rëndë mbeti edhe pronari i lokalit, Marius Xhepexhiu.
Viktimat po qëndronin pranë një lokali në lagjen “Loni Dhamo”, në vendin e quajtur Ura e Çeleve. Burimet bënë të ditur se, nga hyrja e qytetit ka ardhur një makinë ku ndodheshin dy persona me maska, njëri drejtonte makinën, ndërsa tjetri ka hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të të rinjve. Pas atentatit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Nipi i Aldo Bares ishte plagosur edhe një vit më parë
Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, është plagosur para një viti bashkë me shokun e tij, Sajmo Xhelili në qendër të qytetit të Lushnjës. Antentati ndaj tij ndodhi pranë lagjes “Çlirimi”, vetëm 100 metra larg Komisariatit të Policisë. Dy të rinjtë u plagosën me pistoletë, njëri në këmbë, ndërsa tjetri në bark.
Policia nuk arriti të zbardhë dot arsyet e atentatit që ndodhi një vit më parë, në fund të muajt shtator. Pasditen e djeshme, një tjetër atentat ka ndodhur në qytetin e Lushnjës, ku mbetën të vdekur dy persona dhe u plagosën tre të tjerë.
Dy të rinj janë ekzekutuar në lagjen “Loni Dhamo” të Lushnjës, pas një atentati ndaj tyre. Zamir Latifi, 23 vjeç, mësohet se është njëri prej viktimave, ndërsa ende nuk është identifikuar personi tjetër. Nga hetimet e para raportohet, se dy viktimat kanë qenë pranë një lokali, kur pranë tyre ka ardhur një makinë nga e cila është qëlluar me armë zjarri.
Një nga të plagosurit është Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, ish- kapo i Bandës së Lushnjës, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në një nga burgjet e Sigurisë së Lartë. Ndërkohë, viktimat janë miq të familjes së Aldo Bares. Forca të shumta policore janë angazhuar për të kapur autorët, duke ngritur edhe postoblloqe në rrugët dalëse të qytetit.
Mjeti i përdorur në atentat gjendet i djegur
Pak momente nga ngjarja e rëndë në Lushnjë, ku u vranë me armë zjarri dy persona dhe u plagosën tre të tjerë, është gjetur i djegur automjeti që u përdor në atentat. Burime nga policia bëjnë të ditur se, jë automjet është gjetur i djegur në aksin rrugor Lushnjë-Berat, në vendin e quajtur “Çukas i Vjetër”, brenda të cilës ishin tre armë zjarri automatike të padjegura.
Sipas policisë, dyshohet se mjeti i përket autorëve të dyshuar të atentatit, të cilët i kanë vendosur flakën për të humbur gjurmët. Atentati ndodhi pranë komisariatit të qytetit, tek “Ura e Prroit”, teksa viktima janë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Personi i plagosur është identifikuar si Xhuljo Shkurti, 26 vjeç, nipi i kapos të Bandës së Lushnjës, Aldo Bare.
Lushnja është tronditur dje nga një krim i rëndë mes dy bandave rivale. Dy të rinj janë ekzekutuar shumë pranë Komisariatit të Lushnjës, ndërsa kanë mbetur të plagosur tre persona, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Nipi i Aldo Bares nuk rezulton i plagosur
Atentati mafioz i kryer pasditen e djeshme në qytetin e Lushnjës ku mbetën të vdekur dy të rinj dhe dy të plagosur, kishte në shënjestër Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares. Burimet e policisë bënë të ditur se, Xhulio Shkurti ishte i pranishëm në momentin kur një makinë u afrua dhe qëlloi mbi të rinjtë, por fatmirësisht shënjestra ka arritur t’u shpëtojë plumbave të atentatorëve.
Dy viktimat e kësaj masakre, Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi kanë lidhje me Xhulio Shkurtin. Jurgen Hoxha është kushëri me Xhulio Shkurtin, ndërsa Zamir Latifi është shok i tij.
Një vit më parë, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, është plagosur bashkë me shokun e tij Sajmo Xhelili në qendër të qytetit të Lushnjës.
Antentati ndaj tij ndodhi pranë lagjes “Çlirimi”, vetëm 100 metra larg Komisariatit të Policisë. Dy të rinjtë u plagosën me pistoletë, njëri në këmbë, ndërsa tjetri në bark. Policia nuk arriti të zbardhë dot arsyet e atentatit që ndodhi një vit më parë, në fund të muajt shtator.
Vendi nën kontrollin e bandave
Lushnja ashtu si Elbasani ndodhet nën kontrollin e bandave që bëjnë ligjin pas marrjes së mandatit të dytë të qeverisë Rama. Qyteti i Lushnjës përjetoi orë tmerri dje në mbrëmje. Dy të vrarët dhe tre të plagosurit, (njëri prej të cilëve rëndë) janë dëshmia më e qartë e një beteje të re mes bandave rivale. Nga njëra anë janë mbështetësit e kapobandës Aldo Bare, i cili në vitin ’97 ka luajtur futboll me kokën e prerë të armikut të vet. I vrari Zamir Latifi, 22 vjeç, i afërm i Bares dhe i vrari tjetër Jurgen Hoxha, 23 vjeç, gjithashtu i afërm i tij, tregojnë se ata janë të lidhur direkt me grupimin e njohur si banda e Lushnjës.
Në fakt shënjestër e atentatit ka qenë nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por ai shpëtoi mrekullisht. Edhe disa muaj më parë autorët kishin tentuar një atentat të ngjashëm. Flitet se bandat rivale janë në luftë me njëra-tjetrën edhe për trafikun e drogës. Policia e Lushnjës ka dijeni për bandat që bëjnë ligjin në qytet, por nuk guxojnë t’i godasin. Ky fakt tregon se bandat kanë mbështetje nga lart.
Krimi ka terrorizuar qytetin, pasi kalimtarët janë zhdukur me shpejtësi pas policisë që ka vrapuar e para të largohet nga vendi i krimit, dyshohet të jetë kryer nga një grupim rival tejet i njohur në shkallë vendi. “Ata që goditën dyshohet që janë një bandë po aq e rrezikshme gjë që mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në qytet”, tha një burim i policisë.
Pikërisht kjo goditje e re tregon se, grupet kriminale kanë dalë nga kontrolli. Fakti që policia ia mbathi nga sytë këmbët është treguesi më i fortë se rendi nuk varet më nga forcat e rendit, por bandat që bëjnë ligjin në qytetet kryesore të vendit.
R.POLISI