Luftë mes policisë italiane dhe trafikantëve për 2.2 tonelatat e drogës nga Shqipëria

2.4 ton drogë nga Shqipëria u sekuestrua nga policia italiane në Ravenna. Operacioni çoi në arrestimin e tre shqiptarëve dhe një shtetasi italian. Mediat italiane shkruajnë se, kapja e 2.4 tonëve drogë konsiderohet si një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e Ravennas.
Policia italiane zbuloi bandën e trafikantëve të droges, të cilët ishin duke transportuar ngarkesën me një furgon. Ata nuk ndaluan pas thirrjes së policisë dhe ajo iu vu nga pas, por pasagjeri u hodh, ndërsa makina ishte në ecje e sipër dhe ia mbathi me vrap. Policia bllokoi shoferin e furgonit, një italin 26-vjeçar, dhe brenda mjetit u gjet sasia e 2.4 ton marjuanë, 62 kilogram hashash dhe 4 kilogram vaj hashashi.
Policia italianë bëri të ditur se, arrestoi edhe tre shqiptarët, Bledar Danaj 21 vjeç, Erald Alidervishi, 26 vjeç dhe Alfred Kamberaj, 48 vjeç. Të gjithë të arrestuar janë dërguar në burg në akuzën e transportit të drogës.
Operacioni është zhvilluar mes të enjtes dhe të premtes nga policia, por është mbajtur sekret për shkak të hetimeve. Një patrullë ka kapur rreth orës 04:30 minuta një furgon përgjatë rrugës “Romea Sud”, në zonën Savio në drejtim të Ravennas. Në bordin e mjetit kishte dy persona, të cilët kanë shtuar shpejtësinë me të pikasur forcat e rendit. Brenda furgonit të drejtuar nga shtetasi italian u gjetën 2.4 tonë marijuanë, 62 kilogramë hashash dhe 4 vajra hashashi.

Përplasja me armë

Gjatë operacionit antidrogë një nga shqiptarët ka qëlluar me armë, duke plagosur një oficer policie. Me kërkesën e dokumentave u bë një përplasje, gjatë së cilës një nga individët nxori armën e zjarrit. Forcat e policisë arritën të neutralizojnë personin e armatosur.
Mediat italiane shkruajnë se, komandanti i Savios, Giorgio Tantimonaco pikasi dy makina të dyshuara, një “Alfa” dhe një “Fiat”, në një postbllok tjetër. Në kohën që i ndaloi patrulla, pasagjerët nisën sherrin dhe njëri prej tyre nxori armën. Tantimonaco arriti ta bllokojë, por ai e shkrepi pistoletën dhe shefi mbeti i plagosur, duke marrë një plumb në trup dhe u rrëzua. Autori më pas u tha se ishte shqiptar.
Ndërkohë që patrulla merrej me shefin e rënë përtokë, dy shqiptarët ia mbathën, fillimisht me makinë e më pas, e braktisën dhe ikën në këmbë. Arratia nuk shkoi gjatë, pasi u pikasën nga veshjet tërë baltë dhe u vunë në pranga.

Arratisja

Pas përplasjes, dy personat ikën me njërën prej makinave, duke lënë në vend “Alfa 147”. Menjëherë filloi gjuetia e kërkimit të tyre, ku u angazhuan edhe karabinierët nga Cervia dhe Milano Marittima si dhe një helikopter. Makina e përdorur nga të dy të arratisurit, një “Fiat Punto”, u gjet menjëherë, jo shumë kilometra nga vendi, ku është konsumuar episodi, në Lido di Classe, ndërsa të arratisurit kanë vijuar rrugën në këmbë.
Gjatë krehjes së zonës, në një lokal janë dalluar tre persona të dyshuar. Mediat italiane shkruajnë se policët i dalluan të dyshuarit, pasi veshjet e tyre ishin me baltë. Më pas, një prej shefave të policisë kishte konfirmuar se njëri nga të ndaluarit ishte pasagjeri i furgonit me kanabis, që u kap në mesnatë.
Policia tha se, 26-vjeçarit italian iu gjetën disa shënime ku mbante emrat, shifrat dhe numrat e telefonit. Dyshohet se droga ishte shkarkuar gjatë natës dhe ishte ngarkuar në furgonin që u ndalua nga policia.

Hetimet nisën pas një kontrolli të territorit

Hetimet e para nisën pas një kontrolli të territorit realizuar mesnatën e së enjtes në provincën e Ravenës. Patrulla ka ndaluar një furgon rreth orës 4:30 të mëngjesit, i cili po shkonte drejt Ravena-s. Në furgon ndodheshin dy persona, të cilët fillimisht bënë rezistencë, por pas një ndjekjeje të shkurtër arritën të ndaloheshin.
Fillimisht u arrestua 26-vjeçari italian, ndërsa kapja e pjesës tjetër u bë ditën e dielë. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar origjinën e sasisë së madhe të narkotikëve. Paraprakisht dyshohet se droga ka mbërritur nga deti para se të ngarkohej në bordin e furgonit.
Kanabisi ishte transportuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë në rrugë detare, ndërsa vijon hetimi për persona të tjerë që janë të përfshirë në trafik. Sasi të përmasave të tilla është vështirë që të transportohen me motoskafë apo gomone, pasi për këto pesha duhen mjete lundrimi më të mëdha. Ndaj dyshimet janë se për këtë trafikim të përdoren anije, apo peshkarexha.

R.POLISI

Exit mobile version