Të shtëna me breshëri armësh në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar dhe si pasojë e breshërisë së plumbave është plagosur shtetasi Marvin Malja. Bëhet e ditur se 25-vjeçari ka marrë dy plumba në këmbë dhe është dërguar në spital. Banorët janë terrorizuar nga breshëritë e plumbave.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mes një blloku pallatesh, në të njëjtin vend ku muaj më parë iu vendos tritol një ambienti që po përdorej nga LSI si zyrë elektorale. Ende nuk dihen shkaqet e plagosjes së 25- vjeçarit me armë.
Ditët e fundit, vendi ka përjetuar një seri krimesh të rënda, të cilat kanë shkaktuar frikë dhe terror tek qytetarët.
Më 18 shtator në Elbasan, një prej bandave të Elbasanit, drejtuar nga Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari, ushtroi dhunë mbi një grup policësh. Makina e Zëvendës/drejtorit të Policisë u përplas nga një makinë e blinduar që dyshohet se është në pronësi të Suel Çelës.
Më 29 shtator në Laprakë, katër persona u plagosën pas një konflikti me armë brenda një lokali. Një ndër personat e përfshirë është Arben Seferaj, person në kërkim për një tjetër vepër penale.
Në Shkodër, ndodhi një shpërthim me eksploziv në katin e parë të banesës 3 katëshe të Avdyl Dërgutit.
më 30 shtator në Peqin, një 63-vjeçar qëlloi me armë zjarri ndaj një 56-vjeçari pas një konflikti.
Më 1 tetor në Vlorë, persona të pa identifikuar qëlluan me armë drejt makinës së Ferdinand Llanajt. Mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij 8-vjeçar dhe Dritan Bega. Ndërsa më 2 tetor në Vranisht të Vlorës, një 40-vjeçar u plagos për motive ende të panjohura.