Një atentat me armë zjarri në mes të ditës në qendër të Shkodrës la të plagosur rëndë tre persona, dy prej të cilëve kalimtarë të rastit. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në mesditë në afërsi të teatrit “Migjeni”, në një kohë kur rrugët e qytetit ishin të populluara me njerëz dhe shkaktoi frikë dhe panik tek qytetarët. Autori i krimit lëvizte me një automjet teksa qëlloi me breshëri plumbash.
Sipas burimeve të policisë, autori i krimit po lëvizte me një autoveturë tip “Dawoo” me ngjyrë jeshile me targa AA 440 NC dhe qëlloi plot 8 herë në drejtim të shtetasit Dionis Lisi, 32 vjeç, ndërsa plumbat lanë të plagosur edhe dy shtetas kalimtarë të rastit.
Policia bëri të ditur se nga breshëritë e plumbave ka mbetur i plagosur Dionis Lisi, i cili dyshohet se ka qenë objektiv i autorëve si dhe Elona Qyrka dhe Enrik Prenushi. Sipas policisë lokale këta dy të fundit kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë lidhje me atentatin. Të plagosurit u transportuan për në Spitalin e Shkodrës, ku në gjendje kritike për jetën është 32-vjeçari Lisi. Ndërsa 25-vjeçarja Qyrka dhe 59-vjeçari Prenushi janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje mbërriten efektivë të shumtë policie, të cilët, pasi kanë marrë dëshmitë e të pranishmëve, kanë sekuestruar pamjet filmike të subjekteve private. 30 minuta pas ngjarjes policia ka gjetur armën e zjarrit pistoletë tip TT në një prej kontinierëve të mbeturinave në pikën turistike të Shirokës, ndërsa e sekuestruan armën si provë materiale.
Më pas, grupet e ndërhyrjes së shpejtë janë vënë në ndjekje të autoveturës dhe e kanë gjetur të braktisur në zonën kufitare të Zogajve, ku kanë nisur kontrollet për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia ka identifikuar edhe pronarin e autoveturës, i cili dyshohet të ketë lëvizur drejt Malit të Zi.
Për këtë arsye, janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorit, apo autorëve. Nga ana tjetër Policia Kufitare ka kontrolluar në liqen, pasi ato mund të kishin lëvizur me ndonjë mjet lundrues për t’i ikur policisë. Për këtë ngjarje janë njoftuar edhe homologët e Malit të Zi dhe pas disa orësh, policia bëri të ditur se autori i vrasjes është arrestuar. Sipas Policisë, 25-vjeçari Aurel Ahi është arrestuar në Krajë të Malit të Zi, jo larg kufirit me Shqipërinë.
Krimi është rritur frikshëm gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin. Vetëm pak ditë, pasi mbaruan zgjedhjet e 25 qershorit kanë ndodhur disa krime të rënda, si vrasje, plagosje, grabitje me armë dhe shpërthim tritoli.
Para katër ditësh u hodh në erë me triotol makina e një biznesmeni kromi në Bulqizë. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët e krimit. Ndërsa një ditë më parë u hedh në erë me tritol një lokal në rrethin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, teksa po zbardhej e premtja, kur biznesi ishte i mbyllur dhe nuk kishte njeri brenda. Në fshatin Balëz, në ambientet e jashtme të dyqanit me artikuj ushqimor, në pronësi të F.K., 50 vjeç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, njofton Policia. Për pasojë janë shënuar dëme materiale. Edhe në kërtë rast, policia nuk ka mundur të zbulojë autorët.
Ndërkohë po të premten një makinë shpërtheu në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 4, kur automjeti tip “Jaguar” po udhëtonte në drejtim të stacionit të trenit. Flakët janë përhapur me shpejtësi, por pa vënë në rrezik drejtuesin e automjetit. Ngjarja përhapi panik dhe trafiku u bllokua për pak kohë. Nuk dihet shkaku dhe vetë shoferi dëshmoi që kjo i ndodhi sapo e mori makinën nga servisi.