19 vjet më pas historia përsëritet dhe sërish skuadra e favorizuar është Juventusi. Paolo Valeri me vendimin e tij në minutën e 69-të të sfidës së parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë mes bardhezinjve dhe Napolit i solli në vëmendje të gjithë votës së futbollit atë kontakt mes Ronaldos dhe Iulianos më 1998-tën, me gjyqtarin që nuk dha një penallti flagrante në favor të Interit duke vazhduar lojën dhe në fund të aksionit akordoi një penallti të paqenë në favor të Juventusit për një faull të Taribo West ndaj Alex del Pieros.
Për të ndezur sërish një lumë polemikash në distancë ka mjaftuar ai vendim i Paolo Valerit, i cili ka bërë që në mendjen e të gjithëve të rikthehet episodi i shumëdiskutuar Iuliano-Ronaldo. Nëse penalltia e dhënë për Dybala-në pas kontaktit me Koulibaly ishte evidente, Valeri gaboi shumë në rastin e penalltisë së dytë të Juventusit të fituar nga Cuadrado. Në minutën e 69-të të sfidës nëse gjyqtari do të kishte marrë një vendim korrekt rezultati i ndeshjes Juve-Napoli mund të ishte 2-2 dhe jo 3-1 për bardhezinjtë, sepse Raul Albiol u pengua brenda zone. Mbrojtësi spanjoll i të kaltërve i gjendur mes Bonuccit dhe Pjanic, mori një goditje nga boshnjaku dhe faulli ishte evident, megjithatë Valeri lejoi vazhdimin e lojës duke dhënë një penallti për Cuadradon pas një kontakti me Reinan, të cilin Dybala e shndërroi sërish në gol.
Irritimi në kampin e Napolit me të drejtë ishte i madh në përfundim të sfidës dhe aq mjaftoi që mes dy klubeve të nisë një luftë polemikash në distancë. Drejtori sportiv i Napolit, Cristiano Giuntoli i cilësoi si të turpshme vendimet e Valerit ndërkohë që portieri Pepe Reina, protagonisti i penalltisë së shumëdiskutuar theksoi se është shumë i nxehur pasi rezultati i sfidës u vendos nga gjyqtari. Ndërkohë nga kampi juventin ka reaguar drejtori sportiv Fabio Paratici, i cili me deklaratat e tij është munduar të ulë disi tensionin duke nënvizuar se Juventus-Napoli ishte një ndeshje e bukur dhe polemikat kanë nisur nga asgjëja, sepse sipas tij edhe Juventusi e ka parë veten shpeshherë në situata të disfavorshme duke u kujtuar të gjithëve sfidën ndaj Bayern-it në Champions sezonin e kaluar.
Juventusi i tregon “dhëmbët” Napolit edhe në Kupën e Italisë. Bardhezinjtë fituan 3-1 me përmbysje në “Juventus Stadium” në takimin e parë gjysmëfinal të këtij kompeticioni falë dy 11-metërshave të kontestuar nga napolitanët dhe të shndërruar në gola nga Dybala dhe finalizimit të Higuain, si kundërpërgjigje ndaj rrjetës së Callejon në pjesën e parë.
Bardhezinjtë imponuan ritmin e lartë që në fillim të takimit, por nuk arritën t’i shfrytëzonin rastet e krijuara fillimisht me Dybala-në, që u ndal në momentin e fundit nga Reina e më pas me Mandzukic, që goditi me kokë mbi tra. Ndërsa në minutën e 33-të ishte Higuain që shkaktoi panik në radhët e Napolit. Skuadra e Sarrit në ta paktat raste që iu afrua portës së Buffon shfrytëzoi më së miri atë të minutës së 36-të, ku pas një kombinimi të bukur mes Milik dhe Insigne, iu dha mundësia për t’i realizuar spanjollit Callejon.
Në fund të pjesë së parë Reina bëri mrekullinë me dy pritje të njëpasnjëshme pas tentativave të Mandzukic dhe Lihsteiner. Juventusi gjithsesi e gjeti barazimin që në fillimim të pjesës së dytë me një 11-metërsh të fituar dhe të shndërruar në gol nga Dybala.
Në të 64-rën vjen dhe goli i dytë i Juventusit, i realizuar nga Higuain, i cili frenon të festojë si një ish. Kaluan vetëm disa minuta dhe bardhezinjtë pas një kundërsulmi të shpejtë fituan një tjetër 11-metërsh pas ndërhyrjes së Reinës ndaj Cuadrados. Sërish Dybala tregohet i saktë nga pika e bardhë.