Vitin e kaluar, firma farmaceutike zvicerane Roche publikoi një përmbledhje të provave klinike që ajo kishte kryer për barnat neurologjike, midis viteve 2016 dhe 2021.
Kompania zbuloi se njerëzit me ngjyrë ishin të nënpërfaqësuar në të gjitha provat, përveç njërës.
Në fakt, ky lajm është një përparim, sepse tregon se organizatorët e provave mjekësore po bëhen më të vetëdijshëm për një paragjykim të rrezikshëm që pengon sigurinë dhe efikasitetin e trajtimeve mjekësore, shkruan The Economist.
Shumë prova përjashtojnë grupe të caktuara njerëzish dhe e bëjnë këtë qëllimisht, për shembull fëmijët, njerëzit me aftësi të kufizuara fizike ose mendore, gratë shtatzëna dhe të moshuarit.
Për grupe të tilla, nuk ka studime të mjaftueshme për shkak të mungesës së pjesëmarrjes.
Sigurisht, ka shpjegime logjike për përjashtimin e tyre, si mosmarrja e pëlqimit të vullnetarëve në fjalë ose dëmtimi i mundshëm për fëmijët e palindur.
Megjithatë, pasojat mund të jenë mjaft të mëdha. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se gjysma e provave në të gjithë botën që testonin frakturat e ijëve, përjashtuan njerëzit që jetonin në azile, që ishin të moshuar, ose ata që kishin njëfarë niveli të çrregullimit mendor.
Megjithëse këto grupe përbëjnë pothuajse një të tretën e të gjithë pacientëve që vuajnë nga fraktura e ijëve, nuk dihet me siguri nëse ndërhyrjet do të jenë efikase për ta.
Kështu, mjekët përballen me një zgjedhje të keqe: të japin gjithsesi recetat, edhe pse rezultatet janë të pasigurta, ose t’u mohojnë pacientëve të tyre trajtime të reja.
Një shembull tronditës i një përjashtimi të tillë është i njerëzve me sindromën Down. Ata kanë qenë prej kohësh të përjashtuar nga provat klinike, duke përfshirë provat e fundit të barnave kundër Alzajmerit, lecanemab dhe donanemab, që mendohet se mund të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes.
Kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se njerëzit me sindromën Down kanë më shumë gjasa që të sëmuren nga Alzajmeri.
Megjithatë, pa pasur të dhënat nga provat klinike, mjekët nuk mund t’ua japin këto ilaçe njerëzve me sindromën Down, nga frika e efekteve anësore të panjohura.
Marrja e pëlqimit për prova nuk është gjithmonë e lehtë, veçanërisht nga njerëzit me aftësi të kufizuara mendore. Rreziqet e efekteve anësore të grupeve të ndryshme mund të ndërlikojnë analizën e të dhënave.
Dhe disa grupe nuk kanë besim te mjekët, për shkak se kanë vuajtur prej kohësh nga keqtrajtimet, gjë që e bën më të vështirë rekrutimin e tyre.
Sidoqoftë, zgjerimi i gamës së pjesëmarrësve në prova klinike mund të jetë diçka e dobishme, sepse ato mund të çojnë në njohuri të reja mjekësore.
Kryerja e provave për njerëzit që kanë më shumë gjasa të preken nga Alzajmeri, si ata me sindromën Down, mund t’i ndihmojë studiuesit që të testojnë nëse ilaçet e tyre funksionojnë në mënyrë parandaluese.
Diçka e tillë ndodhi me Studimin e Zemrës në Dallas në vitet 2000. Si një hulumtim i gjerë epidemiologjik, studimi përfshinte një kampion njerëzish etnikisht të larmishëm dhe zbuloi një variant gjenetik në disa afro-amerikanë, i cili lidhej me një nivel kolesteroli 40% më të ulët.
Ky gjen tani është një nga shënjestrat kryesore të ilaçeve në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare.
Për fat të mirë, paragjykimi në provat klinike mund të ndreqet. Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve në provat klinike në Amerikë tani janë gra (në pjesën tjetër të botës është ende vetëm 40%). Amerika dhe Britania do të publikojnë rregullore që kërkojnë nga organizatorët e provave që të shpjegojnë se kë duhet të përfshijnë dhe si planifikojnë t’i rekrutojnë ata.
Industritë e barnave dhe pajisjeve mjekësore mund të kundërshtojnë. Kompanitë mund të shqetësohen për shpejtësinë dhe koston e provave me bazë të gjerë.
Gjatë pandemisë Covid-19, kompania farmaceutike Moderna ngadalësoi provën e vaksinës sepse rekrutuesit e saj nuk kishin regjistruar mjaftueshëm njerëz nga pakicat etnike.
Në atë kohë, me miliona njerëz u infektuan nga virusi.
Gjithsesi, pandemia është një dukuri e rrallë. Ndërsa provat me pjesëmarrje të larmishme kthehen në normë, ato do të jenë më të lehta dhe më të shpejta për t’u kryer.
Kompanive u jepen me të drejtë monopole të vlefshme, si shpërblim për financimin e kërkimit të nevojshëm për të zbuluar barna të suksesshme dhe për t’i sjellë ato në treg.
Një kusht duhet të jetë që provat që çojnë në ato monopole, të zbulojnë se kush do të përfitojë dhe sa shumë.