Lugina e drogës në Lumin e Vlorës pronë e Habilajve dhe e Tahirit

E gjithë lugina e Lumit të Vlorës është e mbushur me kanabis nga Habilajt e Tahirit, ndërsa policia nuk guxon t’i afrohet. Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji gjatë një konference për shtyp shfaqi pamje filmike ku dukeshin parcelat me kanabis në Luginën e Lumit të Vlorës dhe deklaroi se, kjo luginë është shndërruar në Luginën e Kanabisit.
“Shihni këto pamje të siguruara nga Partia Demokratike dje. Shihni se si lugina e Lumit të Vlorës, është shndërruar në Luginën e Kanabisit. Kjo është dëshmia e mbulimit të vendit me drogë, e rritjes së përditshme të këtij biznesi kriminal, që drejtohet nga Saimir Tahiri.
30 për qind e fitimit të çdo bime të mbjellë, ndahet mes shefave të policisë dhe Tahirit. Ky është pazari që garanton mbjelljen, rritjen, korrjen dhe transportin e drogës. Pamjet janë filmuar pikërisht në zonën e Lumit të Vlorës, aty ku Habilaj e Tahiri kanë kontroll absolut mbi territorin.
Parcela pa fund që lulëzojnë, që sjellin qindra milionë euro për bandat e trafikantët, për njerëzit e afërt të Tahirit, i cili, përveç shumë garancive të tjera, u dha habilajve edhe makinën e tij private, taksinë e drogës AA 003 GB, për t’u siguruar paprekshmëri e semafor jeshil për lëvizjet e tyre.
Kjo pra është dëshmia e gjallë e krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim. Partia Demokratike do të vendosë rendin e sigurinë në vend, do të shtypë trafikun e trafikantët e drogës, do të çrrënjosë lidhjet e politikës me krimin”, përfundoi Salianji.
Parcelat e mbjella me kanabis nga njerëzit e Tahirit në Luginën e Lumit të Vlorës janë denoncuar publikisht dje edhe nga ish-Kryeministri Berisha. “Fluturim mbi Kanabistan në arat e Saje qorrit dhe tezakëve të tij në Luginën e Lumit të Vlorës!”, shkruan Berisha në “Facebook”, ndërsa poston edhe një video ku duken parcelat me kanabis.
Në fakt nuk është vetëm lugina e Lumit të Vlorës e mbjellë me drogë nga Habilajt, por edhe mali i Çukës. Burime nga Policia e Vlorës bënë të ditur se i gjithë mali i Çukës është i mbjellë me kanabis dhe ruhet me njerëz të armatosur. Sipas burimeve, policia nuk guxon të afrohet në parcelat me drogë, pasi janë në pronësi të njerëzve të Tahirit.
Në të gjithë Jugun e vendit lulëzojnë pyjet e mbjella me kanabis. Ndërsa policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e tij. Bima narkotike ka arritur pjekjen e saj dhe në mjaft zona ka filluar mbledhja për t’u trafikuar jashtë shtetit. Bëhet e ditur se, plantacionet me hashash ruhen me armë nga trafikantët, të cilët bashkëpunojnë me punonjësit e policisë të përfshirë në këtë trafik fitimprurës. I gjithë vendi nga Jugu në Veri është përfshirë nga rritja drastike e kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, ku nxitësja kryesore e gjithë kësaj badërdie është vetë qeveria.

Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës

Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë.
Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato parcela, të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij, por të disa “hallexhinjve”. Kështu, pra policia korr kanabisin e parcelave ku nuk u del për zot njeri.
Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin e lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga polcia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët.
Kultivimi në masë të gjerë i kanabisit në të gjithë vendin tonë është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas autoriteteve italiane, kultivimi i hashashit është zgjeruar në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky përbën një shqetësim serioz.

R.POLISI

Artikulli paraprakDenoncimi, si i zhvasin tenderat publikë Gjici dhe deputeti Ndreu
Artikulli tjetërTaksa e urrejtjes